Rajmonda Maleçka - Dibran Fylli - Në universin e pushkës, penës dhe artit (-III-)

Rajmonda Maleçka - Dibran Fylli - Në universin e pushkës, penës dhe artit (-III-)

Nga libri i autores Rajmonda Maleçka “Portrete Letrarësh e Artistësh”

 

DIBRAN FYLLI - Në universin e pushkës, penës dhe artit.

Portret letrar-kritik mbi jetën, krijimtarinë dhe dëshminë historike

 

PJESA E TRETË

 

Formimi akademik në regji e ka orientuar Fyllin edhe drejt kinematografisë. Ai është autor i filmave artistikë, dokumentarëve dhe projekteve televizive, si dhe ka interpretuar role në produksione të ndryshme. Në filmografinë e tij përmenden „Rrënjët“, „Deri kur…?“, „Kalanica e Kadiut“, „Qyteti i zi“ dhe “Invalidi”, krahas dokumentarëve që trajtojnë luftën, dëshmorët, organizimin e jetës në kushte lufte dhe figura të rëndësishme të historisë shqiptare. Në veprimtarinë e tij përfshihen edhe projekte televizive e seriale, ndër të cilat përmendet „Rri n'shpi“.

 

Në këtë fushë, dokumentari zë një vend të veçantë. Ai kërkon jo vetëm aftësi teknike dhe gjuhë filmike, por edhe përgjegjësi ndaj materialit historik. Përzgjedhja e dëshmive, ruajtja e kontekstit, identifikimi i personave dhe ngjarjeve janë elemente që përcaktojnë vlerën e një dokumentari si burim për të ardhmen. Përvoja e Fyllit si pjesëmarrës në luftë dhe formimi i tij si regjisor krijojnë një pikë takimi ndërmjet dëshmitarit dhe krijuesit.

Dokumentarët e tij trajtojnë një gamë të gjerë temash: organizimin e shëndetësisë gjatë luftës, figurat e dëshmorëve, betejat dhe njësitet e UÇK-së, historinë e Koshare­s, jetën e pasluftës dhe trashëgiminë kulturore. Ndër titujt e përmendur në materialet biografike janë „Organizimi i shëndetësisë gjatë luftës“, dokumentari për Skënder Çekun, „Lindja dhe rritja e Batalionit të 40-të të Shëndetësisë të TMK-së“, „Thyerja e kufirit, ideal i bashkimit kombëtar“, „Vepër, jo fjalë“, dokumentarët kushtuar dëshmorëve dhe figurave të ndryshme të historisë shqiptare, si dhe cikli „Luftë për jetën“. Këto realizime tregojnë një interesim të vazhdueshëm për dokumentimin e njerëzve dhe ngjarjeve që përbëjnë pjesë të historisë së Kosovës.

 

Një aspekt që meriton vëmendje të veçantë në vlerësimin e veprimtarisë së Dibran Fyllit është marrëdhënia e tij me kujtesën historike. Në një shoqëri që ka kaluar përmes luftërash, represioni dhe sakrificash të mëdha, kujtesa nuk është vetëm një proçes i natyrshëm i mbajtjes mend të së kaluarës. Ajo është një përgjegjësi kulturore dhe morale. Ruajtja e emrave, e ngjarjeve, e dëshmive dhe e historive njerëzore bëhet një mënyrë për të mbrojtur të vërtetën nga harresa dhe për t'ua përcjellë brezave të ardhshëm përvojën e një kohe që nuk duhet të mbetet vetëm në kujtimet individuale.

Në këtë kuptim, dokumentarët, fotografitë, kronikat dhe botimet e Fyllit kanë një funksion që shkon përtej veprimtarisë së zakonshme krijuese. Ato përbëjnë një përpjekje për të mbledhur dhe sistemuar materiale që lidhen me luftën, me njerëzit që morën pjesë në të dhe me pasojat që ajo la në jetën e Kosovës. Materialet filmike dhe fotografike të realizuara në terren, sipas të dhënave të publikuara për veprimtarinë e tij, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kësaj përpjekjeje dokumentuese.

Vlera e një arkivi të tillë nuk qëndron vetëm në sasinë e materialeve, por sidomos në mundësinë që ai u jep studiuesve të ardhshëm për të hulumtuar ngjarje, vende dhe dëshmi. Një fotografi mund të ruajë një çast që nuk përsëritet; një filmim mund të mbajë gjallë zërin dhe pamjen e një dëshmitari; një shkrim mund të fiksojë një ngjarje në kontekstin e saj historik. Kur këto materiale ruhen, identifikohen dhe sistemohen me kujdes, ato fitojnë vlerë të veçantë për historinë dhe kulturën.

Në këtë pikë, veprimtaria e Fyllit duhet parë edhe në raport me detyrimin për saktësi. Kujtesa historike kërkon dokumente, krahasim burimesh dhe dallim ndërmjet dëshmisë personale, interpretimit dhe faktit të vërtetuar. Kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e dëshmitarit; përkundrazi, e bën dëshminë më të qëndrueshme dhe më të dobishme për kërkimin shkencor. Pikërisht për këtë arsye, arkivi i tij filmik dhe fotografik meriton të ruhet, të katalogohet dhe të bëhet i hapur për shqyrtim dhe referim nga studiuesit, historianët dhe institucionet që merren me dokumentimin e luftës në Kosovë.

Edhe publiçistika e Dibran Fyllit lidhet me këtë përgjegjësi. Në shkrimet e tij për historinë e luftës, për figurat e rezistencës dhe për zhvillimet e pasluftës, ai shfaqet si autor që kërkon të ndërhyjë në debatin publik dhe të rikthejë në vëmendje çështje që, sipas këndvështrimit të tij, nuk kanë marrë trajtimin e duhur. Kjo veprimtari dëshmon se për të fjala e shkruar nuk është vetëm mjet shprehjeje, por edhe mënyrë për të marrë pjesë në jetën shoqërore.

Në të njëjtën kohë, krijimtaria e tij letrare duhet lexuar në një hapësirë më të gjerë se ajo e kujtesës së luftës. Në veprat e tij gjejmë përpjekjen për të trajtuar historinë e familjeve, të figurave kombëtare, të vendlindjes dhe të shoqërisë shqiptare. Kjo shumësi temash tregon një autor që kërkon të ndërtojë një lidhje ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes. Historia, në këtë rast, nuk paraqitet si një periudhë e mbyllur, por si një përvojë që vazhdon të ndikojë në ndërgjegjen e individit dhe në jetën kolektive.

Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar edhe mënyrës se si përvoja personale shndërrohet në material krijues. Kur autori shkruan për luftën, për dëshmorët apo për vendet e sakrificës, ai nuk trajton tema të largëta prej vetes. Ai i afrohet një bote që e ka njohur përmes përjetimit. Kjo afërsi mund t'i japë shkrimit intensitet emocional dhe autenticitet dëshmie. Por, njëkohësisht, e vendos autorin përpara sfidës së përpunimit artistik: përvoja duhet të marrë formë letrare, ndërsa emocioni duhet të shndërrohet në gjuhë, strukturë dhe mendim. Këtu qëndron një nga çështjet më interesante për t'u shqyrtuar në studimin e veprës së tij.