Prof. dr. Hysen Matoshi - Recension PERGAMENË E VUAJTJEVE SHQIPTARE

Prof. dr. Hysen Matoshi - Recension PERGAMENË E VUAJTJEVE SHQIPTARE
PERGAMENË E VUAJTJEVE SHQIPTARE
 
E kaluara rron në kujtesë. Kur kujtesa merr trajtë shkrimi, kur u flet bashkëkohësve dhe pasardhësve, merr trajtën e historisë. Subjekti pjesëmarrës në ngjarje historike i percepton të ndodhurat nëpërmjet përjetimeve, përsiatjeve dhe gjakimeve të tij. Historikisht kemi humbur mjaft dëshmi të këtilla, ngaqë shumë nga individualitet e shquara, madje edhe historibërëse, kanë ngurruar të flasin, në të shumtën duke pandehur se do të tregoheshin jomodest. “Le të flasin të tjerët” - ka qenë fraza që i ka bërë të mos e thonë të vërtetën e jetuar historikisht e të përjetuar shpirtërisht. Datat, faktet e statistikat nuk janë të mjaftueshme për ta njohur gjithanshëm një ngjarje, në të cilën mund të kenë qenë me mijëra pjesëmarrës. Së brendshmi këto zhvillime i kuptojmë vetëm kur dëgjojmë dëshmitë e atyre që i përjetuan. Nga këtu memoaret marrin rëndësi të pazëvendësueshme.
Asllan Selimi ka bërë një punë jo aq të zakonshme në jetën tonë kulturore. Ka vendosur të flasë, duke shpërfaqur të gjitha përjetimet nga ngjarjet me të cilat u përball së bashku me bashkëvuajtësit e tij. Është shumë e hollë bibliografia e shkrimeve dhe e botimeve që kanë në fokus kujtimet nga e kaluara jonë. Madje, edhe ato dëshmi memoaristike janë kryesisht të karakterit glorifikues të të bëmave, në të cilat subjektët e tyre marrin përmasa glorifikuese në ngjarje historike. Pakkush është kujtuar të shkruajë për anën tjetër të historisë sonë: për vuajtjet, për vështirësitë nëpër të cilat kaluan shqiptarët. Kur kam kërkuar ndonjëherë nga të burgosur shqiptarë që të shkruajnë për tërë trajtimin që u është bërë, rëndom më kanë thënë: “Po këto i dimë të gjithë, nuk ka diçka të re dhe panjohur”. Sikur harrojmë se ne, me shkrimet tona, nuk i flasim vetëm të sotmes, por në rend të parë të ardhmes, atyre që do të vijnë pas nesh dhe që do ta kenë të vështirë ta kuptojnë të vërtetën pa dëshmi të këtilla. Kështu, qindra shekuj të burgut politik shqiptar në kazamatet sllave nuk dëshmohen nëpërmjet kujtimeve nga të burgosurit tanë. Është bërë gati një temë tabu të shkruash për gjithë veprimet çnjerëzore të organeve gjyqësore, hetuese, policore e ndëshkuese të pushtuesit që u ndërmorën për dekada ndaj të burgosurve tanë. Heshtja për to nuk është shenjë krenarie, është më parë mungesë vetëdije për të vërtetën e plotë historike. Më e rëndë se pafuqia për të vepruar me duart të prangosura është pafuqia e sotme që të ofrohen dëshmi për tërë arsenalin e krimeve dhe të të gjitha të pabërave që zbatoi shteti sllav mbi shqiptarët.
Asllan Selimi, duke e botuar ditarin - memoaret e tij, me titullin domethënës “Krimi ka emër”, si dëshmi personale nga ngjarje që i ka përjetuar, me një guxim të jashtëzakonshëm, hap një hulli të re në fushën e shkrimeve tona. Ditari i tij është i pazakonshëm si formë shkrimi, ngaqë vjen në një distancë kohore dhe përmban vetëm disa nga zhvillimet më të rëndësishme të burgut disavjeçar të tij. Më tepër shëmbëllen me kujtime të shkëputura nga ditari i atyre zhvillimeve.
