PIKA E ZEZË …
jam i lodhur për vdekje dhe dua të vdes,
po kam ca punë në duar, t’i mbaroj mezi pres.
Sa t’u lë një shtëpi fëmijëve të vegjël akoma,
Do t’i qep shpirtit tim edhe nja dy mballoma.
Sa të shkruaj dhe një libër që po më myket në tru,
Dashurinë për të vdekur do ta zë me një hu.
Po e ndjej që jam bosh, këtu lart s’mund të rri,
Nuk di sit ë iki, dua të gjej një dredhi.
Them t’i gënjej në gjumë, të shtirem sikur flë,
E t’ia këpus një të vdekuri pa bujë e pa zë.
Po dhe në gjumë bëjnë roje, gruaja, fëmijët,
Ku shkon pa larë borxhet, o dezertor i pacipë.
Na ke premtuar një ditë… e mban mend ç’na the,
I bindur kthej rrugë, të vdes nuk kam nge.
Jam i lodhur për vdekje e nuk më lënë të vdes,
Po pse nuk më besoni, o njerëz të pabesë…
Oj, pikë e zezë…moj, pika e zezë….
Mars, 1997
In memoriam (marre nga libri “Iso dashurie”)