RUDINA PAPAJANI
Rudina Papajani ka lindur në Vlorë më 10 qershor 1970. Është diplomuar në fakultetin e shëndetit publik dhe më pas ka ndjekur studimet master shkencor në degën Patologji e përgjithshme.
Pasioni për botën letrare e ka ndjekur që në vitet e vegjëlisë. Ka shkruajtur dy vëllime poetike: "Algat e shpirtit" dhe "Violinat e shiut".
Në krijimtarinë e saj trajton vargje për botën e femrës, gravitetin social e familjar, udhë që e ka ndjekur përmbi 30 vjet.
Ajo ka shkruar në media të ndryshme si në prozë ashtu dhe në poezi.
Trajton dhe tema të ndryshme të karakterit psikologjik dhe filozofik që botohen vazhdimisht në media të ndryshme.
U shpall këtë fundviti nga gazeta Intervista si "Personazh i vitit".
Ka interpretuar në shumë evenimente dhe aktivitete të fjalës artistike.
Rudina Papajani njihet sot si poetja që shkruan jo vetëm poezi por dhe prozë, si dhe interpretuese vlonjate.
Së fundmi krijimet e saj janë botuar dhe në mediat e huaja si në: "Albanezul "Bukuresht, në median Italiane "Alessandria Today, "Zëri i Salaminës" në gazetën Greke, si dhe në revistën artistike-kulturore Greke.
Është pjesë e konkursit të njohur në Itali "Premio Letterario Centro Giovani" poezia Triuggio me poezinë e saj pjesëmarrëse.
FLETËT E NJË GRUAJE
Fletët e një gruaje,
të verdha, të kuqe,
përpëlitëse,
vrapim rrugësh,
zjarr - puthje në tokën prush.
Fletët e një gruaje,
të lira,
vërshim dëshirash,
veçse kurorë në gërmëzim horizonti.
Je emëruar idhull,
dallgë me thika të lëmueshme,
lulëkuqe e kreshpëruar,
kupë e pirë,
por e pazbrazur,
këmbanë në dridhje trupi,
forcë zemre,
nerva dhe vena përtej lodhjes.
Ngelesh dora më e butë,
supi më i ngrohtë,
gjiri më epndjellës...
PARASHIKOHET RRËZIMI I STINËVE
Ku ta gjej
çlirimin për vete,
për të tjerët.
Toka është lëruar nga parmenda,
nën shiun e pelerinës së shenjtë.
Ku ta hedh djersën e ballit,
është përzier parfum e lodhje bashkë,
ku ta ndez jetën,
te muri i arsyes,
apo te gjymtyrët e prekur,
nga vite
shpenzuar me hall.
Janë shkurtuar ditët,
ujërat po rriten deri në përrua,
shihen gjurmë të fshehura dashurie,
zogjtë mësuan rrugën
ku të shuanin etjen,
nga një e papritur lumturia,
mësoi se vinte nga elegjitë,
nga dhimbjet,
nga enigmat me kohë shkurtuese.
Po rritet cikloni,
po shihet ylberi,
po afrohen flakët e prekjes.
parashikohet rrëzimi i stinëve.
DITËT TONA
Ditët tona të ardhura mirë nga brumi,
të buta me gishta që rrathë bëjnë
në magjen e nënës.
Ditët tona të ashpra,
ku copra thëngjill të ndezur,
djegin trupin dhe gishtat e akullt.
Ditët tona brengë me rrëqethje trupi,
me miza të padukshme
që shpojnë deri në nyje e kocka.
Ditët tona të tymosura,
në zverdhje e plakje në fytyrë,
me mushkëri blozë e vena të bllokuara,
që luten deri në agim për gjakun e pastër.
Eh ditët tona pak gëzim,
ëndrra të mbyllura me portën gjysmë të hapur,
që i luten Zotit për pranverën e vonuar.
Ditët tona magji,
kur zemra ndizet flakë,
për njeriun e ëndrrave,
si ajo pika e vesës që lag padashur,
lulen e agimit tharë nga dimri i sivjetshëm..
Eh, ditët... luftë e fitore
në pikëza mjalti të lodhura...
Redaktoi Angela Kosta