Poezi nga Urim Mezini

Poezi nga Urim Mezini
POEZI NGA URIM MEZINI (ISHËM - DURRËS)
 
VLERA E NJERIUT
 
Në thellësi të shpirtit i ndriçon një dritë
Që era e koha s’ia shuan dot kurrë
Janë: besimi, zemra, fjala që përdor çdo ditë
Njeriu që paqen di ta mbjellë dhe në gurë.
 
Ndihmën e jep buzagaz, pa bujë e lavdi
Lotin e tjetrit e përjeton si të tijin,
Drejtësinë kërkon përherë e ndien kënaqësi,
Me vetëdije të plotë zgjedh të bëjë të mirin.
 
Dashuria që ka forcë, që kalon çdo vështirësi
Është gjuha e Zotit që folën perenditë
Kushdo dhimbjen tjetrit përkëdhel me mirësi,
Në rrugën e tij ka përçuar vetëm dritë.
 
Dinjiteti, si flamuri i zemrës që s’e shet dot
Qëndron i drejtë e i palëkundur nëpër stuhi
Jo vetëm nuk përkulet shtigjeve me lot
Por si një lis i fortë qëndron në çdo padrejtësi.
 
Mirësia fle e qetë në të tijin shpirt,
Sepse fal, pa menduar nëse do t'i falnin atij,
Ecën përpara dhe kur hijet i vendosin pritë,
Sepse gjithmonë sheh me zemër e jo me sy.
 
Kjo, është vlera njerëzore që duhet të kemi
Pa grada, pa pasuri, pa ambicie për pushtet,
Por t'jesh vërtet njeri, në rrugëtimin e jetës,
Duhet patjetër zemër e pastër e një shpirt i drejtë.
 
(31/07/2025)
 
Redaktoi: Angela Kosta