PROMOVUESJA NDËRKOMBËTARE Dr ANGELA KOSTA NDEROHET ME ÇMIMIN PRESTIGJIOZ TË EKSELENCËS: RITA LEVI-MONTALCINI
Në kuadër të kongresit “L’Eccellenza è Donna - Ekselenca është Grua”, që hapi veprimtarinë e 40-vjetorit të Çmimit Nobel të Dr Rita Levi-Montalcinit, u vlerësuan personalitete të shkencës, kulturës, gazetarisë dhe artit.
Më 18 shtator, 2026, në emër të dijes, kulturës dhe talentit femëror, në Pallatin Valentini (Romë), u zhvillua kongresi “L’Eccellenza è Donna”, aktivitet i cili inauguroi programin e veprimtarive kushtuar 40-vjetorit të Çmimit Nobel për Mjekësi, i fituar nga shkencëtarja italiane Rita Levi-Montalcini në vitin 1986.
Një rol të rëndësishëm në aktivitet pati Levi-Montalcini Foundation, e përfaqësuar nga Presidentja Piera Levi-Montalcini, Zv. Presidentja Claudia Geromel Levi-Montalcini dhe Dr. Marcello Merlino.
Në këtë event, mes personaliteteve të shquara italiane ishte edhe Angela Kosta, e cila u nderua me Çmimin “Rita Levi-Montalcini” përkrah emrave të njohur të gazetarisë, kulturës, artit dhe shkencës. Një moment i veçantë i ceremonisë ishte dorëzimi i çmimit për promovuesen Angela Kosta nga mbesa e nobelistes, Presidentja e Fondacionit Levi-Montalcini, Dr Piera Levi-Montalcini, si dhe vajza e saj Zv. presidentja e këtij fondacioni, Dr Claudia Geromel Levi-Montalcini, duke i dhënë këtij çmimi një vlerë të veçantë.
Kongresi u promovua nga Akademia Tiberina, në bashkëpunim me Fondacionin Levi-Montalcini, Akademia Kulturore Internacionale Cartagine 2.0, si dhe me pjesëmarrjen e Universitetit Guglielmo Marconi.
Veprimtaria “L’Eccellenza è Donna - Ekselenca është Grua”, lindi me synimin për të vlerësuar inteligjencën, krijimtarinë dhe kontributin e grave në fushat e shkencës, kulturës dhe shoqërisë.
Në qendër të kësaj nisme qëndron figura e Dr Rita Levi-Montalcinit, Nobeliste për Mjekësinë, shkencëtare, Senatore e përjetshme dhe një prej emrave më të rëndësishëm të kërkimit shkencor italian. Nisma, e konceptuar për t’u shndërruar në një takim vjetor, lindi nga Departamenti i Letërsisë së Akademisë Tiberina, (në të cilën Angela Kosta është Kryetare e Departamentit të Shtypit), me synimin për të krijuar një hapësirë të qëndrueshme studimi, dialogu dhe promovimi kulturor. Akademia Tiberina, e regjistruar në OKB, ka një histori prej 213 vitesh dhe bën pjesë në traditën e institucioneve akademike italiane.
Në hapje të aktivitetit u mbajt një minutë heshtje në përkujtim të deputetes Emma Bonino.
Kujtimi i saj u lidh me temat e lirisë dhe dinjitetit njerëzor, në një reflektim simbolik përkrah figurës së nobelistes Rita Levi-Montalcinit.

Veprimtaria u moderua nga Dr. Antonietta Micali e ndër të tjera, programi përfshiu edhe momente artistike dhe muzikore.
Për promovuesen ndërkombëtare Angela Kosta, çmimi prestigjioz i marrë në Romë i shtohet një veprimtarie të zhvilluar në letërsi, përkthim, gazetari dhe botime me motivimin:
"I jepet Çmimi për Karrierë "Rita Levi-Montalcini", promovueses Angela Kosta, përçuese ndërkombëtare e kulturës, për angazhimin e vazhdueshëm të saj, në përhapjen e kulturës, letërsisë dhe dijes, përmes një veprimtarie të gjerë, e aftë për të kapërcyer kufijtë gjeografikë, gjuhësorë dhe kulturorë.
Për shndërrimin e fjalës si një instrument takimi dhe dialogu ndërmjet popujve, duke vlerësuar pasurinë e identiteteve të ndryshme dhe duke nxitur qarkullimin e ideve, autorëve dhe dijeve në panoramën kulturore ndërkombëtare.
Në 40-vjetorin e dhënies së Çmimit Nobel Rita Levi-Montalcini, ky vlerësim celebron tek Angela Kosta një kulturë të konceptuar si urë lidhëse ndërmjet njerëzve dhe qytetërimeve, e aftë të gjenerojë dije, ndërgjegjësim dhe të ardhme."
"Ndihem tepër e nderuar, - tha ndër të tjera gjatë marrjes së çmimit Dr. Kosta, - jo vetëm për këtë vlerësim, si shqiptare, (edhe si italiane), pasi jetoj prej 31 vitesh në Itali, por mbi të gjitha si Grua, të cilën nobelistja Dr Rita Levi-Montalcini, e kishte në qendër të projekteve, kërkimeve dhe laboratorëve shkencorë të saj".
Çmimi “Rita Levi-Montalcini” iu dha gjithashtu Ilaria Antoninit, gazetare në TGR Rai 2; Elvira Naselli, gazetare shkencore në gazetën La Repubblica; Laura Valente, menaxhere kulturore për artet performuese dhe muzetë; si dhe Alessandra Dolci, regjisore dhe aktore.
Në fushën shkencore u vlerësuan Marcello Merlino, Aldo Repeti dhe Francesco Girardi.
Më pas, Akademia Kulturore Internacionale Cartagine 2.0, në bashkëpunim me Fondacionin Levi-Montalcini, i akordoi Targën "Rita Levi-Montalcini" gazetares Manuela Biancospino si dhe sopranos Caterina Novak, e njohur në Itali dhe jashtë saj dhe e dekoruar në vitin 2009 me titullin Kavaliere e Republikës Italiane.
Gjatë manifestimit Çmimet Cartagine, u ndanë edhe për personalitete të tjera.
Në event morën pjesë gjithashtu Alessandro Della Posta, President i Akademisë Kulturore Internacionale Cartagine 2.0, Prof. Luca Alfieri, Drejtor i Departamentit të Shkencave Humane të Universitetit Guglielmo Marconi, si dhe përfaqësues të institucioneve partnere.
Eventi pati mbështetjen e Radio Studio 107 Milano dhe TV Lombardia, drejtuar nga Dr Sabrina Morelli.
“L’Eccellenza è Donna - Ekselenca është Grua”, synon të shndërrohet në një takim vjetor ku shkenca, kultura, arti, informacioni dhe kërkimi shkencor, të bashkohen rreth vlerës së dijes dhe talentit.
Në këtë kuadër, për promovuesen Angela Kosta, çmimi prestigjioz “Rita Levi-Montalcini”, shënon një tjetër etapë në rrugëtimin e saj kulturor ndërkombëtar, duke sjellë edhe një prani të rëndësishme shqiptare, në një ceremoni të zhvilluar në Romë, në emër të një prej grave shkencëtare më të njohura të shkencës italiane, nobelistes dhe senatores, Dr Rita Levi-Montalcini.
Nga redaksia