Nikollë Loka - DO TË BAHEM MAL... (poezi)

Nikollë Loka - DO TË BAHEM MAL... (poezi)
DO TË BAHEM MAL...
 
Do të bahem mal,
e në hijen tande të rri moj zanë,
do të jem hija që të ndjek
e më ndjen pranë,
do të bahem dhé për hapin tand,
dhé që e shkel me kambë.
 
Do të bahem fllad
që shkon e vjen,
aromë trandafili mbi një gem,
do të vij si ajër
e të prek mbi ballë,
vetimë le t'shkrepë nji mall!
 
Po ti kurrë s'do ta dish
pse të ndodh kështu,
ç'parandjenja fshehin sytë e tu!