Kristaq Turtulli - Fragmente nga romani “Zërat e ujit”

Kristaq Turtulli - Fragmente nga romani “Zërat e ujit”
ZËRAT E UJIT
Ferri nuk ndodhej poshtë tokës, por brenda kujtesës njerëzore.
Liqeni nuk qe më ujë. Ishte një sy i madh i zi që shihte gjithçka.
 
Ushtarët e pashait e tërhoqën zvarrë kryepriftin deri te barka. Gurët që i lidhën në këmbë, në duar e në qafë qenë aq të rëndë, sa dukej sikur donin t’i fundosnin jo trupin, por vetë emrin.
Asnjë nga murgjit nuk guxonte të fliste. Vetëm uji dënesi. Kur barka u largua në errësirë, kambanat e manastirit nisën të tundeshin vetë nga era. Apo ndoshta nga duart e Zotit.  
Dhe pastaj filloi çmenduria. Pashai, bejlerët dhe njerëzit e tyre nuk u ngopën me vdekjen e kryepriftit. Jo. Sikur kërkonin të shqyenin vetë shpirtin e manastirit. Me pishtarë në duar, u turrën nëpër korridoret e gurta duke ulëritur emrin e Dodonës. Hapën qelitë e murgjve. Rrëzuan ikonat. Shkelën mbi ungjijtë. Rrahën murgjit derisa gjaku u rridhte mbi pllakat e ftohta.
Disa i lanë lakuriq në oborr, nën natën therëse të liqenit, derisa trupat nisën t’u bëheshin blu.
Por Dodona nuk gjendej. Atëherë tërbimi i tyre mori fytyrë tjetër. Zbritën në katund si një tufë ujqërish të tërbuar. Dyert u shkulën. Fëmijët ulërinin. Plakat përplaseshin përdhe. Nëpër rrugicat e errëta vraponte era e tymit dhe mishit të djegur. Disa shtëpi u dogjën menjëherë, sikur flaka kishte pritur prej kohësh të hynte në to. Dhe në mes të sheshit, nën rrapin e madh, varën Shegën, nënën e Dodonës. Lakuriq. Të përgjakur. Me flokët që i vareshin si rrënjë të zeza mbi trup.
Por edhe mes torturave, ajo nuk foli. Vetëm e shikonte pashain drejt në sy. Me një urrejtje aq të thellë, sa për një çast edhe vetë ai uli kokën. Sepse Dodona tashmë nuk ishte më vetëm vajzë. Ishte sëmundja e tij. Epshi i tij. Mallkimi i tij. Ajo ia kishte prishur gjumin. Kur hante, mendonte për të. Kur pinte verë, shihte fytyrën e saj në fund të kupës. Natën zgjohej i lagur në djersë, duke dëgjuar zërin e saj nëpër korridoret e kalasë.
Dhe urdhri i tij ishte i prerë:
- Kush kthehet pa Dodonën, të mos kthehet fare.
Atëherë ushtarët u shpërndanë nëpër male, shpella e pyje. Kërkuan si qen të uritur.
Deri sa një natë foli Juda. Murgu i ri. Me fytyrë engjëlli dhe zemër të kalbur. Ai ua tregoi shpellën e Dragoit.
Ishte një zgavër e errët mes shkëmbinjve, ku frynte erë dhe toka dukej sikur merrte frymë. Atje fshihej Dodona bashkë me murgun plak Sarafin, njeriun që Papa Nikolla i kishte besuar jetën e saj. Ushtarët hynë me mundim në tunelin e ngushtë. Pishtarët përvëlonin muret.
Hija e tyre dukej si demonë mbi gurë. Serafimi doli përpara me kryqin në dorë. Nuk lutej më.
Nuk kishte mbetur kohë për lutje. Ushtarët e goditën me heshta. Pastaj me shpata. Pastaj vazhduan ta godisnin edhe kur ra. Gjaku i plakut u përzie me ujin që pikonte nga tavani i shpellës.
Dodona ulëriu. Luftoi. Gërvishti fytyrat e tyre. Kafshoi duart që e tërhiqnin. Por ata e lidhën dhe e nxorën jashtë si prenë e një gjuetie të mallkuar. 
Atë natë, pashai shtroi darkë në kala. Mbi sofrat shkëlqenin kupat e arta. Vera derdhej si gjak. Daullet binin fort. Ndërsa poshtë kalasë digjej katundi. Flakët ngjiteshin drejt qiellit si shpirtra që kërkonin hakmarrje. Në mes të sheshit therën dy murgj. Pashai qeshi. Bejlerët pinin.
Qentë lëpinin gjakun mes gurëve. Dhe sipër, në kullën e lartë, Dodona priste. E veshur me të bardha. E zbehtë si hëna. Me flokët që i lëkundeshin nga era e natës.
