ALMA MEHMETI
Poetja Alma Mehmeti ka lindur dhe studiuar në Tiranë. Menjëherë pasi mbaroi gjimnazin Karl Gega ajo emigroi në Itali por pas 20 vitesh në këtë shtet u shpërngul në Angli, ku jeton ende sot. Ndër preferencat e saj, janë krijimi i fabulave dhe poezive e së fundi edhe tekste këngësh. Në vitin 2017 ajo botoi librin e saj "Shpresën mbaj tek ti" me logo Vllamasi. Libri i dytë "Në duart e fatit" u botua nga Shtëpia botuese Lena në vitin 2022, dhe së fundmi Alma Mehmeti botoi librin e tretë me fabula për fëmijë "Motrat çamaroke Sara dhe Stela" të cilin ia ka kushtuar vajzave të saj dhe një pjese të jetës së tyre gjatë fëmijërisë. Disa nga poezitë e Mehmetit u botuan në antologjinë poetike "Na bashkoi poezia 2", "Kuçova Uniçef", "Gjurmë penash" me pjesëmarrjen edhe të disa poetëve shqiptarë. Disa poezi të tjera të saj janë botuar në gazeta dhe në sitet web. Alma Mehmeti është e angazhuar dhe aktive në platformën You Tube me disa interpretime të poezive të saj si edhe mjaft poetëve të tjerë shqiptarë. Edhe pse shumë e impenjuar në jetën e saj të përditshme, Mehmetit nuk i mungon koha të vazhdojë krijimtarinë e saj poetike. Tashmë poezia është ilaç për shpirtin e saj.
BËMË FILXHAN PËR BUZËN TËNDE...
Ëndërrova të isha në buzën tënde,
Të më pije si kafenë çdo mëngjes,
Por ti kurrë filxhan s'më bëre,
Buza jote në kraharor t'më mbesë.
Edhe pa buzkuq një shenjë do mbetej,
Ndoshta e thatë si shkarpë korriku,
Dëshira ime e vdekur do tretej,
Se mora kurrë, as një puthje miku.
Bëmë filxhan a një gotë verë,
Dehëm me puthje e më sfilit,
Brenda teje dëshirën time merre,
Pimë mëngjeseve nga pak çdo ditë...
NË CILIN BALLKON TI SOT KE DALË
Nga ballkoni i vjetër, vjen një parfum i ri,
Ca flokë të gjatë që era çon përtej,
Në profil për një çast ajo më ngjau si ti,
Me pamjen e saj unë sytë e mi gënjej.
Kam kohë që të shoh veç kur mbyll sytë,
Herë ëndërr e bukur e herë makth me lot,
Veten vras në qortime çdo ditë,
Flutura ime që në krahë s'të mbajta dot.
Se di në cilin ballkon ti sot ke dalë,
Flokët në erë kush t'i mbledh me kujdes,
Parfumin që lije shtratit mbi të gdhirë,
Sot ku e ke lënë, në cilën adresë?
Në zemrën time të ruaj mbyllur me dryn,
Sot më mbetet qafës një tjetër parfum,
Por kur era e Dhjetorit mbi fytyrë më fryn,
Në sytë e mi të shpalos si një album.
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, shkrimtare, poete, eseiste, kritike letrare, redaktore, promovuese, gazetare