TAKIMI I PARË
në takimin e parë
shikimi m`i vodhi fjalët,
mbeta memec syhapur.
GJURMËT E RINISË
në udhëkryqet e zemrës
gjej gjurmët e fluturimit tënd
të ditëve të pranverës sonë.
SYRI I KALTER
në Syrin e Kaltër afër Sarandës
gjeta syrin e kaltër të rinisë tënde
moj sykaltëroshja e rinisë sime.
NË GALERINË E KUJTIMEVE
në cep të një rafti të galerisë së kujtimeve,
rastësisht gjej kujtimet e zhuritura për ty,
të cilat, tash, rëndojnë si guri.
OQEAN LOTËSH
në oqeanin e lotëve të rinisë sonë
shpupurish në kujtimeve
në stërkala vizatohet fytyra jote.
KALO NË KËTË ANË
bjeri zhyt lumit të lotëve,
kalo në këtë anë,
eja të rrimë pak nën hijen e ëndrrave të rinisë.
VJESHTË….
vjeshtë në natyrë,
dimër në zemër ,
vallë, Ti, ku mbete?!…
VJELIN METAFORA
secili poet ka nga një Beatriçe si Danteja
nga e cila vjel metafora
për t`i zbukuruar vargjet e tij
SONTE TË DËSHIRËJ...
sonte të dëshiroj si shkretëtira shiun
të më vish si dikur
të paktën në ëndrra.
THUREN KUJTIMET
në flokët e tua të arta
rri kacavarur malli për ty
e, në gërsheta janë thurur kujtimet.
BUZËQESHJA JOTE
buzëqeshja jote e gravuar në zemër
rri kacavarur në kujtime,
nganjëherë sikur ma luan syrin.
TANUSHA
Tanusha e ka vënë gërshetin në tel lahute,
Halilit nganjëherë ia luan syrin filxhan,
Muji me agallarë krushq në dasmën e legjendës.
ATË DITË
atë ditë këngës tënde të heshtur
larg i dëgjohej zëri
se dilte nga zemra e plagosur heshtake.
BUZËQESHJA E MONALIZËS
në cep të një metafore
rri varur buzëqeshja jote Monalizë,
moj virgjëreshë e kohërave kurvëresha.
DASHURIA E PAREALIZUAR
vetëm dashuria e parealizuar është vërtet dashuri,
sepse dashuria e kurorëzuar me martesë
pas një kohe, ose shndërrohet në xhelozi, ose në urrejtje.
DASHURIA E VENITUR
dashuria e venitur
lotin ia dhuron syrit,
dhembjen ia dhuron shpirtit.
DHEMBJA THERR NË SHPIRT
dhembjen që ndiej për ty
mundohem ta pi në gotë,
gota e ngrirë në dorë ther në shpirt.
NË NDARJE
në ndarje ju falënderova,
i thashë: faleminderit
që më dhurove kaq shumë kujtime.