FILM SERIK ZAKONET E MALEVE
Seriali më i ri në Kosovë, “Zakonet e maleve”, me skenar të Dibran Fyllit, shpalos një botë të dikurshme malësore, në të cilën nderi, besa, fjala e dhënë dhe autoriteti i të parit të shtëpisë përbënin ligjin e pashkruar të jetës. Në ato vise të ashpra, familja dhe pragu i shtëpisë mbroheshin me çdo kusht. Edhe një veprim i parëndësishëm mund të interpretohej si cenim i nderit dhe të sillte pasoja të rënda. Kështu, zakoni, në vend që ta mbronte jetën, shpesh shndërrohej në një forcë të pamëshirshme që kërkonte gjak.
Vrasja e djalit të Bilallit për një dyshim dhe për një fishkëllimë pranë oborrit dëshmon se sa e rëndë ishte pesha e krenarisë dhe e autoritetit patriarkal. Zuka e konsideron veten zot të padiskutueshëm të shtëpisë dhe pragun e tij si një kufi që askush nuk guxon ta cenojë. Për të, vrasja nuk është vetëm krim, por mbrojtje e nderit familjar, rol ky i realizuar mjeshtërisht nga aktori dhe regjisori Dibran Fylli.

Mirëpo ky botëkuptim e hap menjëherë udhën e hakmarrjes: Bilalli, përpara trupit të pajetë të të birit, betohet se gjaku do të lahet me gjak, rol ky i realizuar mjaftë mirë nga aktori Adem Zhitopotoku. Dhimbja atërore shndërrohet në urrejtje dhe një vdekje kërcënon të sjellë vdekje të tjera.

Në këtë realitet tragjik, burri vendoste për fatin e familjes, ndërsa gruas i kërkohej të qëndronte kokulur dhe t’i bindej vullnetit të burrave të fisit. Fjala e të rinjve dhe dëshirat e tyre mbeteshin të ndrydhura përballë vendimeve të etërve. Megjithatë, krahas ashpërsisë së Kanunit, vepra paraqet edhe anën fisnike të traditës shqiptare: besën, ndërmjetësimin e pleqve dhe përpjekjen për pajtim. Burrat mblidhen në odë për t’ia “lidhur kryet kësaj pune”, sepse e kuptojnë se hakmarrja mund t’i përfshijë të dyja familjet në një varg të pafund gjakderdhjesh. Besa bëhet kështu e vetmja pengesë ndërmjet jetës dhe vdekjes.
Përballë kësaj bote të rëndë qëndron dashuria e fshehtë e Arbenit dhe Elirës. Ata dashurohen në heshtje, larg syve të familjeve dhe të katundit, sepse miqësia ndërmjet shtëpive të tyre është e papranueshme. Takimet e fshehta, fjalët e pëshpëritura dhe frika se mos zbulohen tregojnë se dashuria nuk mund të jetojë lirshëm. Ajo detyrohet të fshihet mes barishteve dhe shkurreve, në errësirën e mbrëmjes dhe në vetminë e maleve. Të rinjtë nuk luftojnë vetëm për ndjenjat e tyre, por edhe kundër një trashëgimie armiqësie që ua kanë lënë të parët.
Fjalët e Arbenit: “Nëse dashnia asht mëkat, atëherë le të bahemi mëkatarë”, shprehin revoltën e heshtur të brezit të ri. Për të dhe Elirën, dashuria është më e fuqishme se ndarja ndërmjet fiseve, por në një mjedis ku fjala e babait është ligj, ajo shihet si shkelje e rendit dhe cenim i autoritetit familjar. Bariu, i cili vështron fshehurazi ngjarjet, bëhet syri i katundit: ai sheh gjithçka, dhe nuk hesht, duke simbolizuar një shoqëri ku asgjë nuk mbetet vërtet e fshehtë.

Kështu, dashuria përplaset tragjikisht me ashpërsinë e zakoneve dhe me hijen e armës. Vepra nuk paraqet vetëm një histori të dhimbshme dashurie, por edhe një dëshmi artistike të jetës së dikurshme shqiptare në Malësi, ku bukuria e traditës bashkëjetonte me rregulla të pamëshirshme. Përmes kësaj historie, skenaristi Dibran Fylli sjell kujtesën e një kohe kur zemra kërkonte liri, ndërsa zakoni vendoste kufij.
Vepra ndërton kështu një përplasje të fuqishme ndërmjet dy botëve: botës së vjetër, të sunduar nga Kanuni, hakmarrja dhe pushteti i burrit, dhe botës së re, që kërkon dashuri, liri dhe të drejtën për të zgjedhur. Në peizazhin madhështor të Malësisë, bukuria e natyrës bie në kundërshtim me tragjedinë njerëzore. Malet ruajnë besën, krenarinë dhe traditën, por njëkohësisht mbajnë brenda tyre jehonën e të shtënave, vajin e nënave dhe dashuritë e dënuara të mbeten të fshehta.
Nga Ismail Ismaili