Kur pashai hyri në dhomë, për një çast mbeti pa frymë. Bukuria e saj nuk dukej më njerëzore. Ishte e frikshme. Si bukuria e vdekjes. Ai zgjati dorën. Por Dodona buzëqeshi lehtë.
Një buzëqeshje e qetë. Thuajse e mëshirshme. Dhe para se duart e tij ta preknin, ajo u kthye, u ngjit mbi bedenat e kalasë dhe u hodh në errësirë.
Pashai ulëriu. Por poshtë nuk u dëgjua asnjë përplasje. Vetëm era. Vetëm liqeni.
Vetëm kambanat e largëta të Shën Naumit që binin ngadalë, sikur po përcillnin një shenjtore. 
Plaku heshti një moment me shikim të ngulur te liqeni dhe më pas vazhdoi:
Aso kohe, nëpër katund, në hanet e errëta, në stane, pranë zjarreve që digjeshin natën vonë, nisi të përhapej një pëshpërimë e frikshme. Njerëzit nuk flisnin me zë të lartë. Vetëm afroheshin pranë njëri-tjetrit dhe pëshpëritnin, sikur druheshin se mos vetë nata i dëgjonte.
Thuhej se pashai ishte tërbuar si bishë e plagosur. Nuk e mundonte vetëm vdekja e Dodonës. As turpi. As humbja. Por fakti se nuk kishte mundur ta zotëronte. Bukuria e vajzës i kishte rrëshqitur nga duart në çastin e fundit, si një dritë që nuk pranon të jetojë në errësirë.
Dhe urrejtja e tij tani ishte bërë edhe më e zezë se epshi. Në kulmin e tërbimit, ai urdhëroi:
‘ Gjeni kufomën! Copëtojeni! Vareni nëpër pemët e rrugës së Shën Naumit, që çdo njeri ta shohë çfarë fundi kanë ata që sfidojnë pashain!
Ushtarët zbritën me pishtarë drejt humnerës poshtë bedenave. Por poshtë… nuk gjetën asgjë. As trup. As gjak. As kocka. Vetëm erën. Vetëm errësirën. Vetëm zhurmën e liqenit që përplasej poshtë shkëmbinjve si një frymëmarrje gjigante. Atëherë nisën hamendjet. Disa betoheshin se vajzën e kishin marrë engjëjt. Të tjerë thoshin se liqeni e kishte fshehur në fundin e tij, aty ku preheshin shenjtorët dhe të mallkuarit. Pleqtë tundnin kokën dhe pëshpëritnin: 
“Dodona, nuk ishte vajzë e zakonshme…”
Dhe pikërisht atë natë, qielli u nxi. Jo si para një shiu. Jo. Sikur mbi botë të ishte hapur një plagë. Retë u përplasën mbi male. Vetëtimat grisnin errësirën. Era ulërinte mes pemëve si një turmë shpirtrash të humbur. Pastaj filloi shiu. I dendur. I egër. Thuajse biblik. Liqeni llokoçiti. Oshtiu. Buçiti me një zë të frikshëm, sikur në thellësi të tij po zgjoheshin të vdekurit. Dhe atëherë ndodhi çudia. Mes furtunës, mes dallgëve që ngriheshin si male të zinj, katundarët dhe ushtarët panë një hije të bardhë mbi ujë. Në fillim kujtuan se ishte mjegull. Por hija ecte. Ngadalë. Pa u fundosur. Mjekra e bardhë i valëvitej nga stuhia. Rrobat e zeza përplaseshin pas trupit. Sytë i ndriçonin me një dritë që nuk dukej njerëzore.
Ishte Papa Nikolla. Shenjti mbante në duar të gjorën Dodonë. Trupi i saj i sakatuar kullonte gjak mbi ujë, por çuditërisht, rreth saj përhapej një bardhësi e lehtë, si dritë hëne nën shi. Askush nuk guxoi të lëvizte. As ushtarët. As katundarët. Ata të nemitur vetëm shikonin. Të ngrirë. Të zbehur. Si njerëz që papritur kanë parë diçka që nuk duhej ta shihnin.
Papa Nikolla nuk foli. Vetëm ecte mbi dallgët e tërbuara, sikur liqeni vetë i hapte rrugë.
Dhe ngadalë, mes shiut dhe vetëtimave, figura e tij nisi të humbiste drejt thellësisë së errët. Derisa mbeti vetëm bardhësia. Pastaj… as ajo, Dodona, e gjora, e mrekullueshmja vajzë që u copëtua në moshën më të bukur të jetës.
Në sytë e fshatarë e dhe ushtarëve mbeti; Vetëm liqeni. Vetëm stuhia. Vetëm kambanat e largëta të Shën Naumit që binin vetë në mes të natës.
 
Kristaq@Turtulli 
ZËRAT E UJIT, Tiranë shtator 2026