Skënder Lazaj (Trebeshina) - UNË I ZHDUKURI I SHEKULLIT
UNË I ZHDUKURI I SHEKULLIT
Nxito nënë, nxito!
Kam ftohtë...
ndiq gjakun tim, pikë pas pike.
Me siguri është ende i kuq
gjaku, s’mund të thahet nënë, s’mund të thahet!
Mos u ligsht kur t’arrish në banesën time mizore
ku një natë t’acartë dimri më degdisën çakejtë
shoqëruar me klithjet e tua lemeritëse
për nderin që jepte e merrte majë bajonetash barbare
dhe mes kërrkëllitjesh therrëse të thyerjes së akujve
nën pushtetin mizor rrotash të zeza kamionësh
ngarkuar me shpirtëra njerëzor!
Kur t’arrish, më thirr në emër
do të dëgjosh qindra zëra njëherësh
se këtu nënë, jam me shumë të tjerë, të ngjashëm,
Të të njëjtit gjak
Flasim të njëjtën gjuhë
Me një ëndërr të vetme
Të mos na thërrisni të zhdukur!
Ata janë moshatarë me mua.
Frigohem se s’do t’më njohësh nënë
Se tash unë jam rritur, Po! jam rritur
Eshtrat e mia si pllakë tektonike
do të shkundin nga rrënjët këtë dhè
të gjyshit tim harruar shekujsh
mbi të cilin kanë vënë me përdhunë emra përbindëshash
përbindësha me sy të hazdisur ngjyrë gjaku!
Nxito nënë nxito,
Unë i zhdukuri yt po të pres,
Tash njëzetë vite
Me dritën e Lirisë në sy
Me fjalën e Lirisë në buzë
Me ëndrrën e Lirisë për ty Kosovë
Lirisë e cila më mban të patretur !