Panajot Boli, Cikël poetik

Panajot Boli, Cikël poetik
Panajot Boli
 
MË NDJEK DIELLI
 
Pasdite. Tatëpjetën zbres tani, i heshtur i menduar
Dielli më ndjek pas, i lodhur edhe ai, duke perënduar
 
Më mundon kjo rrugë dhe diku këmba më rrëshqet
Kam frikë edhe për diellin, mos më mbytet në det
 
U lodhem të dy, i them të ulemi, ja, diku në një breg
Ftojmë pulëbardhën, në magjinë e saj ngjyrëshegë
 
Të ftojmë pas pak edhe yjet, të ftojmë hënën e mirë
Në koktein e koncertit, të cimbisim pak lumturi të grirë
 
Jeta është koncert plot ankth  dhe dielli...drita në skenë
Lodhet shumë aktori i shkretë, tani vetëm shpirti rrëfen
 
Ndofta është e bukur si një ëndërr, ndofta  një parajsë
Ndofta është dashuri, si epshi i puthjes me një vajzë
 
Mbarojnë edhe yjet një ditë, qielli ama nuk do të vdes
Lulet në bahçen time, prapë do çelin, me ngjyra e vesë
 
Pasdite. Tatëpjetën zbres tani, i lodhur , i menduar
Dielli më prin para, i lodhur edhe ai, duke perënduar
 
Dielli edhe unë, bashkë  shkojmë pak për të pushuar
Ndofta nesër, ah nesër, më të bukur dalim, në të aguar
 
 NË MAGJINË E AGUT
 
Pa u nxituar zbret nga shpatullat e maleve mugëtira
 E papritur tretet në gjoksin e gjerë kaltërosh të qiellit
Ylli Polar vë në resht yjet e lë pas një vazhdë gjurme
Të dritësoj syrin e agut dhe të lyejë rrezet e diellit.
 
Po zgjohen edhe zogjtë dhe akordojnë telatt e violinës
Terë kënaqësi shtriqet dita në gjumin e ëmbël të verës
Flladet u bënë kaq romantike e i përkëdhelin  fytyrën
U dehen dhe lulet e duan të koloviten në krahët e erës.
 
Zgjohet edhe deti e i mbush mushkëritë me aromë agu
Stërkala i hedh vajzës që s’ngopet pranë tij qe pagdhirë
Pranë tyre e ulur edhe magjia e agut, një tjetër mbretëri
Ja, do të vijë dhe pulëbardha me të dashurin e saj të mirë
 
HËNA TË VESHI HËNË
 
Hëna për ty sonte u bë një hark ari,  i bukur
Ta vesh në flokët kaçurrela, të bëhesh fluturë
 
Me dritë qumështore i ngarkuar plot ka ardh
Ta henëzoj gjoksin e hovur në bluzën e bardhë
 
Fundin me pala ta zgjodhi, të verdhë, të verdhë
Të luaj edhe flladi i mbrëmjes, si valët t’i hedh
 
Në qerpikët e syve ,në varg t’i uli misset yje
Në gushë, një shami kaltëroshe, ta lidhi me shije
 
Të rruga e dashurisë të çoi tinëz dhe  të la aty
Befas dy duar të shtrënguan, pastaj një magji..
 
Hëna sonte ty të veshi hënë, të bëri një fluturë
Dritë hënore te rruga e dashurisë, ti peri e bukur
 
AJO?!...HYJNORE...
 
Lulet vetë zgjodhën bletët dashnorë
Këta punëtorë fisnikë me duart flori
Buzët ua lyejten me shpirtin e  ëmbël
Ta kthejnë në mjaltë, ta bëjnë dashuri
 
Po buzët? Zgjodhën puthjen terë epsh
Rrufitje symbyllur me dehje dashurie
Na qenka puthja me e  ëmbël se mjalti
Hyjnore ajo, në qiellin e shtatë lumturie
 
METAMORFOZË
 
U dashurua me ngjyrën e lulëzimit gruri
Kjo bimë e bekuar, e lashtë, hyjnore
Sa elegante
Me hire e naze pranverore.
 
Me diellin flertonte mëngjese e perëndime
Një ditë, në tempullin e tij veten flijoi
Metamorfozë?
Shpirti, në një kokërr argjendoi
 
Enët e gjakut tim në vite mbushen një liqen
Vjen një ditë, gdhihet një mëngjes
Liqeni kandil
Vargje, një nga një, fillon e  ndez.