BEDRI TAHIRI-KOORDINATOR I LUFTËS DHE I MEDIAVE
Me Bedri Tahirin jemi njohur qysh herët, mbase atëherë kur ai po i mbaronte studimet e unë po i filloja studimet. Mirëpo, e vërteta është se nuk kishim pasur kontakte të drejtpërdrejta, e njihnim njeri- tjetrin, ngase udhëtonim në të njëjtin relacion, vendbanimet tona ishin në të njëjtin krahë, Bedriu vazhdonte për Galicë, unë ndaloja në Brusnik. Por. nuk kemi pasur ndonjë komunikim.
Njohja e parë me Bedriun erdhi kur fillova punën në shkollën mesme të Vushtrrisë. Bediru e gjeta aty. Pastaj njohja jonë u bë aq e fuqishme, sikur të ishim njohur që nga fëmijëria. Kjo vinte ngase na lidhnin probleme të njëjta.
E para, ishte mentaliteti ynë i përbashkët, të gjithë të njohurit tanë i kishim të përbashkët: miqtë, shokët, bashkëveprimtarët, rrethin, pastaj puna e përditshme në të njëjtën shkollë që atëherë quhej “Muharrem Bekteshi”, i njëjti profesion, të dy ishim albanologë.
Mirëpo, para se gjithash, ne na lidhte kauza e përbashkët kombëtare. Ne, përveç punës së pedagogut në shkollë, na binte edhe një barrë tjetre. Ishim të lidhur me njerëz, me struktura, me të cilët mendonim që ta vendosnim nga një tullë për tu liruar përgjithmonë nga ajo robëri e madhe që na kishte pushtuar në Kosovë, siç ishte regjimi okupator serb, sidomos dhuna që po ushtronte regjimi serb mbi popullatën shqiptare të asaj kohe.
Këto ishin rrugët tona të përbashkëta. Krahas punës sonë kryesore, mësimdhënies në shkollë dhe obligimeve tjera shoqërore e familjare, bënim edhe punë e veprime të ndryshme kombëtare, me qëllim që sa më shpejt të vinim deri liria që erdhi. Ne ishim idealistë e si idealistë nuk e kemi shikuar fundin si do të vije, kemi menduar veç si të arrijmë te liria, pa e llogaritur çmimin. Dorën në zemër, ne e kemi menduar pak më ndryshe, e ndryshe na doli, por ç’t’i besh. Idealistët mund ta projektojnë shtetin e Platonit, por e gjithë ajo mbetet një utopi.
Bedriu kah fundi i viteve të ’80-ta e kishte projektuar shkrimin e një vepre për heroin Azem Galica. Ç ‘është e vërteta askujt nuk i takonte më shumë se Bedriut të merrej me hartimin e një vepre të tillë historiografie e fejtonistike për Azem e Shotë Galicën, ngase Bedriu vinte nga ky vend i trimërisë Unë edhe përpara kisha lexuar për këta dy heronj, një libër nga Ajet Haxhiu, disa shkrime të profesor Ahmet Malokut etj.
Mirëpo, ta shikosh nga vendi ku ata janë rritur dhe kanë vepruar, ta shikosh nga ai kënd, duke jetuar natë e ditë aty, është një tjetër profilizim i kauzës së Azem e Shotë Galicës. Prandaj, Bedriu me sukses e përfundoi veprën për këta dy heronj që ishte një zhanër ndoshta i veçantë i fejtonistikës, duke i dhënë frymë artistike e duke e veshur me petkun letrar. Kjo ishte e veçanta e këtij libri që e dallonte nga shkrimet e tjera të më parme. Paskëtaj Bedriu nuk u ndal së shkruari për heronjtë dhe trimat që i dhanë frymë lirisë dhe përherë pati suksese, duke kulmuar me Adem Jasharin. Kjo ishte një frymë ere në letërsinë tonë e pasqyrimit të figurave tona kombëtare
Bedriu ka qenë i veçantë gjatë gjithë shoqërimit tonë. Në vitet e 90-ta situata po keqësohej përherë e më shumë. Ne të gjithë merreshim me organizimin e mësimit nëpër shtëpi shkolla për ta mbajtur gjallë arsimin shqip.
Mirëpo, në vitin 1998, gjendja u keqësua edhe më shumë. Përpjekja e Serbisë për të na mbajtur nën sundim dhe përpjekjet tona për çlirim, kishte arritur në shkallën më të lartë të acarimit.
Në këtë kohë Bedriu ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Shtëpia e tij qe kthyer në një vatër ku lëviznin dhe e vizitonin gjithandej. Me një fjalë, ishte bërë një lloj busulle nga mund të orientoheshin njerëzit në fillimet e luftës sonë çlirimtare, në fillim të vitit 1998. Aty, jo vetëm që shkonim ne, sepse dikur u bëmë një me të, na ndante vetëm gjumi, por shtëpia e tij ishte kthyer në një vatër ku strehoheshin të gjithë ata që ishin të përndjekur, të gjithë ata që merrnin rrugën për tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Bedriu mbante njerëz që kërkoheshin nga pushteti serb si Berat Luzhën e të tjerë dhe të gjithë ata që donin të regjistroheshin në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kalonin përmes shtëpisë se Bedri Tahirit.
Bedriu ishte edhe një koordinator i mediave të shkruara dhe elektronike, sepse askush nuk mund të vizonte fshatra tjera për pa e njohur terrenin, prandaj orientimi i parë ku duhej bazuar për të vazhduar më tutje, për të vizituar vatrat e luftës, ishte shtëpia e Bedriut, ishte vetë Bedriu, i cili, i priste, i orientonte, i përcillte dhe i shoqëronte nëpër fshatrat e Drenicës, ku zhvilloheshin luftime.
Pra, kontributi i Bedri Tahirit ka qenë shumë i madh edhe në këto dimensione, pra përtej dimensionit arsimor e letrar. Ai me kohë e kishte kuptuar se, krahas penës duhej edhe pushka për të arritur te liria. Dhe, mu për këtë ai u shndërrua në bazë të fuqishme dhe frymëzues për të gjithë ata që kërkonin të gjenin rrugët e lirisë.
Edhe pas luftës, ne vazhduam punon tonë në rrethana të reja, në liri. Por, gjatë bisedës me Bediun, shpesh e pranojmë se nuk është ajo liri që e kishim ëndërruar si idealistë. Megjithatë, kjo liri, edhe pse e brishtë, e ka vlerën e vet të pakrahasueshme. Tash njerëzit janë të lirë të mendojnë, janë të lirë të shkruajnë, janë të lirë të veprojnë, të shkollohen e të punojnë. Kjo lirë e ka vlerën e vet të madhe, sepse rrënjët i ka në gjakun e dëshmorëve.
Bedriu tash po pensionohet dhe prania e tij fizike në shkollë do të mungojë shumë. Mirëpo, atë do ta gjejmë kudo, aty ku na duhet, në vepra, në shtëpi, në shoqëri. Natyrisht, do të ndjejmë një nostalgji, por jemi krenarë që me sukses dhe përkushtim, përmbylli një kapitull të jetës mbi dyzetvjeçare. E përmbylli si një pedagog i mirë e i dashur për të gjithë, si një shok e koleg shembullor dhe tash më po hy në fazën kur njeriu duhet t’i kthehet vetvetes.
Bedriut i dëshirojmë pensionim të suksesshëm, jetë të gjatë e të lumtur.
Jam i bindur se ai do të jetë gjithmonë i lidhur me ne dhe ne do të kemi gjithmonë nevojë për Bedriun!