Tzemin Ition Tsai (Përktheu: Angela Kosta)
ZEMRA E BARIUT
Mes furisë të stuhisë dhe kodrave shterpë,
i vetëm ecën bariu, në ngricat e akullta
nuk ka më frikë - ngrohtësinë e pranverës shumë prapa e lë...
Sytë e tij dallojnë rrugën e largët,
një udhë pa shtigje, që drejt ëndrrave të jetës e shpie
dhe në agimin e mëngjesit
duke e ditur se cili vend i përket.
Qielli i gjerë dhe i kthjellët si kurrë më parë,
mos është zgjuar liria?
Apo është paqe e përjetshme që nuk vdes kurrë?
Delet e ndjekin të shkujdesura
ndërsa në shpirtin e tij, shkëmbinjtë e thepisur qiellin shpojnë...
Teksa vetë, nën një yll të largët jeton,
ai endet, i tërhequr nga horizonti i madh.
Mendon për rrugën gjarpëruese të jetës,
gëzimin, pikëllimin, zemërimin e butë,
por kudo,
veç fatkeqësi dhe vajtim ka.
Mali është i pjerrët, por lëndina është e gjerë,
mendimet krah për krah si lumë rrjedhin,
në të cilën e vërteta mund të gjendet,
si një themel i qëndrueshëm, apo lidhje fati?
Në momente të qeta, i artë bëhet qielli,
urtësinë e të parëve ndjen,
e megjithatë ai vetëm ecën,
duke gjetur rrugën e tij në livadh,
vetëm për të lënë pas, zemrën e një bariu.
SI NJË KËNGË GJETHESH QË BIEN
Të fshehura lundrojnë fjalët, mbi misteret e universit,
brenda rrotullimit të ekzistencës sonë të përbashkët,
ku shfaqjet e fuqisë, në të vërtetë, të brishta janë;
përralla jonë kolektive
në pauzën e një kali qëndron ose në takimin e të huajve,
të lidhur jo nga fisi apo kombi,
por nga identiteti i përbashkët.
Fijet e njerëzimit si vija gjaku ndërthuren,
furtunë në një vorbull, shpesh e padukshme,
por thellësisht e ndjeshme,
spektre gjyqesh të përbashkëta,
ku ndarjet shkrihen.
Ura e mirëkuptimit me kujdes duhet të ndërtohet,
duhet të kapërcehen humnerat kulturore,
të eksplorohen pa u larguar nga esenca.
T'i durojmë presionet joharmonizuese,
notat e paqes duke i ndarë,
të kompozojmë barrat tona,
në simfoninë e madhe t'i ndajmë.
Nga vendet e largëta deri te fqinji pranë,
zemra e njerëzimit në vëllazërinë universale rreh,
të modeluar nga filozofia e jetës jemi,
të formuar nga mjetet e mbështetjes.
Teksa harmonia na thërret, le të kërcejmë,
kështu ndarjet në strukturën e ekzistencës shpërbëhen.
Ndoshta jemi vetëm një komb,
apo një botë e vazhdueshme në zgjerim?
KËNGËTARJA NË TAVERNË
Dritat e llambave janë ulur në tavernë,
një çupë këngëtare shpirtin e saj në këngë derdh
zëri i saj, si një zog në fluturim,
kërkon të mos presë derisa të kalojë nata.
Fjalët që këndon si vargje poezie janë,
plot bukuri dhe hijeshi,
e megjithatë për dashurinë dhe humbjen flasin.
Nuk dëshiroj më ta shtyp dhembjen therëse brenda vetvetes
tani që larg ke ikur,
dhe vetmia ime me pikëllim më pushton.
Kujtimet rikthehen, qetësi kalimtare më ofrojnë
por me zjarrmi mendjen të paprekur ta mbaj, dëshiroj.
Zemrën që dikur preke, nga largimi yt, e plagosur,
është tharë, më nuk është ushqyer.
Për një kohë të gjatë, pjesë e jetës sime ishe,
e me dyll bletësh do ta vulos,
deri ditën kur sërish të jemi bashkë.
Përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese