ROZAFË
M'i dhunove gjinjt’
nën ftohtësinë’ e kullës me gur t'moçëm
e me shaminë time t'kuqe lidhur fyti
murgut i the t'ma pranonte vdekjen
larg gjërave që m'i vodhe djallëzisht.
Atë t'hën’
m'i dhunove edhe ëndrrat
e me shpresën se do m'buz’qeshje
pranova t’më quaje Rozafë
veç për t'i thënë botës se kishe qëllim
t'mos i tradhtoje v’llezërit dardanë
për femrën që n'ty shihte dashurin' reale.
Nën fustan t'Evës m'i fshehe dhe plagët tjera.
Hëna asgjë s'pa nga ç'doja t'shihte
e më pas n'fisin tënd t'i lëshonte mallkimet
ndryshe nga unë që çmendur dashurie isha.
M'i dhunove edhe fjalët prajshëm
e duke i thënë hënës se mbytjet i kishe n'gjak
t'nesërmen s'm'le nën trupin e dhunuar
të t'thosha "TY DJALL SËRISH TË DUA".