Ylli Pollogati - poezi

Ylli Pollogati - poezi
VAJZË DETI

Nga deti doli me flokët e njomura,
mbi mua i shkundi;
si dallgë mbi shpirt
i ndjeva.

Ecja,
e dallga nga pas më ndiqte,
thua se shpirtit tim
diçka po i linte...

La piklat e ujit
si pjesë të ndjenjës së saj,
që, pa u ndier,
nisën ngacmime të sillnin.

Ditët iknin,
dhe sytë nisën të kapnin shikime,
ashtu, pa zë...
Ajo dritë e mjegullt
nisi të fliste.

Një vajzë ruse
apo ukrainase,
s’e di ti ç’ishe;
vajzë deti të quajta.

E bukur në kurmë,
e thellë në shikime;
vetë dielli
në gjirin tënd kishte qëndruar,
si një pikë zjarri
që s’di të shuhet.

Hej, moj vajzë,
ç’turbullirë më solle
me ato ngacmime buzë detit.

Nuk gënjej po të them:
diçka të bukur,
nga vetja tek unë,
Ti le.

O, sa doja të dija
nëse edhe ajo e ndjeu
atë që unë,
me sy,
i fola.

Sepse kishte diçka
që nuk e thamë,
por e lamë
mes nesh...

Dhe çdo xhelozi
do të doja ta prishja,
çdo hije që do të mundohej
ta zbehte bukurinë e kësaj ndjenje
që, mes nesh,
pa zë,
kishte lindur.