NGA PANAJOT BOLI
NË MAGJINË E AGUT
Pa u nxituar zbret nga shpatullat e maleve mugëtira
E papritur tretet në gjoksin e gjerë kaltërosh të qiellit
Ylli Polar vë në rresht yjet e lë pas një vazhdë gjurme
Të dritësojë syrin e agut dhe të lyej rrezet e diellit
Po zgjohen edhe zogjtë dhe akordojnë telat e violinës
Tërë kënaqësi shtriqet dita në gjumin e ëmbël të verës
Flladet u bënë kaq romantike e i përkëdhelin fytyrën
U dehën dhe lulet e duan të koloviten në krahët e erës.
Zgjohet edhe deti e i mbush mushkëritë me aromë agu
Stërkala i hesh vajzës që s’ngopet pranë tij që pagdhirë
Pranë tyre e ulur edhe magjia e agut, një tjetër mbretëri
Ja, do të vijë edhe pulëbardha me të dashurin e saj të mirë.
MA HIQ PETALEN TRADHËTI...
Luledele moj, oh, sa herë të kam numëruar
Ky ankth i marrë, petalet më ka ngatërruar
Luledele moj, ajo me sytë më ka premtuar
Pa folu ti petaleve, cila moj më ka tradhtuar?
Luledele moj, ajo si afsh, më përpinte me sy
Pa folu ti petaleve, mos bëjnë ndonjë marrëzi.
Luledele moj, më thuaj: mos lozte më mua?
Pa foli moj ti asaj petaleje, më lër atë, të dua
Luledele moj, të përgjërohem, besoj vetëm ty
Pa folu ti petaleve, ma hiq moj, petalen tradhti
MË NDJEK SI HIJE
Më mërziti ankthi këtë pasdite të lagësht
Fshehurazi i ika e vrapin e ndala tek deti
Tek hidhja gurralecë të gjuaja yjet në ujë
Një hije prapa krahëve: Prapë ky më gjeti?
Thirra valët të më merrnin e të më çonin larg
Ndofta ankthi s’di not e nuk vjen dot deri aty
Me valët kaluar, shyqyr thashë, gjeta shpëtim
Por ah, pas valëve më ndjek hija e tij ogurzi.
U them valëve të ecin me shpejt, të na humb
Të më çojnë tek Neraidat, tutje, tej në thellësi
Zhytemi, përvidhemi, themi se sapo shpëtuam
Por ah, pas pak pas nesh shfaqet hija ogurzi.
Neraidat e mira më marrin në krahët e tyre
Ahere i hakërrohem hijes: Ç’do pas meje ti?
Në vals kaltërsie më ftojnë të bukurat e detit
Dhe hija fantazmë po më zgurdullon ato sy.
MËNGJESI HUMBI UDHËN
Në qepallat e tua ca re u ulen papritur
Qerpikët lëvizen me nxitim porsi vela
U çngjyros liqeni i syve si ditë vjeshte
Mbi violinën, ca nota vaji ngelen në tela
Yjet e hëna mërdhijnë në qiellin akull
U hutua edhe kanarina në kafazin e saj
Në jastëkun e bardhë një hartë skicohet
Një reliev i thyer i një dashurie të pafaj
Sensi i kohës humbi aty në të perënduar
Dielli ngeli varur, deti si fëmijë e përkund
I përvuajtur shpirti përpëlitët në dyshek
Dhe labirinthi i natës, i errët dhe i pafund
Harron shpesh ora me tiktakun të numëroj
Pagjumësia me sy të buhavitur seç rënkon
Dritarja e dhomës akoma nuk po zbardhet
Mëngjesi humbi udhën e kushedi sa vonon
MBREMJE E PAFAJSHME..
Kafja e harruar, e pambaruar ngeli mbi tavolinë
Shpirti i ngurosur si melodi e mekur në violinë.
Nga rruga vjen një muzg i çalë. Kur u bë i gjallë?
Si Kozimodo plak më ulet në karrigen përballë
Nata me shkrepëse në dorë po ndez yjet në qiell
Hëna fillon e bën prova me melodi dritë në fyell.
Heshtja heshtë, llamba e neont e rrugicës melankoli
Dritarja jote pa dritë, në errësirë po i fsheh ato sy.
Edhe nata u mërzit, i fiku dritat, hodhi ca pika shi
Mbrëmja e pafaj e dashur, pse na mundon të dy
M’U BË DRITË NË DY SY
Për manushzaqen time të bukur më mori malli
Portën e dimrit e shtyva: eja i thashë, pranverë
U enda lart përroit, ugarit e pllajës gjelbëroshe
E gjeta me se fundi: në prehër e ruante një ferrë
Në kështjellën e saj rrinin gati ushtarët gjemba
Më ushtë të shponin këdo që i prekte bukurinë
U kacafyta me to, duart e këmbët më gjakosen
Ama kështjellën e mora, ia rrëmbeva krenarinë.
E brishtë ish, tepër e brishtë, shpirti i saj i vesuar
Me petalet që vallëzonin, buzë e etur në dashuri
Në prehrin tim e qetësova, poshtë gushës gati foli
-Për ty ferrë nuk kam nëvojë, u bëra dritë në dy sy