Massimo Massa (shqipëroi Irma Kurti)

Massimo Massa (shqipëroi Irma Kurti)
Massimo Massa 
 
Massimo Massa ka lindur në Bari në vitin 1960, ku jeton dhe punon në sektorin e informatikës. Pasi u diplomua në Shkencat e Informacionit në Universitetin “Aldo Moro” të Barit, pasioni i tij për lëndët humanitare e afroi më shumë me botën e letërsisë. Është është një nga themeluesit e Shoqatës Ndërkombëtare Kulturore “VerbumlandiArt” (Qendrës Ndërkombëtare për krijimtarinë shprehëse dhe dialogun). Massimo Massa është krijues, themelues dhe president i shoqatës social-kulturore L'Oceano nell'Anima (Oqeani në shpirt) në Bari që organizon iniciativa për promovimin e kulturës dhe për zhvillimin e integrimin social; drejtor dhe konsulent për projektet dhe grafikën në revistën Oceano Edizioni, ideator dhe President Ekzekutiv i Konkursit Akademik Ndërkombëtar për Letërsinë Bashkëkohore “Seneca” dhe i revistës Oceano Njus (gazetë e pavarur). Po ashtu, është bashkëthemelues dhe President Nderi i Enciklopedisë poetike Wikipoesia, ambasador kulturor i Akademisë “Mihai Eminescu” për promovimin e trashëgimisë shpirtërore dhe bashkëpunimin letrar. Ka marrë çmime të rëndësishme si: “Çmimi i Kulturës” për kontributin e tij në kontekstin artistiko-letrar dhe për krijimin e një realiteti të qëndrueshëm shoqëror në nivel kombëtar, Çmimi i karrierës për aktivitetin letrar, Medalja “Poetët për Paqe” nga Organizata Ndërkombëtare e Poetëve për Paqe etj. Disa nga botimet e tij janë: “Transparenca” (Edizioni REI, 2015), “Gjeometri nga pafundësia” (Oceano Edizioni, 2016), “Në orën e gjashtë” (Dibuono Edizioni. 2017), “Në kohën e mungesës” (Oceano Edizioni 2020).
SHTATËMBËDHJETË SHKURT
 
Në buzëmbrëmje erdhe
me një trëndafil në dorë
për t’më folur për kohën tënde,
atë që njihje
se e tashmja në sytë e tu
ishte një lot pritjeje.
 
E ndala kalendarin
në orën njëmbëdhjetë e treçerek
më shtatëmbëdhjetë shkurt.
 
Është kaq i gjatë ky dimër
dhe mungesat që do të vijnë…
të gjitha në radhë
përralla dhe lodra
të atyre ditëve
që s’i harroj dot kurrësesi.
 
Një buzëqeshje për të thyer heshtjen
në rrëmujën e zbehur
dhe ti si një luftëtare e paepur
më shikon e pasigurtë
e kthyer nga një ritual i trishtë
i rrokëzuar në rrahjet e zemrës
të dikujt që dorën time
nuk e braktisi kurrë.
 
GJËRAT E PATHËNA KURRË
 
Më lër në këtë zallinë
fijet e heshtjes të thur,
më lër këtu
në këtë cep të qiellit
në ato fragmente
të gërryera nga koha
që në ngjyrën blu vdes
dhe tek ti më sjell.
 
Ishte vrulli i erës
në kalimin e heshtur
mes hijeve të largëta
që më thirri në emër
sepse në erën
e zhytur në okër
të takova
e të citova në mbrëmjen
që vonon të perëndojë.
 
Kam ende një mijë vjet
për të mos harruar
ose për të mos harruar asgjënë,
ato dyshime të pazgjidhura
të ditëve të pafundme
që bashkë me ty kam jetuar.
 
NJËQIND HAPA TË TJERË
 
Edhe një stinë
e veshur në heshtje
e ditëve të spërkatura me shëmbëlltyra
të mbyllura në shtigje
të agimeve të çdo kohe.
 
Ai tren nuk ndaloi më
i pushtuar nga fati
dhe nga pamja e pabesë.
 
Do të jem në perëndim të diellit
pas njëqind ditëve
dhe njëqind hapave
mes kujtesës dhe mungesës
dhe si rrathë uji
vitet ende do të kalojnë.
 
I kërkoj kohë ekzistencës
në vrapin për t'u kthyer në hije
ndër rezonanca të tjera
derisa zinxhirët të zgjidhen
dhe llogaria të mbyllet.

Përktheu dhe redaktoi: IRMA KURTI