Ibush Reçica - 4. MËSHIRA DHE FALJA

Ibush Reçica - 4. MËSHIRA DHE FALJA
4. MËSHIRA DHE FALJA
 
Të falësh do të thotë të lirosh dikë nga gabimet që ka bërë ndaj teje e që ndjehesh i lënduar atëherë kur: na ofendon, na prek në nder, na etiketon, bën shpifje, të prish qetësinë, të lëndon fizikisht, na përdhunon ose vranë të afërmit që janë nën përkujdesjen tonë, të nënçmon publikisht, nuk ta mbanë premtimin, nuk të kthen borxhin në kohë, nuk plotëson detyrimin, të merr sendin tënd pa të pyetur etj. Këto veprime të dikujt, ngjallin te ne urrejtje, dëshirë për hakmarrje, shpagim etj. Para se të falim është me rëndësi të dimë: kush të ka lënduar (familjari, i huaji, armiku), a ka qenë lëndimi pa qëllim ose me paramendim dhe sa është vlera e dëmit? Nuk do të ndalemi te përcaktimi i sjelljeve, faljes dhe mëshirimit të çdo rasti nga ato që u përmenden edhe të tjera veç e veç, për hir të kufizimit kryesisht do të përqendrohemi në falje në kuptimin e gjerë të fjalës, gjegjësisht në parimet se çka duhet falë dhe pse? Do të konceptojmë dhe analizojmë me forcën e arsyes dhe gjykimit të shëndosh, parimet e përgjithshme, duke përjashtuar ndonjë rast specifik, çka të mëshirojmë nga aspekti faljes. Kur ne falim në formë dhurate një send apo para, është një vepër e mirë, sepse kjo e bën të kënaqur tjetrin. Kjo dhuratë ka një vlerë për të cilën është derdh djersë e mund, dhe nuk bën assesi të nënvlerësohet, por të çmohet. Kur falim të gabuarin, duke e shkarkuar atë nga stresi, vetëndëshkimi, frika se mos po i hakmerremi etj. është një kënaqësi e llojit tjetër, sepse mbi kënaqësinë qëndron qetësia shpirtërore që e ndien i faluri. Falësi largohet nga preokupimi gjegjësisht barra që është mbi supat e tij, duke menduar në hakmarrje me ndjenjën e urrejtjes në mendjen e tij, që e brenë ndërgjegjen dhe e humb qetësinë. Me rastin e faljes kemi dobi të dyfishtë sepse kemi mëshiruar tjetrin, por në të njëjtën kohë kemi kursyer vetveten. Paragjykimi dhe vetëbindja se nëse nuk merr hak, do të quhesh si i dobët apo frikacak, nuk duhet të jetë si kriter për hakmarrje. Nga mëshira falëse dhe falja nuk ka poshtërim, por madhërim sepse sjell paqe në mes dy njerëzve, familjeve, grupeve, kombeve e më gjerë . Në parim të gjitha lëndimet, pësimet e lehta që lindin nga verbalizmi si fjalosja, etiketimet e pakuptimta, prishje qetësie pa dashje e të ngjashme, janë për falje thuaja të menjëhershme, po që edhe nëse shfaqet far mllefi, largohet shpejtë. Ngjashëm duhet të falën edhe gabimet e paqëllimta, e që nuk kanë pasoja të larta. Kur i gabuari pendohet aty për aty, pa lodh kokën me forcën e mëshirës, të gjitha lëndimet duhet të falen aty për aty. Përjashtim bëjnë lëndimet me pasoja të rënda ku pendimi dhe kërkim falja nuk mund t’i mbulojnë, edhe pse lehtësojnë përpjekjet e dy palëve që të përpiqen, përmes bashkëbisedimit të arrijnë një marrëveshje për pajtim duke gjetur mirëkuptim. Në të gjitha lëndimet të çdo lloji, kur i gabuari bënë përsëritje, edhe pas vërejtjeve paraprake, këto