Norbert Góra, Intervistoi Irma Kurti

Norbert Góra, Intervistoi Irma Kurti
Irma Kurti, intervistë me poetin polak Norbert Góra
 
Norbert Góra është një poet dhe shkrimtar nga Polonia. Ai është autor i më shumë se 100 poezive të botuara në antologji poetike në SHBA, Angli, Indi, Nigeri, Kenia dhe Australi. Norbert është gjithashtu autor i katër librave me poezi, të shkruara dhe të botuara në anglisht me titull: Glob i larë në tmerr, Errësirë në fund, Duhet të ketë diçka midis errësirës dhe dritës dhe Afate.Si poet, ai vëzhgon me shumë interes mrekullitë e përditshme të jetës, por tërheq vëmendjen edhe në sferat e errëta të ekzistencës sonë, si vuajtja apo vdekja.
 
IRMA KURTI: Kur lindi pasioni juaj për të shkruarin?
NORBERT GÓRA: Fillova të shkruaj qysh në adoleshencë, i magjepsur nga letërsia fantastiko-shkencore, por u deshën të kalonin vite përpara se të merresha seriozisht me të shkruarin. Si djali i një mësuesi, kam shfaqur interes për këtë botë qysh në moshë të re.
 
IRMA KURTI: Ka patur ndonjë ngjarje apo rrethanë që ju ka afruar me krijimtarinë?
NORBERT GÓRA: Gjithmonë kam ndjerë nevojën për të hedhur mendimet e mia në letër. Kur isha 20 vjeç shkruaja fejtone dhe reportazhe dedikuar studentëve, por nxitja e parë që më ka afruar me proçesin e të shkruarit ishte një vlerësim që kam marrë në një konkurs që u organizua në shkollë ku u prezantova me një poezi me temë ekologjike.
 
IRMA KURTI: Ju kujtohet poezia e parë?
NORBERT GÓRA: Për fat të keq, jo. Koha kalon shpejt dhe është e pamundur të sjell ndërmend gjithçka. Më kanë mbetur veçse disa fragmente se si lindën ato vargje tek unë.
 
IRMA KURTI: Cilat janë disa nga vështirësitë me të cilat jeni përballur në rrugën tuaj letrare?
NORBERT GÓRA: Vështirësitë kanë qenë të shumta. Madje arriti një moment sa hoqa dorë nga të shkruarit edhe për shkak të mungesës së besimit në aftësitë e mia, megjithatë mund të them me plot bindje se letërsia më tërheq shumë për ta braktisur atë.
 
IRMA KURTI: A mund të përmendni ndonjë prej tyre?
NORBERT GÓRA: Do të përmendja ndër të tjera depresionin që gati e vrau dashurinë time të madhe për letërsinë. Në atë periudhë, në çdo rresht që shkruaja më shoqëronte mendimi: “Ah, kjo është poezia më e dobët që kam shkruar ndonjëherë, fshije menjëherë!”.
 
IRMA KURTI: Mendoni se këto vështirësi kanë të bëjnë vetëm me brezin e ri?
NORBERT GÓRA: Absolutisht jo. Të gjithë poetët dhe shkrimtarët kanë kaluar periudha: “Nuk mund të shkruaj”. Mosha dhe statusi nuk kanë rëndësi. Për më tepër, mendoj se depresioni dhe mungesa e besimit tek vetja mund të prekin këdo.
 
IRMA KURTI: Të shkruarit, a mund të ketë forcë terapeutike?
NORBERT GÓRA: Patjetër! Cilido që shkruan ndihet si një lloj Zoti dhe krijon universin e tij. Kjo  ndihmon të ndihesh mirë nga ana shpirtërore.
 
IRMA KURTI: Poezitë tuaja janë botuar në antologji të ndryshme në mbarë botën. A është e rëndësishme kjo për ju?
NORBERT GÓRA: Sigurisht. Rritja e numrit të poezive të botuara në mbarë botën tregon për një ecuri të mbarë në rrugëtimin tim. Është si një lloj karburanti që e bën të lundrojë anijen e krijimtarisë sime.
 
IRMA KURTI: Vargjet tuaja janë përkthyer edhe në gjuhën italiane. Cila është lidhja juaj me Italinë?
 
NORBERT GÓRA: Një i afërm i imi është vrarë gjatë betejës në Monte Cassino. Ai është varrosur në varrezat ushtarake në Bolonja. E kam vizituar Italinë në vitin 2017 dhe duhet ta pranoj se të vizitoja mrekullitë më të mëdha arkitektonike në Milano dhe Bolonja ishte kënaqësi jo vetëm për sytë... Kam gjithashtu të afërm që jetojnë në Napoli.
 
IRMA KURTI: A mund të na thoni diçka për botimin tuaj të fundit?
NORBERT GÓRA: Në janarin e këtij viti nënshkrova një kontratë të re me një shtëpi botuese. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje ishte botimi i librit tim të ri me poezi të titulluar “Afatet”. Është një libër i zymtë, por jo për shkak të përbindëshave apo paranormales.
Kjo përmbledhje është një përshkrim poetik dhe fatkeqësisht i trishtë i botës ku jetojmë. Jemi dëshmitarë të degradimit së traditës, familjes dhe respektit. Të gjitha këto i shërbejnë lavdisë së parave dhe kënaqësisë së grupeve të ngushta shoqërore.
Te “Afatet” unë përpiqem të pyes njerëzimin ku po shkon, çfarë po kërkon? A ia vlen të shkatërrosh vërtet natyrën, të vrasësh kafshët për të përmbushur pritshmëritë e pafundme të njerëzve?
Çfarë kuptojmë me “afat” në universin bashkëkohor? Kjo nuk ka të bëjë me projekte të përfunduara para skadencës. Është një thirrje për ndryshime para se të mos ekzistojë asnjë mundësi për të mbijetuar në këtë botë.
 
IRMA KURTI: A jeni duke punuar në një projekt të ri? Dëshironi të na tregoni për të?
NORBERT GÓRA: Kam përfunduar një libër të ri me poezi në gjuhën polake. Për më tepër, po merrem me redaktimin e dy romaneve të mia të pabotuara.

Intervistoi: IRMA KURTI
Poete, shkrimtare dhe gazetare
Itali