Interes të posaçëm në këtë vëllim përbën faktografia. Lexuesi do të gjejë të dhëna me interes për pothuajse të gjithë subjektët me ndikim për këto të ndodhura, qoftë kur është fjala për policë, prokurorë, gjykatës etj., qoftë kur është fjala për bashkëvuajtësit e autorit, pa ngurruar që t'i evidentojë të gjitha të bëmat si në njërin tabor ashtu edhe në tjetrin. Faktografia del në pah edhe më tepër nëpërmjet përshkrimit detajues të gjitha formave të dhunës fizike, të presionit psikik, të kërcënimeve, të privimit nga të drejtat më elementare që u bëheshin të burgosurve politikë shqiptarë, të cilët jo një herë, si pasojë e tyre, përfunduan tragjikisht, sikundër e thekson rastin e Besnik Restelicës, por edhe shumë të tjerëve që u vranë mizorisht në Burgun e Dubravës. Janë me dhjetëra mija shqiptarë që kanë kaluar nëpër këto trajtime dhe pothuajse asnjëri nuk është shprehur i gatshëm të flasë kaq hapur dhe kaq sinqerisht për to. As rrugëtimi poetik i Dantes nëpër rrathët e ferrit nuk ngjan të jetë i krahasueshëm me “itinerarin” serb të dhunës nëpër të cilin kaloi autori Asllan Selimi dhe të burgosurit e tjerë shqiptarë të asaj kohe, përkatësisht të të gjitha kohërave, që përfunduan në kazamatet serbe-sllave. Në këtë vepër flitet për emra konkretë bashkëvuajtësish, disa prej të cilëve mbijetuan të gjithë rrathët e ferrit serb, sidomos gjatë periudhës së bombardimeve. Ndër ta spikatin: Nait Hasani, Ukshin Hoti, Bislim Zogaj, Bajrush Xhemajli, Liburn Aliu, Naim Lushi, Enver Dugolli, Agim Makolli, Besim Rama, Isak Shabani, Blerim Cami, Raif Qela, Avni Klinaku, Agim Hulaj, Selim Lokaj, Haqif Ilazi, Dëfrim Rifaj, Njazi Kryeziu, Frashër Shabanaj, Sherif Ilazi, Nezir Zogaj, Hajdin Rama etj.
Me një realizëm të pashoq që shkon deri në verizëm janë përshkruar veprimet më çnjerëzore të organeve policore serbe në Burgun e Dubravës. Veçmas vend qendror zë masakra më e pashembullt që bënë organet shtetërore serbe ndaj të burgosurve, duke i ekspozuar si caqe të luftës. Është e ditur se tragjedia e Dubravës, e përshkruar në këtë libër deri në detaje dhe të gjitha formatet e saj, ende nuk ka gjetur përgjigjen e drejtësisë. Të burgosurit shqiptarë, të cilët ishin pengje të luftës në duart e organeve policore-ushtarake të Serbisë, me qëllim iu ekspozoheshin goditjeve të NATO-s nga njëra anë dhe nga ana tjetër gardianët serbë, të ndihmuar nga kriminelë ordinerë serbë, i vrisnin edhe ata që kishin shpëtuar nga bombat vdekjeprurëse. Përshkrimet e autorit janë dëshmi e gjallë e ngulitur në mendjen dhe në shpirtin e tij. Përmasat e këtij krimi të rëndë kam pasur rast t'i mësoj edhe nga të mbijetuar të tjerë, të cilët flisnin deri në një pikë dhe ndaleshin. Është mirë që Asllan Selimi nuk u ndal në rrëfimin e tij duke i dhënë një formë bukur të plotë kësaj masakre, është një përjetësim shkrimor i krejt atyre klithmave të të plagosurve që kërkonin ndihmën e shokëve.
Monumenti më i madh i solidaritetit, në gjithë Luftën e Kosovës, është ngritur pikërisht brenda mureve të vdekjes në Burgun e Dubravës. Secili e ndihmonte secilin, edhe të plagosurit ndihmonin të plagosurit që ishin më rëndë të lënduar. Këto përshkrime janë dëshmi të gjalla të sakrificës solidare, e cila shfaqet gjithnjë në rrethanat historike më të vështira e më të pashpresa për ne si komb.
