Cikël poetik nga Panajot Boli
U PLAK PLANETI IM
-O botë e shthurrur, o dreq...
Shekspir
Një lëmsh më viziton o sa shpesh në grykë
Por jashtë nuk pipëtin....bota është e shurdhët
Më shpëto, i them dritares, o mik , o vëlla
Planeti im i plakur që më jep frymë
Zgërdhihet e qesh si budalla
Mjegulla erdhi e paftuar e qielli bën ankesë
U shpërfytyrua edhe dielli me dritë të vyshkur
Zgjas dorën me panik, kujt t’i flas me parë
Pemë gungaçë shoh me zogj memecë
E skelete gishtash mbi celular
Zonja Pasiguri ecën zbathur rrugëve të shkreta
Shkel guralecë amorfë që përvëlojnë shumë
Ka edhe gjemba irriqi helm ky planeti im
Një Ufo luan me akrepat e një bombe
E një mister shfaqet në perëndim
Ky planeti im është hutuar, peson metamorfozë
Pranvera mbledh rrobat në një bohçe të vjetër
Edhe vera e lodhur, gati për shtegtim është
Kalëron shpresa mbi një kalë të trishtë
E ngeli vetëm stina: vjeshtë
Ky planeti im i plakur ka një kollë të rendë
E lanë të gjithë, ngeli me stinën e vjeshtës
Galaktika e frikshme errësire pa mbarim
Ndofta bëhemi edhe ne dallëndyshe
E nisemi për shtegtim
KOKËN TË MBESHTES PAK NË SUPIN TEND
Kam frikë sonte nga ëndrrat e liga
I vetëm në pyllin mister të vetmisë
E shtyj me bërryl gjumin e hutuar
Kokën vë tek ti, mes supit e gjisë
Ti do t’m’i trembesh ëndrrat e liga
Në kopshtin tënd, njeri mos më prek
Supi yt bëhet tempull i shenjtëruar
Me fronin e lumturisë e gjirin jastëk
Sonte dua të vë kokën pak te supi yt
Të dëgjoj zemrën e fjalët ledhatim
Si Zanë të rrish te koka ,e të thuash
-Tani je në krahët e mia engjëlli im
KRAH YLBERI, PËRQAFIMI
Pranë e pranë të dashuruar
Këto dy male të fshatit tim
Sa nuk plasën këtë vjeshtë
Të bëhen njësh në përqafim
Pranë e pranë të dashuruar
Këto dy male të fshatit tim
Krah ylberi ngjiten një ditë
Panë parajsën në përqafim
Ku të gjej unë krah ylberi
Dhe një varkë për lundrim
Një mëngjes të ankorohem
Në limanin tënd , përqafim?
Krah ylberi është përqafimi
Gjithë ngjyrat janë dashuritë
Kush u ngop tek ky burimi
E s’u kthye prapë një ditë?
Një ylber është rrugëtimi
Gjithë bota, përqafimi
I THEM ENDRRËS
Në parvazin e dritares të dhomës sime
Akoma rri varur një ëndërr blu feminore
Me nostalgji vë kokën e thinjur në jastëk
Dhe dëgjoj si pëshpëritje ca fjalë hënore
Hëna nuk më ndahej çdo natë në dritare
Një mbrëmje më mori në shtëpinë e saj
U foli yjeve të vijnë, të kërcejnë një vals
-Zgjidh më të mirin, tha, të fshehtë ta mbaj
Yjet lozonjarë me shkelnin syrin e hëna
Prej dore me mirrte me krahët çdo natë
Zgjasja dorën që të kapja me të bukurin
Ta vishja principesh, me kurorë të artë.
Thashë që një natë ta rrëmbeja si Paridi
Betimin e dashurisë t’ia thoshja në krua
Qeshi hëna, më ledhatoi- Ti ke dell poeti
Na mbaj, pra, dashnore në vargjet e tua
I them ëndrrës sime të varur te dritarja
Hëna e yjet janë mikesha te poezia ime
Yllin tim e gjeta një vjeshte , mes yjeve
Tek zbriste nga treni, tok me hënën time
PËR HISTORINË FOLEM SOT
Si hija e Hamletit na u shfaq sot në klasë
Mbreti hijërendë i ilirëve, Agron
Nxënësi im në bangën e fundit me emrin e tij
Ca dridhje ndjen e diçka belbëzon.
Të magjepsur e shihnim në mjegullnaje mbretin
Luftëtar madhështor tek kalëron
Nxënësi im tek përgjigjet kthen kokën nga shoku
-Ja, një argument i prejardhjes sonë.
Teuta me sytë e bukur e ulur në bangën e parë
Edhe emri i saj po ngjitet në fron
Ëndërron të ketë hiret e saj, tamam mbretëreshë
E tinëz kthen sytë nga ‘mbreti’ Agron
Nesër i vjen radha edhe Bardhylit, edhe Gencit
Edhe ata i kemi të gjithë në klasë
Ftojmë Drinin, lumin shekullor që e di historinë
Të deshifrojmë gurgullimën, kur të flas
Poezitë janë botuar të pa redaktuara nga redaksia e Orfeut