Teuta Shaqiraj - TË RUAJ NËN LËKURË

Teuta Shaqiraj - TË RUAJ NËN LËKURË
TË RUAJ NËN LËKURË
 
Më mungon engjëlli im, më mungon.
Si të rroj, kemi mbetur unë dhe muza,
Ku je mes galaksive, si të gjej përtej yjeve
Pse ajri dridhet bashkë me mua
kur emri yt më shkërmoqet vargjeve?
Shpirti yt më prek si flladi vere
Mollëzat përskuqen e të kërkojnë me ndrojtje
Buzët hapen si petale nga freskia mëngjesore
 
Eh, aroma jote ngulur në kujtesë.
Të kërkoj nën lëkurë me shpresë
Por, s'po mund, me sytë që ngulen kaltërsisë së pafund.
E vrapoj në pyllin e sapo larë prej shiut
mes drurëve e pishave të reja
 te ndjej e gjineshtrave aromën ja rrëmbej.
E nuhas gjithçka shtrirë mbi bar të njomë
Aroma jote një kujtim i largët më ngroh ndërkohë.
 
Dy engjëj ta dish me vijnë çdo mbrëmje
e pështjellin jastëk e çarçafë të paduruar.
Po unë të dua ty ëndrra ime e shkuar,
të dua vetëm ty të më vish çdo natë
me hapa engjëlli ashtu fshehurazi
në një përqafim të ëmbël në gjumin e parë,
E gjumin e dytë në një puthje pa mbarim,
symbyllazi frymë më frymë deri në agim.
E në zbardhje do të lë të ikësh me ikjen e engjëjve,
se engjëjt ëndrrat e tjera në amshim
ua lënë dëshirës së njerëzve.