POEZI NGA MOZA REÇI SHEHI - TIRANË
Moza Reçi Shehi ka lindur në Peshkopi dhe është banuese në Tiranë.
Ka mbaruar fakultetin në degën inxhinieri dhe master profesional, për menaxhim.
Moza ka punuar disa vite në profilin e saj si inxhiniere e megjithëatë e ka tërhequr gjithmonë fusha e artit.Aktualisht është e punësuar në Drejtorinë e Artit dhe Kulturës, në degën e letërsisë.
Librat e botuara janë:
- Ti më erdhe pa trokitur
- Në dritare brenda meje
- Fjalë të arta mbi Shkëlzen
Në botim e sipër ka librin "Trokita në çdo zemër" i cili përmban dedikime me të ftuarit në Radio.
Moza është bashkëautore në dhjetëra antologji dhe është vlerësuar me çmime nga shumë shoqata, në Shqipëri dhe në Kosovë si dhe çertifikata mirënjohjeje nga diaspora.
Gjithashtu është çertifikuar si Ambasadore e Paqes Universale Botërore për Shqipërinë.
Për tre radhazi vite ka qenë moderatore në Radio Shkëlzeni. Tani moderon në radion që menaxhon personalisht: Fol dhe Ti, në emisionin:
"Lëkundim fjalën në djep mendimesh"
KATËR YJE E HUMBËN RRUGËN...
U shkulën nga zemra e tokës
E mbyllën jetën, si një dritare që u jep fund historive.
I pashë në gjumin e thellë të mesnatës së errët...
U thashë:
Mos u ligështoni
se muzgu disa herë është ma i ëmbël se agimi!
Ju jeni të tanët, e ne jemi për ju.
Të mbyllin një histori në momentet më kulminante,
Të themi fjalë mallkimi
e të shkruajmë rreshta pikëllimi!
Shtigjeve të parrahura, do të shkelë hija juaj
As ditëlindjen dhe as datën e vdekjes
nuk e deshët mbi pllakë,
Vetëm kërkuat një dorë, paçka pse me rrudha, por të ishte e ngrohtë,
kur të ledhatonte netëve të ftohta.
Do të shëtisë rrugicave hija juaj,
të matet me yllin e mëngjesit.
Të pashë moj e mjerë
kur vetëmohove vetveten,
sepse kërkove triumf për të dënuar me vdekje jetën...
Do të ngrihen për ty teza e hipoteza që të trembin,
Lakun e këmbëve të përdredhin.
E jotja qe dhunë me heshtje
Urtësi e luftës me mendjen
kafshove mishin tënd.
Të pashë kur shkove dhe more tre trëndafila,
me kredi...
Borxhin e le mbi dhe... ta paguaj vetgjyqësia...
E ndjeva kur hodhe hapa të ethshëm,
nga frika shkele mbi trupin tënd...
Në çast u bë vetëtime e bubullimë,
triumfi jot i nxori lot dhimbjeje edhe qiellit
Yjet u përplasën e nxorën shkëndija frike...
Ti iu dorëzove fatit, pa fat...
pikëllimin që ta mbështolli shpirtin me jorganin e qiellit.
Trëndafilat të humbën,
të ranë nga duart e s'i kape më dot.
T'i rrëmbeu rrjedha...
u fikën tre meteorë në çast.
SE DIKUR ISHA GJALLË
Lërma zemrën e qetë t'punojë,
kur prej mallit shpirti t'digjet...
Kur mos t'jem emri t'jetojë...
Mallit tënd t'i përgjigjet...
Koha jetën n'mulli
e blujti,
më përplasi shteg më shteg,
Anjë mllef për të tjerë s'ruajti,
malli brenda shpirtin djeg...
Mijëra herë më kanë gatuar
porsi buka në saç kur piqet
Prapë s'janë ngopur, më kanë bluar
sikur m'duan
tani hiqen...
Si të doni prapë më shtypni,
mishin kocka le të bluhet,
Po e lë si amanetet
gjaku im,
dyllosur t'ruhet!
T'shkruajnë nipa edhe mbesa,
nëpër rreshta të derdhin fjalë,
Mos i mbulojë pluhuri e harresa...
se dikur unë isha gjallë...
NGA ËNDRRAT MË ZGJO!
Dua të mbështes kokën në prehrin tënd
O dashuri e pashtershme qiellore!
Të pushoj në krahët e tua të ngrohtë
O fillimi i jetës time mishtore!
Dua të trazoj ndjenjën, me më të ëmblën në botë, mëmësore...
Të pres në ëndrra gjithmonë trazuar zgjohem
Shpirtin magjepsur, tek ti dua të strehohem.
Të prita në rreshtat e mi, kur loti nga syri rrodhi mall.
Të shtegtoj mes reve, të drithërohem, sikur të ishe gjallë
Të prita në dimrin e ftohtë, të më pushtoje në gjoksin tënd
Shtrënguar duart nënë e bijë, si atëherë...
kur këmba na shkeli në çdo vend.
E prita pranverën, të vije dhe ti bashkë me lulet
Me petale të luaj, do a s'më do!
Si shtojzavalle të përulem,
Me vete të murmurisja: qe apo s'qe ajo?
Të prita me fluturat e verës, të uleshe nga i largëti fluturim
Bashkë do të heqim mall e të qaj hall,
T'i derdhësh nektar nëne, shpirtit tim.
Me flladin e freskët thash të vije,
ta bëje zemrën gur
Magjepsur të shijoja ngjyrat si gjethe vjeshte
të endem, si fluturat mbi mur...
Mes mallit e muzës, derdha pjalmin shpirtëror
Të qëndis me penel artisti, të zbukuroj emrin tënd hyjnor
Je ilaçi më i rrallë, që Zoti të tokë na solli
Dhe përse më mungon, në shpirtin tim, si ulli shekullor ty të mbolli.
Ti me mua je kudo...
O muza ime shpirtërore
Nga ëndrrat më zgjo!
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese