Ragip Gjoshi - POEZI
E SHKRUAR TË DIELËN –Në PRITJE TË SË HËNËS
1.
E nisa një këngë dëshpërimi
Si homazh për veprën e Rilindasëve
Për hater të nipit Agut e mbesës Eartë
Kosova ime, as në gjumë, as e zgjuar
(Di)kush ëndrrat t'i trazojnë frikshëm
Në pesë copa ta ndajnë zemrën
Mos fle Kosova ime dhimbjet mbaj zgjuar
Se Nata e shekullit të gjatë po të vërdallet
Është ftohur e po kollitet shkolla shqipe
Ia dogjën mushkëritë me zjarrin e kryeniçësisë
Mësuesi, prindi, nxënësi ushqejnë shpresën
Dridhen në shtigjet e shpresës për çelësin e shkollës
Një zë i thekshëm fëmijëve të Kosovës më trandi
U nisa drejt shkollës herë si nxënës e herë si mësues
Me Petro Nini Laurasin në mëndje
Dhe me Naim Frashërin në zemër
Nën frymëzimet e mësuesit Fazli Greiçevci
Seç kujtova oborrin ku loznim si çamarokë
E në klasë rrinë si burra shteti e pak më mire
U nisa drejt Panteonit të përjetësisë
Një homazh për Rilindasit
Dhe një këngë pikëllimi ua rrëfeva
Ua trazova ëndrrat për atdheun
Natën e shekujve ua shprusha
Dhe dhimbjet ua trazova…
Rilindasit nëpër shtigjet e shpresës
Të pagjumë-asnjëherë të përgjunjur
As kur shkronjat shqipe të përgjakurëshin
U shkrinë për shkronjat- Shkollën e ardheut
Dhe përditë këpusnin zingjirë e pranga
E ua fshinin lotët e nënave …
Barktharët dikur lëngonin për dije
Në zjarrminë e etheve të Natës së gjatë
Ua ndukin gjinjtë e shterur të nënave
E sot gjinjët e shtetit nuk pikojnë as 100 euro…
Në lirikë më hynë brengat e fëmijëve
Psherëtimat e brezave për zilet e shtatorit
Testamenti i gjyshërve mbetur i pathënë
Për lutjet e mëngjeseve-Hapëni Librin e Historisë
Si dikur dyert e kullave që bëheshin shkolla
Krahëhapur pritej Drita e Shkronjave shqipe
Lum brezi i ri për Dritën e dijes -për lirinë
Lum brezi i ri për shkronjat, librin dhe diturinë
2.
Është përgjumur kryeqyteti-si shteti
Kokëdhembje ka Kryeministri me ministrat
Presidentja ka punë më të mëdha
Parlamenti i dëshpëruar lexon rezolutën
Port ë pagjumë janë Agu e Earta …
Fëmijët janë janë brengat e dheut
Janë psherëtimat e brezave, gjysh pas gjyshi,
Janë të pathënat e Kosovës
Mos lëndoni orakujt e shenjtë të dritës
25 mijë mësues nuk janë anonimë as lypsarë
Janë shpresë e atdheut
Shkolla duket e shkretë pa fëmijë
Si shtëpitë pa çati e vatrat pa zjarr
Lëreni kamzhikët e urrejtjes
Për inate e një grusht pushtet
Po kryqëzon buzëqeshjen e fëmijëve
Edhe fjalën shqipe e ropën një grusht me kusarë
Fjalën të gjitha peshojeni në kandar
3.
Është trandur fshati e qyteti-por jo shteti
Mësuesit plak i pikën lotët
Zemrëdjegur që s'mund ta hap Abetarën
Nuk levizë as Kryeministri e as ministrat
Pak i dhemb koka Presidentës
Thua s’kanë forcë –të hapin dyert e shkollave
Një botë e akulltë me ndjesi edhe më akull
Jehojnë thirrjet e mësuesve-në zemër të shtetit
Heshtje morti nëpër shkollat nën dryrë
Prindërit urojnë të bien zilet e shtatorit
Edhe Agu e Earta nuk i duan mësuesit lypsarë
Lerëni niprit e mbesat ta gjallojnë shkollën
Zemërthyer mos leni të ardhmën tonë
Prangat e heshtjes këputnjani inatçorëve
Sa i ka marrë malli nipër e mbesa për shkollën
Hapjauni derën të vijnë e të futen në klasë
E mësuesëve si qiri le t ‘u digjet zemra si gjithmonë
Poeti e din se kush ka në dorë çelsat e shkollës
Hapjauni derën zogjëve të atdheut të futen në çerdhe
Ditën e diel e këndova këngën që të hënën të çelet shkolla…
Drenicë, në 26 shtator 2022