Poetja izraelite Iris Calif, u nderua me çmimin e madh, në Napoli, për merita në kulturën ndërkombëtare

Poetja izraelite Iris Calif, u nderua me çmimin e madh, në Napoli, për merita në kulturën ndërkombëtare
IRIS CALIF, POETJA IZRAELITE QË U NDERUA NË NAPOLI ME ÇMIMIN E MADH PËR MERITA TË SHQUARA NË KULTURËN NDËRKOMBËTARE
 
Një vlerësim për krijimtarinë e saj poetike origjinale dhe kontributin në kulturën ndërkombëtare. Në mjediset mbresëlënëse të Muzeut Historik Qytetar Gaetano Filangieri, një mbrëmje kushtuar përsosmërisë, artit dhe dialogut ndërmjet popujve.
 
NAPOLI – Më 31 tetor 2026, në mjediset prestigjioze të Muzeut Historik Qytetar Gaetano Filangieri, u zhvillua edicioni i XXVII-të i Çmimit të Madh të Ekselencës – "Midis Fjalëve dhe Pafundësisë", një veprimtari ndërkombëtare e themeluar dhe e drejtuar nga Cav. Nicola Paone, e cila bashkon shkrimtarë, artistë dhe personalitete të botës kulturore nga vende të ndryshme.
Ndër protagonistët e kësaj mbrëmjeje u shqua poetja dhe shkrimtarja izraelite Iris Calif, me banim në Shoham (Izrael), së cilës iu akordua Çmimi i Madh për Merita të Shquara në Kulturën Ndërkombëtare, në vlerësim të të gjithë krijimtarisë së saj poetike, thellësisë shpirtërore të veprave dhe kontributit të dhënë në promovimin e kulturës dhe letërsisë në nivel botëror.
Sipas deklaratës së themeluesit të çmimit, Nicola Paone, Iris Calif është shkrimtarja e parë izraelite në historinë e kësaj veprimtarie që merr këtë vlerësim, si dhe e vetmja përfaqësuese e Izraelit e nderuar në këtë kategori.
Poete, shkrimtare, gazetare, përkthyese e poezisë ndërkombëtare, redaktore letrare dhe balerinë, Calif zhvillon një krijimtari të karakterizuar nga një dimension i thellë shpirtëror dhe mistik, ku ndërthuren tradita hebraike, simbolika kabaliste, besimi, natyra dhe kërkimi i hyjnores. Vargjet e saj trajtojnë tema universale si dashuria, jeta, barazia, respekti i ndërsjellë dhe paqja, me synimin për të ndërtuar ura lidhëse ndërmjet kulturave, gjuhëve dhe popujve.

Gjatë ceremonisë, autorja shprehu mirënjohjen e saj të thellë për vlerësimin e marrë dhe për mundësinë që iu dha për të përfaqësuar Izraelin në një veprimtari të këtij niveli ndërkombëtar. Ajo ndau gjithashtu me të pranishmit ëndrrën e saj për një paqe universale, të mbështetur në humanizëm, dashuri dhe bindjen se të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe fëmijë të Zotit. Poezia e saj "The Human Divine Flower" u botua në librin zyrtar të manifestimit.
Ky çmim i fituar në Napoli i shtohet një sërë vlerësimesh të rëndësishme ndërkombëtare në karrierën e saj. Në vitin 2023, Iris Calif u shpall Poetja më e Mirë Ndërkombëtare nga International Poetry Translation and Research Centre në Kinë. Në vitin 2024 mori Çmimin Special të Ekselencës - Qyteti i Galateos – Antonio De Ferraris, ndërsa në vitin 2025 u vlerësua me përmendje nderi në Konkursin Ndërkombëtar Letrar Friedrich Schiller në Gjermani. Gjithashtu, në vitin 2026 mori çmimin "The Greatest Poets of the World", një nismë ndërmjet Greqisë dhe Meksikës, si dhe mban detyrën e Kryetares së Komitetit Kombëtar të NAC Israel, në kuadër të "The Noble Laureate Award 2026", një iniciativë e pavarur dhe pa lidhje me Çmimin Nobel. 
Autore e tre librave dhe aktualisht e angazhuar në përgatitjen e dy veprave të tjera, Calif ka parë poezitë e saj të përkthehen në dhjetë gjuhë dhe të botohen në antologji, revista letrare dhe gazeta izraelite e ndërkombëtare. Ajo është gjithashtu aktive në promovimin e poezisë botërore përmes bashkëpunimeve editoriale, përkthimeve dhe angazhimeve kulturore ndërkombëtare.
Mbrëmja, e drejtuar nga gazetarja Ertilia Giordano, mblodhi personalitete të shumta të jetës kulturore dhe artistike. Programi muzikor, me pjesëmarrjen e interpretuesve dhe muzikantëve të njohur, i dha një tjetër dimension artistik kësaj veprimtarie, e cila kremtoi vlerat e krijimtarisë dhe të bashkëpunimit ndërmjet kulturave. Krahas Iris Calif, edhe shumë autorë, artistë dhe profesionistë të tjerë u nderuan në kategoritë e ndryshme të çmimit, duke dëshmuar edhe një herë karakterin ndërkombëtar të kësaj nisme të ideuar nga Nicola Paone.
Vlerësimi i Iris Calif me Çmimin e Madh për Merita të Shquara në Kulturën Ndërkombëtare përbën një arritje të rëndësishme në rrugëtimin e saj artistik dhe letrar. Prania e saj në Napoli solli në skenën italiane një zë poetik izraelit, i cili i beson fjalës misionin për të bashkuar njerëzit, për të kapërcyer largësitë dhe për të përcjellë një mesazh universal humanizmi, shprese dhe paqeje.
Nga poezia te kultura, nga Izraeli drejt botës: Iris Calif vazhdon të ndërtojë, përmes vargjeve të saj, një dialog pa kufij.
 
 Përktheu: Angela Kosta