Rrahman Hyseni - NË KËRKIM TË MOZAIKUT (poezi)

Rrahman Hyseni - NË KËRKIM TË MOZAIKUT (poezi)
NË KËRKIM TË MOZAIKUT
 
Të ndarë në dysh, në vetmi
në dritën e hënës kujtimet i shpalosim
u dashuruam në qetësi e në fshehtësi
zemrat s’ na pyetën dot,
sepse marrëzisht dashurohemi
nuk tregojmë nga frika
se i bindemi qetësisë
rrugët tona
i ndan një oqean i pafund
me ngjyrë të kaltër të dashurisë
as ngjyrë e kuqe nuk na mungon
mozaik ngjyrash
pikturohen në tonën kujtesë
faqet tona të njoma, loti po i lan,
puthjeve të ëmbla ua kemi shumë lakmi
por nuk puthemi dot nga frika
se do të bëhen helm.
në mes nesh katër kodra,
na kanë ndarë në dysh e rrallë shihemi.
çdo mëngjes përqafohemi me rrezet e para
kur dielli del e ngjitet kupës së qiellit
udhëtonim në pafundësi të bashkuar
por njëri- tjetrin kemi frikë ta shikojmë
në besnikëri të dy jemi betuar
na djeg zjarri i dashurisë, durojmë, s’ tregojmë.
Si një bukë në dy pjesë jemi ndarë
e Mozaikun tënd, ti vetë e ke krijuar
e unë do të vazhdoj rrugëve të jetës
gjysmën e mozaikut tim për ta kërkuar.