REAGIM
LIDHJA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE, KUKËS, SHPREH SOLIDARITETIN E PLOTË ME PETICIONIN E KOMUNITETIT TË SHKRIMTARËVE SHQIPTARË
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Kukës shpreh solidaritetin e plotë me peticionin e komunitetit të shkrimtarëve shqiptarë, i cili denoncon praktikat përjashtuese, diskriminuese dhe klanore, në dhënien e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës. Mbështesim kërkesën për rivendosjen e ligjshmërisë, transparencës, barazisë së zhanreve letrare dhe respektimit të parimeve kushtetuese në administrimin e çmimeve shtetërore të letërsisë. Anashkalimi i qëllimshëm i fushave të caktuara letrare, veçanërisht i letërsisë për fëmijë, është i papranueshëm dhe dëmton rëndë interesin publik, kulturor dhe kombëtar. Shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj këtyre praktikave dhe i bashkohemi zërit kolektiv të shkrimtarëve shqiptarë për një reformë të vërtetë, të drejtë dhe të ndershme në politikat shtetërore të librit dhe letërsisë Letërsia për fëmijë është një fushë e veçantë artistike dhe edukative, e cila nuk shërben vetëm për argëtim, por për formimin estetik, etik dhe kulturor të brezave të rinj. Vepra si “Piter Pani”, “Pinoku” apo “Liza në botën e çudirave” janë dëshmi se kjo letërsi mbart mesazhe universale dhe një rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e botëkuptimit të fëmijëve. Përcjellja e vlerave, përdorimi i gjuhës figurative, lidhja me folklorin dhe imagjinata krijuese janë mekanizma themelorë që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e personalitetit të fëmijës. Për këtë arsye, letërsia për fëmijë duhet konsideruar si art i rëndësishëm dhe jo si “literaturë e lehtë” apo dytësore. Kryeveprat e saj lexohen, studiohen dhe respektohen njësoj si veprat për të rritur. Në vende si Suedia dhe Anglia, kjo letërsi trajtohet si prioritet kombëtar. Astrid Lindgren dhe Roald Dahl janë kthyer në simbole kulturore me ndikim afatgjatë shoqëror. Ndërsa tek ne, megjithëse rëndësia e kësaj fushe njihet nga politikëbërësit dhe vendimmarrësit, ajo shpesh anashkalohet me vetëdije, pasi nuk shihet si fushë që sjell përfitime të menjëhershme ekonomike. Ky qëndrim përbën një diskriminim të hapur kulturor ndaj letërsisë për fëmijë dhe, më gjerë, ndaj vetë brezave që nesër do të mbajnë mbi supe zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Është një formë “vetëvrasjeje” kulturore, e motivuar nga mendjengushtësia apo babëzia afatshkurtër e vendimmarrjes aktuale, duke harruar se fëmijët, ndonëse nuk kanë fuqinë blerëse të të rriturve, janë investimi më i madh i një kombi.

Vera Istrefaj
Kryetare Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kukës