Andris Lleskai (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)

Andris Lleskai (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)
CIKËL POETIK NGA ANDRIS LLESKAI

Andris Lleskai poezitë e para i shkroi që në shkollën fillore dhe në klasën e 6-të u vlerësua me çmimin e parë në Shkollës 8-vjeçare “Pashko Vasa”. Më pas vazhdoi gjimnazin “Bardhok Biba” në Rrëshen të Mirditës ku botoi edhe botimet e para në revistën “Mirdita”.
Andris është fituas i disa çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, si: “Çmimi i Manifestimit”, Prizren 2020; çmimi nga Shoqata “ABC Poetike”, Shkup, 2022; fitues i “Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj”, organizuar nga “Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit” dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, etj…fitues i çmimit “Pashko Vasa” nga "Akademia e Artit, Shkencës dhe Letrave - MIRDITA”, etj…Krijimet e tij janë botuar në revista, antologji dhe revista periodike brenda e jashtë vendit edhe në disa gjuhë të huaja. Në 2017, Andris botoi librin me Poezi: “Bukuri mes Gjembash” dhe në 2024-ën librin me poezi “Laku i Plakut”.
 
DJERSË TË FTOHTA NË FRESK
 
Ti mund t'i rrotullosh sytë
duke i përhumbur drejtpërsëdrejtisë
së shkëlqimit të shpirtit,
 
mund të përpiqesh në grykë
të ruash po atë ngjyrim, pangjirësisë
së zërit, a kollës së gripit,
 
mundesh në mënyrë të drynjtë
të frenosh gishtërinjtë, trokitjen e zisë,
dridhjen e këmbës prej hiçit.
 
Por edhe pse mes kondicionerit,
të shoh djersë të ftohta në fresk,
kështu që, mimikën e poker-it
s’e ruan dot, kur qullosesh si peshk.
 
FJALA LUAN MALET 
 
Kur fjalën e ruan 
veç në kahun pozitiv
duke e brejtur gjuhën 
sa herë mendja shkon tjetër kah,
 
edhe zogjtë do të të përndjekin,
edhe era do fryjë prej syve të tu,
edhe lulet veç për ty do të çelin,
bletët do vinë, të ndalen në thu’,
e sado mallkime e intriga të tjerrin
ty sen s’të gjen, 
se vetë Universi të ru’…
,
INSTALACION MBINJERËZOR 
 
Mund ta ndiej erën edhe në korrik
të fryjë sa herë që dal në diell,
 
mund të më flasë çdo tingull e muzikë,
dalldi e dallëndyshes ndër qiell,
 
një çift pëllumbash të më vijë, ose ikë,
kudo ku këmba ime do të shkelë,
 
kthehen shkronja numrat në matematikë
dhe më flasin, si asnjëherë…
 
Mund të më flasë çdo simbolikë,
mbi gishtin tim, rrotullimet e bletës,
veç a mundesh në këtë harmonikë
ta zësh vendin e Mbretëreshës?!

Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese