MINO SFERRA, regjisor/aktor - Intervistoi Angela Kosta
Sot sjellim për lexuesit shqiptarë intervistën e aktorit të njohur italian: Mino Sferra, lindur në Teano (Caserta - Itali). Sferra u diplomua për letërsi në Universitetin "La Sapienza" në Romë, ku filloi aktivitetin artistik, duke u diplomuar në Aktrim dhe Regji në Akademinë e Artit Dramatik "Pietro Scharoff". Mino Sferra menaxhon dhe jep mësim në Shkollën e Teatrit "Menandro" në të cilën diplomohen aktorët e ardhshëm të kinematografisë.
Shkolla u themelua në vitin '92 në Nettuno me idenë e aktorit dhe regjisorit Mino Sferra dhe Dr. Valter De Dominicis, dhe në vitin '93 u zhvendos përfundimisht në Romë.
Shkolla e Teatrit "Menandro" është nën patronazhin e Rajonit të Lacios. Kjo shkollë është gjithashtu edhe nën patronazhin e Shkolla AGIS.
Shkolla ushtron metodën Stanislawsky, bazuar në natyralizmin psikologjik në të cilin aktori shpreh ndjenjat e tij me vërtetësi absolute: nëpërmjet zgjimit të subkoshiencës, ndjenjat tashmë të përjetuara rikthehen në skenë. Kjo është metoda bazë e "Actors Studio" në Nju Jork.
Shkolla dëshiron të jetë një kombinim i aktrimit, këndimit dhe kërcimit, një ekselencë totale e aktorit që synon jo vetëm rritjen e metodës së aktrimit, por edhe zhvillimin e gjuhës së trupit dhe edukimit vokal.
Shkolla e Teatrit "Menandro" ka një kohëzgjatje 3 - vjeçare, në fund të së cilës nxënësit marrin një diplomë të përshtatshmërisë për artet teatrore.
Gjatë kësaj periudhe mësohen lëndët e mëposhtme: fjalori, ortofonia, edukimi vokal, psikoteknika, aktrimi, këndimi muzikor, kërcimi, poezia dramatike, historia e teatrit, skermëzimi skenik, aktrimi filmik.
Le ta njohim më nga afër aktorin e mirënjohur italian duke përshkuar përgjigjet e pyetjeve:
Kur lindi pasioni juaj për t'u bërë aktor? Në cilën moshë ishit?
Aktrimi filloi të më pëlqente shumë që në moshë të vogël. Isha shumë i magjepsur nga kinemaja dhe televizioni. Në qytetin tim të lindjes në Teano ishte kinemaja Garibaldi, dhe të dielave në vend që të shkoja të luaja me shokët e mi, preferoja të shkoja në kinema; shikoja gjithçka: filmat perëndimorë, filmat historikë, filmat sentimentalë. Madje shpesh identifikohesha me protagonistët. Kur kthehesha në shtëpi, mbyllesha në dhomën time, shikohesha në pasqyrë dhe përpiqesha të imitoja personazhet që sapo kisha parë. Mamaja ime nuk donte që ne të mbylleshim në dhomën tonë, por unë i thoja se duhej të bëja filma dhe teksa më dëgjonte, ajo buzëqeshte dhe tundte kokën dhe më thoshte:
"A capa toja nunn' è bona - Koka jote nuk është i zoti" por gjithsesi më lejoi t'i përkushtohesha aktrimit. Që i vogël isha fëmijë i veçantë, preferoja tregimet e filmave nga ato vizatimorë. Teatrin e zbulova nëpërmjet televizionit. Aty transmetonin shpesh komeditë e Eduardo De Filippos, nga të cilat njërën e doja në veçanti: "Natale in casa Cupiello - Krishtlindje në shtëpinë Kupiello". Më pëlqente shumë protagonisti Tommasino, i njohur si "Nennillo" i luajtur në atë kohë nga Luca De Filippo, djali i Eduardos. Ai ishte gjithmonë kundër rrymave dhe kishte një karakter harrakati, pak si unë kur isha fëmijë dhe kjo më zbaviste shumë.
Cilat janë rolet dhe filmat tuaj?
Nga viti 1989 e deri më sot, kam luajtur në shumë filma në kinema dhe televizion: Octapodi 7, Berberi i Rios, Naja, Qarku i Policisë, Bukuroshja e Grave, Gjyqtari hetues, Buck në kufij të qiellit, Buck dhe byrzyluku magjik, Body Puzzle, Përrallë mizore, Vajza e Metrosë, Engjëlli i zi, Tristani dhe Isolda, Krimi kundër krimit, Një vend në diell, Bluzat e bardha, R.I.S. 5, I Viceré, Skuadra Anti-Mafia, Assolo, Nesër do ju tregoj, Toka e Zhuritur, E vërteta qëndron në Parajsë, Parajsa e Zonjave, Time Loop, etjer... Kam qenë gjithashtu bashkë - protagonist i filmit me metrazh të shkurtër i vlerësuar me shumë çmime: "Il Privilegio dell’ultima onda" me regji të S. Aufiero.
Rolet tuaja në Teatër?
Në vitin 1982 u vlerësova nga "Harmony Club" në Romë për interpretimin e Hamletit të Shekspirit në Teatrin "Orione". Një vit më pas u transferova në Nju Jork për të përmirësuar aftësitë e mia teknike, duke frenkuentuar "Actors Studio" dhe "Herbert Berghoff Studio". Gjithmonë në Nju Jork formova kompaninë teatrale dygjuhëshe: "The Sferra Theater Company", duke sjellë në majat e suksesit Off-Broadway, Nuk i dihet se si, Burri, Bisha dhe Virtyti i Pirandellos. Kam interpretuar, drejtuar dhe përshtatur pjesë të ndryshme Akte Unike të autorëve italianë për Radio RAI Corporation USA.
Në Romë, drejtova "Patenta e Pirandellos" dhe "Pyetja e Martesës të Çehovit".
Kam luajtur rolet:
- Gomez në muzikalin "Familja Addams" me regji të M. Cinque.
- Kreonin në "Antigonia e Sofokliut" i drejtuar nga mua personalisht.
- Elija në "Gjyqin e Jezusit" nga D. Fabbri me regji të T. Calenzo.
- Eugjenion tek "Të Dashurit" nga M. Fratti drejtuar nga unë.
- Tomi tek "Shekspiri në Morg", e drejtuar nga P. Perelli.
- Psikiatrin tek "Fryma" me regji të L. Olivieri.
- Amintorin në komedinë "Kujdes atyre të dyjave" me regji nga vetë mua.
- Tomin në muzikalin "Nëna ime".
- Profesor Ilbertin në rolin "Si në një roman".
- Kosimo në "Galera Blues" me regjinë time.
- Lejleku zbavitet me regji të Gianfranco Maria Guerra.
Kam luajtur dhe drejtuar Henrin IV i Luigi Pirandellos.
Në vitin 2022 kam drejtuar dhe interpretuar në shumë qytete italiane spetaklin: "Nëse dëgjohesh zemra kuron gjithmonë" bazuar në librin e Michele Cioffit.
Cili ishte filmi më i vështirë që keni bërë në nivelin emocional?
Me siguri filmi që ngjalli më shumë emocione tek unë ishte Terra Bruciata - Toka e Zhuritur me regji të Luca Gianfrancescos. Filmi tregon për ngjarjet historike të Luftës së Dytë Botërore në territoret e Lacios së Poshtme dhe Casertas së Sipërme, laborator italian i egërsisë naziste. Toka e Zhuritur është film dokumentar që tregon historinë e tokës sime, Kampanias në jug të Italisë. Xhirimi i skenave në vendin ku ndodhën masakrat ishte vërtet emocionues. Unë interpretova rolin e Xhakomo Gasparro, i vrarë për të vetmin krim ai i të qenurit italian, së bashku me qytetarë të tjerë në Conca della Campania (Caserta).
Roli më i vështirë për ju?
Roli më i vështirë që kam luajtur ishte Hunk në filmin "Buck në kufijtë e qiellit", sepse nuk dëshirova kundërfigurë në film, ku kishte shumë skena të rrezikshme dhe të vështira si ai me kal në dëborë dhe akull. Personazhi ishte gjithashtu kompleks: luajta rolin tepër të karakterizuar të një njeriu negativ. Aktrova në gjuhën angleze me theks kanadez të viteve '800. Për më tepër, para se të fillonin xhirimet, më duhej të bëja dy muaj stërvitje me qenin Buck, i cili ishte protagonisti i vërtetë i filmit dhe me të cilin luftova.
Kush është idhulli juaj (aktor italian ose i huaj)?
Për kinemanë, aktori im i preferuar është Marcello Mastroianni, një aktor të cilin e kam dashur gjithmonë për shpirtin italian të përfaqësuar në personazhet e tij. Ndërsa përsa i përket teatrit, idhulli im është Vittorio Gassman, një nga aktorët më të mëdhenj italianë të shekullit të XX-të, të cilin e konsideroj mësuesin, mjeshtrin tim nga i cili jam frymëzuar gjithmonë. Aktori i huaj që e dua veçanërisht është anglezi Laurence Olivier, i cili më ka magjepsur gjithmonë me aftësitë interpretuese dhe shkathtësinë e tij si në teatër në rolet shekspiriane po ashtu edhe në kinema.
Keni pasur studentë shqiptarë në shkollën tuaj?
Studentët e mi vijnë nga e gjithë Italia. Kam pasur studentë edhe nga disa vende evropiane, por asnjë nga Shqipëria. Me shumë kënaqësi, do të doja të kisha studentë shqiptarë, dhe do të dëshiroja t'u jepja mundësinë të studionin në Akademinë time, të krijoja kështu një urë lidhëse midis Italisë dhe Shqipërisë, ndoshta edhe duke u dhënë bursa studimi.
Çfarë mendoni për arbëreshët?
Mendoj se kultura dhe gjuha arbëreshe duhet mbrojtur dhe ruajtur sepse është e pasur me tradita, histori dhe folklor. Disa vite më parë në Kalabri pata rastin të takoj njerëz që i përkasin komunitetit shqiptar, pothuajse të gjithë shkrimtarë apo poetë: me pak fjalë, njerëz me kulturë të madhe me të cilët edhe sot kam marrëdhënie tepër të mira personale.
Do të dëshironit të shkonit në Shqipëri apo në Kosovë të bashkëpunonit në kinematografi?
Po, do të doja shumë të punoja në Shqipëri dhe Kosovë, të njihesha dhe të ballafaqohesha me aktorë, regjisorë dhe produksione të reja. Do të ishte një përvojë vërtet stimuluese dhe edukative në të njëjtën kohë. Në vitin 2019, gjatë “Ditëve të Kinemasë Shqiptare” pata rastin të njihem me disa vepra kinematografike, midis tyre edhe regjisorë me origjinë nga komuniteti arbëresh. Filmat e përzgjedhur u frymëzuan nga shprehjet më të fundit të kulturës shqiptare, që synonin rrëfimin e një vendi në tranzicion, bartës i aspiratave dhe problemeve të një shoqërie në kërkim të një identiteti të ri, më modern dhe të një pozicioni të barabartë në kontekstin evropian.
Projektet e ardhshme?
Tani për tani jam shumë i zënë duke dhënë mësim si në Akademinë e Teatrit, ashtu edhe në Universitetin LUMSA në Romë, ku drejtoj një laborator teatri. Jam shumë krenar që Shkolla e Teatrit Menandro do të festojë 33 vite aktiviteti formues vitin e ardhshëm, një shkollë që e dua fort pas përvojës sime teknike amerikane. Pata rastin të merrem me shkollën e Nju Jorkut që përdor të njëjtën metodë aktrimi që ne përdorim, metodën Stanislawsky e cila bazohet në natyralizmin psikologjik në të cilin aktori shpreh ndjenjat e tij me vërtetësinë më absolute. Një metodë që amerikanët e përdorin më shumë në dramë sesa në komedi. Shkolla ime ka për qëllim formimin e aktorit në të gjitha aspektet e tij: nga aktrimi (kryesisht teatral, por edhe ai kinematografik), tek psikoteknika, fjalori, kërcimi, këndimi muzikor, interpretimi poetik, skermë skenike pa lënë pas dore historinë e teatrit. Shkolla e aktrimit është 3 - vjeçare me numër të kufizuar studentësh, maksimumi 12 studentë në vit. Pas kursit 3 - vjeçar, studentët diplomohen në Artin Dramatik dhe në artin skenik i njohur nga Rajoni i Lacios dhe Shkolla Agis.
Vitin e ardhshëm kam në plan të sjell në skenë (në Premierën Kombëtare) " E Para Dashuri" nga shkrimtarja Angela Di Maso, duke recituar si aktori kryesor e gjithashtu si regjisor.
Ju falënderoj për intervistën dhe ju uroj suksese në karrierën tuaj duke shpresuar edhe në një bashkëpunim me regjisorë dhe aktor shqiptarë, urë lidhjeje kjo midis dy brigjeve.