Adelina Pali - Enxhi Rrumbullaku - Duarartë, e palodhur dhe e pamposhtur në rrugëtimin e saj artistik
Nuk ka rëndësi se si nis njohja me disa njerëz; rëndësi ka ajo që zbulon për ta me kalimin e kohës. Sepse vlera e vërtetë e një njeriu nuk qëndron vetëm në atë që bën apo në atë që arrin, por mbi të gjitha te shpirti, forca dhe mënyra se si përballet me sfidat e jetës. Enxhi është një prej atyre njerëzve që të bëjnë t'i vlerësosh edhe më shumë miqësitë e sinqerta.
Njohja ime me Enxhi Rrumbullakun nisi në botën virtuale, përmes Facebook-ut, në një grup të përbashkët pikture, ku ndanim me njëra-tjetrën punimet tona artistike, pasionin për ngjyrat dhe dashurinë për krijimtarinë. Në atë hapësirë ku arti na bashkonte, nisa të njihja edhe talentin e saj, por nuk e dija se kjo njohje do të shndërrohej më vonë në një miqësi që do ta vlerësoja kaq shumë.
Takimi ynë i parë fizik ndodhi gjatë periudhës së pandemisë, në ambientet e TV Klan, në emisionin “E Diela Shqiptare”, në rubrikën “Ka një mesazh për ty”. Ishte një moment i veçantë, sepse ne, vajzat e grupit të pikturës, kishim vendosur t'i përcillnim Enxhit një mesazh mbështetjeje. Ajo po përballej me probleme shëndetësore dhe dëshira jonë ishte t'i jepnim forcë, ta motivonim dhe, mbi të gjitha, t'i tregonim se nuk ishte vetëm. Përmes asaj surprize dëshironim t'i ofronim edhe një ndihmë sado të vogël për të vazhduar pasionin e saj, për të mos e lënë artin të largohej nga jeta e saj.
Ishte një gjest i lindur nga solidariteti, por që la pas diçka shumë më të bukur: një miqësi që vazhdoi edhe pas atij takimi televiziv.
Me kalimin e viteve kam pasur mundësinë ta njoh Enxhin më mirë, jo vetëm si artiste, por edhe si njeri. Ajo është një vajzë e dashur, punëtore, kreative dhe me një shpirt të bukur. Por, nëse do të veçoja një cilësi që e bën të admirueshme në sytë e mi, ajo është forca e saj e brendshme
Pavarësisht vështirësive shëndetësore dhe sfidave me të cilat është përballur, Enxhi nuk e braktisi artin. Përkundrazi, vazhdoi të krijonte, të eksperimentonte dhe të kërkonte mënyra të reja për të shprehur veten. Aty ku rrethanat mund të bëheshin pengesë, ajo gjeti arsye për të vazhduar. Aty ku dikush mund të humbiste besimin, ajo zgjodhi të mbante gjallë ëndrrën e saj.
Sot, kur shoh rrugëtimin e saj dhe larminë e punimeve që realizon, ndiej një krenari të veçantë. Përmes pikturës, qëndisjes dhe krijimeve të ndryshme artizanale, Enxhi ka ndërtuar një botë të sajën, ku çdo punim mbart diçka nga përkushtimi, durimi dhe dashuria që ajo ka për artin. Ajo nuk është thjesht një vajzë që krijon me duar; është një artiste që ka mësuar ta kthejë pasionin në forcë dhe vështirësitë në arsye për të ecur përpara.
Të flasësh për Enxhin do të thotë të flasësh me krenari. Më pëlqen të shoh se si një vajzë që dikur e njihja përmes punimeve të saj në një grup pikture, sot ka krijuar identitetin e vet artistik dhe vazhdon të na surprizojë me ide e realizime të reja.
Jam krenare që e kam njohur, por edhe më shumë që miqësia jonë ka mbetur e gjallë dhe që e kam ende pranë. Në një kohë kur marrëdhëniet shpesh janë të përkohshme dhe njerëzit harrojnë vlerën e sinqeritetit, miqësia me një njeri si Enxhi është një dhuratë më vete.
Enxhi është nga ata njerëz që nuk të bëjnë krenarë vetëm për atë që arrijnë, por edhe për mënyrën se si e arrijnë. Forca, këmbëngulja dhe dashuria e saj për artin e kanë bërë një vajzë duarartë, të palodhur dhe të admirueshme.
Dua t'i them se është kënaqësi ta shoh duke ecur përpara, duke krijuar dhe duke i dhënë jetë çdo ideje që lind në mendjen e saj. Uroj që rrugëtimi i saj të ketë gjithnjë më shumë mundësi, vlerësime dhe dyer të hapura.
Sepse Enxhi meriton të vlerësohet jo vetëm për artin që krijon, por edhe për forcën njerëzore që përcjell.
Krenohem me të, me artin e saj dhe me faktin që jeta më dha mundësinë ta njoh jo vetëm si artiste, por edhe si mike.
Përgatiti për botim Adelina Pali


Moderator 