Rifat Ismaili

Rifat Ismaili
MAGJEPSJA ËSHTË ILUZION
 
Ç' është magjepsja? Ajo është një ndjenjë e vetvetishme brenda nesh, që na pushton trupin si një rrënjë e madhe dhe e pashkulshme dhe nuk dimë që ta shpjegojmë. Ajo hyn brenda nesh vrulltaz, ashtu si një aksident automobilistik në rrugë, apo si një vetëtimë që shkrumbon trungun e një pishe. 
 Kur flitet mbi magjepsjen e dashurisë, në të vertetë këtu nuk kemi të bëjmë me dashurinë e vërtetë, si diçka e pambarimtē e që vdes brenda nesh, por në të kundërtën, si një iluzion i mirëfilltë që nëpër kohë do të ketë kohët e tij dhe nga çasti fillimor do të përmbyllet me çastin tjetër, në të cilin ka për të mbaruar.
 Sipas meje, magjepsja dashurore ështe veçse iluzioni i dashurisë, që përpiqet të shfaqet si lartësim e devotshmëri dhe kur njeriu zhvishet nga kjo magji e personit tjetër, e sheh njeriun për të cilin ka ëndërruar, çmuar apo adhuruar, ashtu siç është ai në të vërtetë, me pikat e tij, me presjet, me pikëçuditjet, me pikëpyetjet, me ligjet e tij. Ne e dimë që ligjet nuk janë reale e të përjetshme ,janë veçse dogma , dhe ne i ngremë ato e në të njëjtën kohë i shembim po vetē çdo ditë të jetës sonë. Sepse, nëse në një datë të caktuar apo vit, një ligj mund të jetë i nevojshëm dhe ngjan më i përshtatshmi, më pas vjen dhe rënia e tij. Kjo do të thotë që te ligji nuk ka plotësisht vërtetësi, përveçse konformitet dhe konveniencë. Magjepsja dhe ligji janë gjëra të pangjashme, por dhe të ngjashëm në pavërtetësinë e tyre.
 Magjepsja ben që një pemë të të ngjajë si pastërti e jetës, por është veç një pemë; dhe një burrë apo grua të ngjan i bukur dhe i jashtzakonshëm, por janë veç një burrë apo grua.
 Për shembull, ligji bazohet në themelet e një aryetimi, por diku jam shprehur që për të shkuar tek e Vërteta, zbulohen shumë lloj arsyetimesh. Nuk duhet besuar verbërisht; ne jemi të bërë nga i njejti brumë , një jetë e dyfishtë dhe mendim i dyfishtë, nganjëherë të del përpara njëra e më pas tjetra...
Sikundër nuk mund ti besohet atij njeriut plotësisht të urtë e të mençur, të qëruar nga shpirti, ose njeriut negativ, krejt të keq. Nē vrapin e jetës shpesh kalohet sa nga njëra tek tjetra gjendje, ndoshta nganjëherë edhe pa e kuptuar se si,  pastaj vetëm nga forca e brendshme që dikush shtyhet drejt së mirës, dhe përpiqet të përballojë vështirësitë. Sikundër veç nga dobësia morale, një tjetër kapërcen më shpejt tek e lehta , tek gjërat shkatërrimtare. Duhet vetëm një çast për të rrëzuar një shtëpi apo pemë, por janë dashur vite për të nikoqirosur dhe për të ndërtuar shtëpinë apo për tu rritur pema.
Duhet vetëm një çast për të vrarë një njeri, kur është dashur kohë e gjatë dhe mjaft vuajtje për ta rritur dhe futur në shoqëri. Dobësia merr gjithnjë anën e lehtë të gjërave, ose atë rrënuese; këto janë ligjet e saj. Ndërsa forca e brendshme merr përsipër vështirësitë, duke shkuar gjer në fund për përmirësimin e gjërave; në këtë rast vuajtja kthehet në gëzim dhe durimi bëhet mirëqenie. Por shkatërrohet njëkohësisht edhe iluzioni, çdo lloj iluzioni që të jetë. 
 Pra, magjepsja nuk është vetëm në dashuri, por në të gjitha fushat e jetës. Magjepsja është një lloj mbingarkese e ndjenjave. Ndaj nuk duhet ta marrim asnjëherë atë që lind si tërheqje trupore për dashuri. Joshja ështē vetëm një lloj hutimi dhe kur kjo gjë mbaron, me këtë mbaron edhe sekreti i buzëve të kuqe, syve mashtrues ,dhe zbulojmë përpara vetes personin ashtu siç është. Dashuria e vërtetë, përveç joshjes së trupit, duhet me doemos të bazohet edhe mbi mirëkuptimin, besimin, rëndësinë e heshtur të këtyre dy gjërave.
 Ne jemi gjithnjë në një kërkim të pafat të dlirësisë dhe qashtësisë në të gjitha gjërat që na rrethojnë. Të qëllon të endesh nganjëherë rrugëve me një mall të pafund për të gjetur të Bukurën dhe për tu mbështjellë prej saj. E kërkon atë tek perëndimi i diellit që mbytet në det, tek ato vajzat e sapoformuara, te pemët e plota dhe nëpër ëndrrat e mëngjesit. Por shpeshhere dielli dhe deti ndyhen nga plagët, retë, pluhurat, vajzat kanë sy të ftohtë, gati pa shprehje; mëngjeset a nuk janë lajmëtaret e dyndjes së hapave njerëzorë që sjellin përçmimin, urrejtjen, luftën?