Një dimension tjetër interesant ka të bëjë me përsiatjet e autorit lidhur zhvillimet që ndodhin jashtë mureve të burgut. Shokët e luftës, që kishin mbetur pa ndihmën e tij, përbëjnë një preokupim kryesor. Brenga dhe shpresa për ta, por dhe bindja përfundimtare se liria do të vijë e bëjnë më të fortë. Mantra e tij morale e qëndresës së pathyeshme, pavarësisht vështirësive me të cilat përballet autori, përmblidhet në vargjet antologjike të Luigj Gurakuqit: “Veç nji qellin i nalt t'ban me durue... Mjer ai qi nuk qindron”.
Mjeshtëria e rrëfimit, e ndërlidhur me një cilësi morale, sikundër është sinqeriteti, i bëjnë të lexueshme dhe të besueshme të dhënat e tregimet e shumta, të cilat ndonjëherë funksionojnë logjikshëm si rrëfime brenda një rrëfimi të madh. E vërteta autoriale është plotësuar me të vërtetën që përjetuan disa nga ata që u ndodhën në vende të tjera në Masakrën e Dubravës. Kështu, autori i ka përfshirë, veç atyre që i ka parë vetë, edhe disa zhvillime që i kishte dëgjuar nga shokët e tij. Megjithatë, është e qartë se shoqëria jonë, kombi ynë mbi të gjitha, ka nevojë për këtë të vërtetë, ka nevojë ta lexojë historinë të cilën autorët e saj e shkruan me gjak dhe e shkruan si një pergamenë moderne në lëkurën e tyre. Kjo e vërtetë është kodi ynë identifikues të cilin nuk do ta tjetërsojnë dot as gënjeshtrat dhe as mashtrimet që përpiqen ta zhbëjnë vlerën tonë më të madhe në historinë shqiptare: Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ky kod nuk cenohet as nga njëfarë vetërelativizimi (qoftë i qëllimshëm, qoftë i paqëllimshëm) lidhur me vlerat tona kombëtare të rezistencës, sipas të cilit ne na qenkan dhuruar liria, shtetësia, përparimi... Kjo histori e evokuar është dëshmia më bindëse se edhe të burgosurit, të konvertuar në pengje lufte, e kanë bërë me dinjitet luftën e tyre edhe brenda mureve të larta vdekjeprurëse, janë bërë pjesë e rëndësishme e historisë së qëndresës, me një fjalë e kanë paguar me gjakun e tyre një pjesë të lirisë së Kosovës sonë. Pikërisht për këtë libri memoaristik “Krimi ka emër” i Asllan Selimit është një literaturë e rëndësishme, është e rëndësishme për ta kuptuar rrugëtimin e vështirë të lirisë sonë, ecjen e saj shekullore deri në vatrat tona. Duke e lexuar libër do të mund të kuptojmë pse asnjëherë si komb nuk bën të pajtohemi me statusin e robit, ky libër na bën të kuptojmë pse liria është vlera kulmore e njeriut, vlerë për të cilën ia vlen çdolloj sakrifice. Mirëpo, ky libër do të mund ta përçonte të vërtetën autentike edhe në dimensione përtejkombëtare; një rrëfim i thënë prej një dëshmitari të sprovuar në të gjitha sfidat që i solli trajtimi i pushtuesit mbi veprimtarët tanë. Kjo do të bëhej me përkthimin e tij në gjuhë të komunikimit global e pse jo edhe në gjuhën e atyre që, si bartës të pushtetit të pushtuesit, zbatuan një politikë gjenocidiale në raport me shqiptarët. Është e vështirë një ardhme prosperuese pa vlerësimin e saktë të së kaluarës, pa një qëndrim të drejtë e parimor në raport me gjithçka ka ndodhur në periudhën e pushtimit sllav, me dhunën që e përjetuam për gati një shekull.
Vetëm e vërteta është zgjidhja në këtë rrugëtim të vështirë të krijimit të një bote më humane!
 
Prishtinë, prill 2023