SINFONIA E TË PADUKSHMES:
NË ROMË REVOLUCIONI SHPIRTËROR I KANDINSKY-T
Palazzo Bonaparte në Piazza Venezia në Romë mirëpret një retrospektivë të jashtëzakonshme që kremton maestron rus. Mbi 70 kryevepra nga Centre Pompidou tranzitojnë një rrugëtim artistik që është, mbi të gjitha, një dëshmi e gjallë e lirisë së brendshme.
Ekzistojnë revolucione që nuk luftohen me armë, por me ritransformimin e shikimit. Ai i Wassily Kandinsky-t është një metamorfozë e heshtur dhe radikale, e aftë të shkatërrojë rregullat e të dukshmes për t'i dhënë formë abstraktes.
Wassily Kandinsky, i lindur në vitin 1866 dhe i ndarë nga jeta në vitin 1944, është botërisht i njohur si themeluesi i pikturës abstrakte. Figura e tij përmbysi historinë e artit perëndimor, duke zëvendësuar përfaqësimin e realitetit me shprehjen e pastër të emocioneve përmes formave, vijave dhe ngjyrave. Sallat historike të Palazzo Bonaparte janë kujdestaret e këtij arkivi historik kulturor, duke mirëpritur një monografi që nuk është thjesht një kremtim estetik, por një udhëtim i thellë në ndërgjegjen dhe kujtesën e artit modern.
Në zemër të një Rome monumentale, e njohur me konkretësinë e mermerit dhe të historisë së madhe, mbërritja e babait të abstraksionizmit tingëllon si një provokim madhështor: një ftesë për të ndaluar së vështruari botën e jashtme e për të nisur të shohim brenda vetes.
Duke ecur nëpër sallat e ekspozitës, të kuruar me ndjeshmëri nga Dr. Angela Lampe në bashkëpunim me Centre Pompidou, nuk krijohet përshtypja e të ndodhurit përpara një sekuence të thjeshtë pikturash, por përpara një ditari të vërtetë shpirtëror. Rrugëtimi i ndarë në pesë seksione është një udhëtim magjepsës, por magjia e vërtetë qëndron në kuptimin e guximit të këtij njeriu që në moshën tridhjetëvjeçare braktisi një karrierë të sigurt në Drejtësi për të ndjekur një intuitë: idenë se ngjyra mund të jetojë me jetën e saj, e shkëputur nga objektet.
Nga rrënjët e thella në folklorin rus deri te seksioni vendimtar i Bauhaus-it (shkolla në Gjermani ku ai u bë një nga mjeshtrit e saj) e deri tek stacioni i fundit parisien. Në periudhën e Bauhaus-it arti i tij braktisi format fluide dhe organike për të përqafuar një rigorozitet të fortë gjeometrik (rrathë, trekëndësha, vija të drejta). Sot, çdo telajë e ekspozuar përfaqëson një fragment të një identiteti artistik në evolucion të vazhdueshëm, një dialog të ngushtë mes rreptësisë së gjeometrisë dhe lirisë absolute të ngjyrës.
Telaja si akord i shpirtit
Në qendër të ekspozitës bie në sy Gelb-Rot-Blau (Verdhë, kuq, blu) e vitit 1925, një katedrale e vërtetë kromatike që kondenson kërkimin sinergjik të maestros. Për Kandinsky-n ngjyra nuk ka qenë kurrë një element i thjeshtë dekorativ, por një mjet për të prekur kordat më intime të shpirtit, një vibrim i brendshëm i aftë të arrijë te spektatori. Ekspozita rikthen këtë dimension të plotë të artit, duke integroar komponentin muzikor për të lejuar publikun të perceptojë korrespondencën e thellë mes tingullit dhe shenjës.
Kjo retrospektivë ka gjithashtu meritën e kthimit të vlerës së drejtë historike për figura themelore dhe shpesh të lëna në hije, si Gabriele Münter dhe Nina Kandinsky. Roli i tyre nuk ishte vetëm ai i kujdestareve, por i bashkëprotagonisteve të vërteta të një epoke kulturore, dedikimi i të cilave ka mundësuar transmetimin e paprekur deri tek ne të një trashëgimie që sot e ndiejmë më shumë se kurrë të gjallë dhe të nevojshme.
Të vizitosh ekspozitën në Palazzo Bonaparte do të thotë, pra, të zhytesh në një testament kulturor që sfidon kohën. Një mundësi për të rizbuluar, në zemër të Romës, se si arti di të bëhet interpretues i tensioneve të shpirtit njerëzor dhe kujdestar i pavdekshëm i lirisë sonë më të pastër.
Përgatiti për botim Angela Kosta