 Por edhe atëherë kur nis të rrëmosh për të gjetur diçka nga virgjëria dhe dlirësia në veten tënde, të kujtohen menjëherë disa nga mendimet e tua dhe ëndrrat; a nuk ishin ato veç për pasuri dhe pushtet? 
 Pra, ngjan se dlirësia, e qashtra apo e virgjëra, i përkasin veç iluzionit, ashtu sikurse edhe iluzionit për gruan dhe burrin, për jetën ideale, për jetën mbas vdekjes. Por ngushëllohesh po të mendosh se kjo botë dikur edhe mund të ketë pasur virgjëri dhe bukuri të vërtetë, dhe iluzioni ndoshta nuk njihej fare. Dhe duke shpresuar në këtë gjë, dhe për hir të saj, vazhdohet edhe jeta. Kur biem pre të iluzioneve ,rrugëzgjidhja më e mirë për të gjithë është dyshimi. Por dyshimi për veten, bile këtu duhet të fillosh më parë. "A mundem tu besoj ndjenjave të mia plotësisht? A mundem tu besoj gjërave ashtu si më shfaqen? A mund të besoj se ka jetë pas vdekjes dhe nëse po, është ajo ashtu sikurse thonë? A mund ti besoj ndershmërisë dhe përkushtimit të një gruaje, veçse ajo përpara syve të mi ngjan si gruaja më e bukur që kam parë? A mund të mendoj se fëmijët , vetëm e vetëm pse janë të vegjël, janë krejt të pafajshēm dhe të pastër si uji i burimit të paprekur? A mund të besoj se unë vërtet dua një grua apo një grupim njerëzish, një parti apo një popull?"
 Ja,qindra e mijëra pyetje serioze që të dalin përpara dhe që asnjëherë s' mund ti zgjidhësh plotësisht, mes të vërtetës dhe iluzioneve në të cilët ke rënë si në çark dhe s' mund të shqitesh dot. 
 Por duke menduar të gjitha këto dhe duke dalë prej iluzioneve krejt i pacënuar, prapëseprapë, nuk duhet të besosh se mund të ndryshosh gjërat. Sepse përsëri kishe për të humbur në perandorinë e iluzionit, dhe këtë herë akoma më frikshëm. Rëndësi ka që ti të jesh i qartë dhe të mos jesh i paditur. Tani di që njerëzimi kështu ka për të ecur , siç ka ecur gjithnjë. Dhe ti bashkë me të.
 Kur flasim për Adamin dhe Evën, më pas për të tretin dhe të tjerët që erdhën pas tij, dalim në përfundimin që prej kohëve të lashta e gjithë kjo gjë solli si pasojë ndryshimin e pafajësisë dhe dlirësisë dhe kështu lindi dhe u zhvillua imagjinata për të përmbushur atë që lindte si dëshirë, që lindte edhe si iluzion. Por ajo që është dëshirë apo iluzion për njërin, nuk është për atë tjetrin, ndaj lindi konflikti. Kundërshtia lindi dhe zhvilloi luftën. Ndërsa lufta në vetvete ishte si një mjet për të përligjur fuqinë dhe sundimin. 
 Pra, kjo është pika ku ndodhet ende sot bota. Po a mund të ishte shmangur e gjitha kjo? Më duket një pyetje që s' mund ti japësh përgjigje. Por, përsëpaku, na lejohet të hamendësojmë. Për shembull: sikur njeriu që kur u krijua nga perëndia , të mos kishte aftësinë për të gjykuar, por të rronte thjesht si qenie organike ; ose të mos kishte të zhvilluar instiktin e synimit për vetpasje, të krijimit, etj.., pra të mos kishte këto e të tjera si këto. Vërtet, po të mos i kishte patur këto, çdo të kishte në të vërtetë njeriu? Çdo të ishte bërë me njeriun? Çdo të kishte bërë ai me veten? Pra, shtyrja për të jetuar ka së brendshmi synimin, konfliktin. Vetë jeta a do të ekzistonte si e tillë pa të gjitha këto? Pa iluzionin a do të ishte shpikur ndonjë gjë prej gjëje? Pa iluzionet e ferrit dhe parajsës , a do të kishim njohur vallë Danten? A do të ishin ngritur piramidat e faraonëve pa iluzionin? A do të shpikej marrëzia e Romeos e Zhulietës, pa një iluzion të tillë dashurie?
 Iluzioni është i dëmshëm në shumë prej rasteve, por nganjëherë e çon jetën përpara. Ndaj ,ne nuk mund të shqitemi aq lehtë prej tij, jo më ta zhdukim përfundimisht atë. Sepse, edhe pse shpesh kemi mbetur të zhgënjyer, për aq kohë që jetuam në magjepsjen e iluzionit, e kishim shpirtin të flakëruar e plot gjallëri.