Recensioni i Dr. Sc Ilir Rodiqi Ligjerues në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit
Libri “Struktura e mendimit - Reflektime mbi arkitekturën dhe ndërtimin” është një ese novatore dhe e guximshme, një risi për komunitetin e inxhinierëve ndërtimorë, por edhe më gjerë. Si një biografi profesionale, libri është një rrëfim ku autori na dëshmon se inxhinieri duhet të integrojë dituri teknike apo udhëheqëse me qëndrimet sociale e kulturore. Në libër shprehen përvojat dhe përshtypjet e punës, duke identifikuar veçoritë kyçe të inxhinierit: korrektësinë ndaj detyrave, përkushtimin ndaj rregullave dhe standardeve për rezultate cilësore, si dhe qëndrimet etike ndaj kërkesave teknike e sociale, së bashku me karakterin e vazhdueshëm për zhvillim profesional. Sot, kur shoqëria injoron vlerat dhe virtytet, kemi nevojë më shumë se kurrë për zëra të tillë. Autori thekson se bashkësitë e inxhinierëve duhet të rrisin vetëdijen profesionale, t’u qasen projekteve me përkushtim dhe të ndërtojnë skuadra bashkëpunuese që sjellin suksese të qëndrueshme. Me një reflektim personal, ky libër i ofron lexuesit mundësinë të shqyrtojë qasjen e vet në karrierë dhe të entuziazmohet nga një personalitet i profilizuar ashtu si duhet.
Parathënja e Redaktores së Librit Loreta Schillock
Vepra „Struktura e mendimit – Reflektime mbi arkitekturën dhe ndërtimin“ e autorit Bardhyl Halitjaha sjell një trajtim të thelluar mbi dimensionet teorike, praktike dhe etike të arkitekturës dhe inxhinierisë së ndërtimit. E veçanta e kësaj vepre qëndron në qasjen ndërdisiplinore, përmes së cilës autori arrin të ndërthurë përvojën e tij profesionale me reflektimin teorik dhe kritik. Arkitektura dhe ndërtimi paraqiten jo thjesht si procese teknike, por si rezultat i një strukture të organizuar të mendimit, ku ndërthuren dija, përvoja, intuita dhe përgjegjësia profesionale. Përmes shembujve konkretë dhe përvojave të nxjerra nga praktika profesionale, autori ndërton një rrëfim autentik që tejkalon trajtimin tradicional akademik dhe ofron një këndvështrim të vlefshëm për sfidat dhe përgjegjësitë e profesionistit në jetën e përditshme. Një tjetër dimension i rëndësishëm i veprës është roli i arkitekturës në ruajtjen dhe shprehjen e identitetit kulturor e historik. Hapësira e ndërtuar nuk shihet vetëm si një realitet fizik, por edhe si pasqyrim i zhvillimit shoqëror, kulturor dhe shpirtëror të një komuniteti. Vepra i kushton rëndësi të veçantë edhe përvojës praktike si faktor kyç në formimin profesional, duke nxitur një raport më të integruar ndërmjet arsimit akademik dhe praktikës profesionale. Në këtë mënyrë, libri u drejtohet jo vetëm profesionistëve të fushës, por edhe studentëve, studiuesve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të kuptojnë më thellë botën e arkitekturës dhe ndërtimit. Në thelb, „Struktura e mendimit“ është një vepër që vendos në dialog teorinë me praktikën, dijen me përvojën dhe profesionin me përgjegjësinë shoqërore. Një libër për ata që besojnë se ndërtimi nuk është vetëm krijimi i hapësirave, por edhe krijimi i vlerave, identitetit dhe kuptimit.
Ju falënderoj për kohën dhe konsideratën tuaj.
Me respekt,
B.Halitjaha