Lefter Shomo - poezi (Përgatiti Angela Kosta)

Lefter Shomo - poezi (Përgatiti Angela Kosta)
Lefter Shomo
 
MARGARITAR HAREJE
 
Loti rrjedh cepit të syve
Digë dhimbjeje përballë
Shpërthen lumin e ndjesive
Përmes gardhit në qepallë.
 
Ai lot që zbret serbes
Nuse kripe si smeraldi
Ma ngarkon shpirtin dënesë
E më çon në fund të Adit.
 
Ti s'përmban lotët e tu
Filtrit zemrës ato ndahen
Si dhe puthjet roz e blu
Që njësoj dot nuk përmbahen.
 
Veç sa zë e buzëqesh
Dëbon shirat lart prej reje
Brenda sysh mban si peshqesh
Një margaritar hareje.
 
Sa kthjellon atë vështrim
Si ndriçon, si molla skuqesh
Dalin diej të kthjelltësisë 
Kopshte e lëndina lulesh.
 
Nuk sajohet çdo ylber
Përballë diellit të ndryshimit
Përmes syve po nuk zbret
Ai lot i ngazëllimit.

 

Përgatiti Angela Kosta