Blerina Pellumbi - Cikël poetik (përgatiti dhe redaktoi A. Kosta)

Blerina Pellumbi - Cikël poetik (përgatiti dhe redaktoi A. Kosta)
CIKËL POETIK NGA BLERINA PELLUMBI
 
Autorja Shqiptare Blerina Pellumbi (Demo) ka lindur ne vitin 1976 në qytetin e Korçës. Ajo ka përfunduar studimet e larta në universitetin "Fan Stilian Noli" dega mesuesi. Blerina ka punuar rreth 10 vite si mësuese ne Shqipëri. Aktualisht jeton dhe punon në Francë. 
Ajo është autore e 6 librave por libri i saj i parë është romani me titull: "Lotët e një gruaje", historia e vërtetë jetësore e një gruaje shqiptare. Ky libër është përkthyer në gjuhën frëngjisht dhe anglisht dhe po konkurron denjësisht në letërsinë botërore në platformën e fuqishme Amazon.com.  
Titujt e Librave të tjerë të autores vijojnë më poshtë:
- Kristale të thyera, (Poezi)
- Përdhunimi i shpirtit, (Roman, histori e vërtetë jete)
- Njerëz që ngjajnë me diellin, (Roman, histori e vërtetë jete)
- Psikologji dhe ndjenjë, (Prozë)
Autorja në fjalë është duke shkruar përsëri një libër historie të vërtetë jete me titull: "Sa peshon një zemër", e gjithashtu edhe një libër me thënie filozofike vetjake të saj.
 
MË FAL E DASHUR 
 
Unë vetëm duhej të heshtja, 
dhe ti po ashtu,
Jetonim në një botë, 
ku vlente vetëm lakuriqësia jonë.
Ne s'mund të shihnim, 
duhej vetëm të heshtnim.
Duke kafshuar fjalët, 
që na mori ajo kohë e dreqit,
Kohë, 
ku njeriu jetonte pa sy, 
pa vështrime të zjarrta.
Kohë, 
ku njeriu heshtte para të vërtetave, 
që flisnin vetëm me ndijime.
Ka mbetur vetëm pak  botë e dashur,
Ulur aty, 
mbi buzët e tua të kuqe, që lëshojnë zjarrin.
Unë hesht dhe shijoj mjaltin,
Botës i lë lakuriqësinë. 
Varfërinë e shpirtit që më mundon,
Unë linda me sy si zjarri,
Që bota dalëngadalë m'i mbylli.
Duke më rrëmbyer fjalën.
E dashur!
Sot harrohem mbi zjarrin e buzëve të tua.
Sepse dua të harroj
që i përkas kësaj bote plot lakuriqësi,
Kësaj bote
që mundohet të rrëmbejë ngjyrat e vështrimeve të mia.
Harrohem mbi buzët e tua e dashur, 
për të kuptuar se zemra ime rreh përsëri.
Ashtu ngadalë në këtë lakuriqësi ndjenjash, 
humbjesh, dështimesh,
Ndaj humbas aty, në buzët e tua të lagështa,
Me kujtojnë vesën e ëndrrave, ku u rrita me qumësht gjiri.
Ndaj shtrëngoj gjinjtë e tu të butë,
Harroj aty lakuriqësinë e kësaj bote, 
të mbrapshtë, të ndyrë.
Që ty e dashur të përdor
si zbukurim të një çasti.
Me fal e dashur që sot u ula aty
Mbi buzët e tua të pafajshme
Në këtë botë mjerane plot lakuriqësi.
 
QUMËSHT E MJALTË SHQIPJA IME...
 
Qumësht e mjaltë të pikonte syri
dhe në mes resh si diell qëndroje.
 
Fusha, male, pyje, dete 
me krahë shqiponje ti i mbuloje. 
 
Ku humbe syrin nënokja ime, 
vallë pse lëngon e rri e plakur? 
 
Pa dritë, ku shkon edhe përplasesh?
Mal me mal ti më hap plagë. 
 
Nënoke, më thuaj, me buzë që dridhen
me ty unë jam, por jam prapë jetime 
 
Kush të copëtoi vallë?
Kush të vrau? 
Besën e zemrës kush ta përlau?
 
Më thanë, të parët nga varri klithën, 
për ty më thanë. 
 
Pse dritën e mbytët?
 
Politikanë shtriganë e hije i rrinë shqiponjës mbi ballë shkëndije... 
Vallë, në gjoksin tënd, si nuk vështruan zemrën që rreh si një përrua?
 
Ti nënë je Shqipe, je zjarri,
je qielli me një frymë mbush mushkërinë. 
Kur ti vuan, vajton dhe dielli...
Prandaj, o njerëz, zot e perëndi kini ngatërruar, 
jo, mos harroni:
Shqipja ndrin, si kurorë maleve sipër i rri!
 
Mos harroni
se ky gjak shqiptari i djeg dhe malet për së gjalli.
 
Për syrin mjaltë, për Shqipërinë, flamur e shqipe 
qiellin ndrijn
bëhen miliona këmbë e miliona duar rrinë bashkë bëhen shkëmb, 
dhe mbysin djallin mbi këtë vend të shenjtë.
 
Mos harroni, me besa besë
se tradhtinë kjo tokë e mbyt me vesë!
 
Është syri i diellit
Është Shqipëria, Kosova trime dhe Çamëria, 
gjumë jo s'flenë e as harrojnë... 
Këtë tokën mëmë, do ta shpëtojnë,
 
Nga tym cigareje, nga politika, 
rri si gjarpri e dridhet nga frika.
 
Është syri i nënës, sy plot mjaltë, 
rri pranë nesh melhem mbi plagë.
 
GRUA TI JE JETË 
 
Mos je një copëz dielli 
Që çan retë heshtazi në muzg?
Apo je një copëz hëne
 Që yjet dhe mbrëmjen përkund.
Vallë mos je dhe një copëz dimri
Që mallin me dëborë e vesh?
Apo je copëz pranvere
Që frymëmarrjes me aromë i jep jetë.
Të pashë të ecje dhe si hije
Më ruaje kur flija unë gjumë...
Të pashë të bridhje pas yjesh
Që dritë më lëshuan mbi gurrë.
Vallë mos je vetëtimë
Se sytë më shkëlqejnë kur të shoh?
Apo je bubullimë 
Që si kalë troket hingëllon?
Të pashë me një vello mbuluar
Dhe retë brenda syve i mbaje,
A mos vallë je shtojzovalle 
Që me dallgët e detit luaje?
Të pashë dhe zjarr përvëluar 
Që jetë mbillje e tokës ia lije ndër duar 
Grua!
Ti je jetë...
.................................................................
 
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese