Vjollca Aliu - Poezi

Vjollca Aliu - Poezi
PARAJSA JE TI

Në kopshtin e trëndafilave të kërkoj
Mes petaleve shumëngjyrëshe je fshehur TI
Aromëkëndshmja e parajsës së amshuar
Bukuria e paparë, tulipan me ar praruar.

Me rrjedhën e lumit vrapoj të të gjej
Të kërkoj në gurgullimë uji lumenjsh
Kërkoj buzëqeshjen Tënde, harenë
E qeshjen ujëvarëbardhë mes nesh.

Buzë liqenit rri si pulëbardhë
Të pres në kthim, bashkë me anijet
Spirancë kam mbetur në pritje
Por muzgu mbulon liqenin, prap pa Ty.

Maleve shtegtoj si shqiponjë
Të kërkoj midis pishave, mos aty ke mbetë
Gjaku, oksigjeni im i pashterur
Midis maleve, nga lart më mbushë jetë.

Albumet e fotografive shfletoj
Të mbushem jetë, gjallëri
Sytë e Tu m'flasin, fytyra Jote m'thotë:
"Nga parajsa të mbroj unë, moj bijë!"

Ëndërroj sikur bashkë me Ty fle
Në përqafimin Tënd, bashkë me hënën
Por prap zgjohem e vetme, pa Ty
Me dashurinë e mallin e pashuar për Nënën.