dy palë duhet të ulen në bisedime që të bindet i gabuari dhe të jap premtimin të mospërsëritjes së gabimeve. Ky premtim duhet të mbahet nga ana e të gabuarit, në të kundërtën gjërat komplikohen dhe mund të pasojnë konfliktet e mundshme. Mos mbajtja e premtimit mund të bëhet vetëm nga të këqijtë dhe njerëz pa moral e dinjitet, që te falja shpesh prishë punë. Një ndër mëkatet më të mëdha është mos mbajtja e premtimit, nëse pas faljes lind pendimi pas së cilit pason ndëshkimi i të gabuarit. Këto lloj karakteresh njerëzore janë prej më të ligjve. Keqpërdorimi i mëshirës është vepër e ligë dhe e shëmtuar. Veprat e rënda lënduese, si nëpërkëmbja e nderit, lëndimet e larta trupore të natyrës së gjymtimit, vrasjeve, abuzimeve të atyre që i kemi në përkujdesje, dëmtimet me vlera të larta të pronës e ngjashëm, nxisin emocione të larta. Forca emocionale mund mendjen e arsyeshme (rrënon gjykimin, logjikën dhe të menduarit shumë dimenzional), duke e turbulluar atë. Puna e parë që duhet bërë është siç thotë populli: “numëroni gjer në dhjetë”, unë po them numëro prapë gjer në dhjetë dhe atë disa herë, derisa vërejmë se kemi mbërri në një gjendje kur truri të qetësohet në tërësi dhe pastaj me mendje të qetë të fillojmë të mendojmë si të zgjedhim problemin. Nëse mendon se mund të zgjidhësh vet, bëje, por e preferuar është që të konsultoheni dhe të kërkoni ndihmën e të tjerëve, me qëllim që të arrihet gjer te pajtimi. Nëse këtë nuk mund të bëjmë në këtë rrugë, atëherë t’u lihet në dorë institucioneve gjegjëse, që merren me gjykim të rasteve të rënda në kuadër të institucioneve shtetërore. Por prapë po e përsëris edhe një herë se ai që falë, nuk poshtërohet kurrë. I mëshirshmi dhe i dituri nuk mund të bëhen kurrë egoist, duke shikuar vetëm nga vetja e vet, pa përfill gjendjen e palës tjetër. Vetëm të pamëshirshmit i mungon vullneti për t’i ndihmuar dhe kuptuar hallet e tjetrit dhe nuk mundohet të gjejë arsye për të falë. Është pamëshirësi të lësh në pritje të shqiptimit të vendimit, për të fal apo ndëshkuar të gabuarin, në fakt pritja është një ndëshkim dhelpnak e tinëzar.
 
Disa mendime rreth temës së mëshirës
- Të mos besojmë në mëshirën e hipokritit, se do të kesh thikën në shpinë!
- Ose fal, ose lufto, neutraliteti është ferr!
- Kur të falesh mikun, ktheje miqësinë në vendin e vet!
- Trimi fal, i ligu të len varur edhe ty edhe veten!
- Vetëm armiku është i pa mëshirë, s’keni çka të lodhni kokën për mëshirim, përveç nëse je i lig! - Më lehtë do të falni, nëse e kuptoni se të keqen që e keni vuajtur nuk mund të zhbëni, dhe çdo hap i ardhshëm mund të sjellë vetëm vuajtje të reja!
- I mëshirshmi e falë të paditurin, ai nuk hy në një thes me budallain, por e ka për detyrë të vetëdisojë atë për aq sa janë mundësitë!
- I mëshirshmi reagon në mbrojtjen e tjetrit nga lëndimet e arrogantit!
- Fal, duro e mëshiro, por ruaju të mos pëlcet barku!
- “Njeriu që nuk ka vuajtur, nuk di të falë”. Tomazen
- “Zoti nuk mëshiron atë që nuk mëshiron njerëzit!”. Orjentale