Tribunë Shkencore - NJË JETË PËR ATDHE

Tribunë Shkencore - NJË JETË PËR ATDHE
Tribunë Shkencore - NJË JETË PËR ATDHE
Tribunë Shkencore - NJË JETË PËR ATDHE
Tribunë Shkencore - NJË JETË PËR ATDHE
Tribunë Shkencore - NJË JETË PËR ATDHE
Instituti Albanologjik i Kosovës
Shoqata për parandalimin e largimit të rinisë nga Kosova, organizoj Tribunë Shkencore me temën “Një jetë për atdhe”, që u organizua për 150 vjetorin e lindjes së atdhetarit dhe idealistit të çështjes kombëtare Hasan Prishtina.
Me kumtesat e tyre u paraqiten:
Akademik Hakif Bajrami, Dibran Fylli, regjisor/aktor e Mas. Jahja Lluka, ku të pranishëm ishin; (ani pse në numër jo të mjaftueshëm) intelektual, shkrimtar, aktivist e dashamirë të çështjes kombëtare. Eventin e moderoi Prof. Asllan Qyqalla.
KUMTESA

HASANI I PENËS DHE I PUSHKËS

Dihet, Toplica dhe Molla e Kuqe e Atdheut ende lotojnë matanë kufirit. Hasan Prishtina duhet të ringjallet dhe të bashkohen të gjitha Trojet shqiptare. Shumë jemi lodhur nga zjarret dhe krismat e gjata. Shumë herë u dogj Palaci i gjyshit të Hasanit, edhe Prekazi i Ahmet Delisë e Adem Jasharit.

Hasan Prishtina, ishte njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve. Vepra dhe tërë jeta e tij kanë qenë të lidhura me fatin e kombit e të Atdheut. Me një natyrë të çiltër, tejet komunikues, i dashur dhe i përkushtuar për bashkatdhetarët e vërtetë e të devotshëm, në anën tjetër të karakterit të tij ai ishte kundërshtar i pa kompromis kundër armiqve dhe politikanëve që bënin pazare mbi kurriz të popullit. Në luftë për të realizuar aspiratat kombëtare, ishte i vetëdijshëm se duheshin bërë sa e sa sakrifica. Ishte në shënjestër të forcave reaksionare të Perandorisë turke por edhe të shteteve grabitçare të Ballkanit. Në rrugën e tij jetësore iu kishte përmbajtur motos: “Ka me m' shtrue vetëm vdekja”.

Kredoja e tij jetësore, trimëria  dhe temperamenti tipik i shqiptarit me prejardhje nga Drenica,  bënë që në qenien e tij të manifestoheshin vetitë më karakteristike të shqiptarit intelektual dhe luftëtar në të njëjtën kohë, demokrat dhe atdhetar ndër më të dalluarit e kohës.

Hasan Prishtina si deputet shqiptar në Parlamentin turk ngriti zërin kundër padrejtësive turke mbi shqiptarët dhe me diskutimet e tij të zjarrta trazuan gjithë Perandorinë. Largpamësinë e tij, për rrezikun që vinte nga Aleanca Ballkanike, turqit nuk donin ta dëgjonin e as ta kuptonin.

Hasan Prishtina është unikat edhe në fushën e arsimit kombëtar. Me nismën e tij u organizua Kongresi i Alfabetit në Manastir (14 - 22 nëntor 1908). Atë vit do të nisë punën edhe Shkolla Normale e Elbasanit, ku do të mësojnë edhe shumë nxënës nga Kosova e nga Dibra, shumica me harxhimet e tij.

Dija dhe guximi i Hasan Prishtinës është në Themelet e “Shqypnis”. Hasani për mëvetësinë e Shqipërisë Etnike ishte i lidhur me qarqet ushtarake vjeneze që nga viti 1904, dhe një javë para se ta shpallte kushtrimin për Revolucionin Shqiptar Çlirimtar në Parlamentin Turk, kërkoi përkrahjen  diplomatike të Vjenës e më vonë edhe të Anglisë e të fuqive të tjera evropiane për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. 

Për një kohë, emri dhe vepra e Hasan Prishtinës, qenë mbuluar me pluhurin e harresës. Madje, deri në vitin 1962, nga organet zyrtare shqiptare ai cilësohej si “tradhtar” i kombit. Në vitin 1977, eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. Ata u varrosën në Varrezat e Dëshmorëve, në Kukës. Me dekret presidencial nr. 435, datë 26.01.1993, atdhetari dhe luftëtari Hasan Prishtina është dekoruar me Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë, me këtë motivacion:

“Udhëheqës dhe organizator i shquar i kryengritjeve gjithëkombëtare për pavarësinë që sollën krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912”. 

Në Kosovë puna qëndroi më ndryshe. Patriotin demokrat, Hasan Prishtina, populli e mbajti në mendje e në zemër. Mirëpo, pushteti antipopullor sllavo-komunist e anatemoi dhe e ndaloi dhunshëm emrin dhe bustet e tij nëpër shkolla e institucione të tjera. 

Qëndrimi i tij i palëkundur në zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare, bëri që jeta dhe vepra e Hasan Prishtinë të mbetet burim frymëzimi për të gjithë idealistët e kombit deri te Adem Demaçi, Adem Jashari dhe të gjithë trimat e trimëreshat e tri ushtrive tona çlirimtare.

Emri i Hasan Prishtinës është emërnderi e respekti për brezat liridashës të shqiptarëve. Jeta dhe vepra e tij i përkasin Atdheut, gjithandej.

 

Prishtinë, 16.06.2023                                      Dibran Fylli, regjisor/aktor