Jahja Lluka - 24-VJETORI I DËBIMIT DHE KTHIMI BIBLIK I SHQIPTARËVE NË KOSOVË

Jahja Lluka - 24-VJETORI I DËBIMIT DHE KTHIMI BIBLIK I SHQIPTARËVE NË KOSOVË
24-VJETORI I DËBIMIT DHE KTHIMI BIBLIK I SHQIPTARËVE NË KOSOVË
 
Njerëzimi është ballafaquar dhe zhvilluar që në kohë të hershme me fenomenin e migrimit. Mirëpo, për dallim nga popujt e tjerë, tek shqiptarët ky fenomen jo vetëm që ka zgjatur më shumë, por edhe ka shkuar gjithnjë në rritje, duke e shndërruar kështu migrimin në pjesë të pandarë të historisë sonë. Përderisa shkak të migrimeve popujt e tjerë kishin kryesisht arsyet ekonomike, tek shqiptarët arsyeja ishte një – përkatësia etnike, e cila u pengonte fqinjëve, e sidomos atyre serbë, me projektet e tyre kolonizatore e lakmitare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e formuar para se të fillonte Kongresi i Berlinit, luftonte për çështjen kombëtare duke mbrojtur interesat e popullit shqiptar para botës. Rreziku i copëtimit të Shqipërisë ishte evident, pasi që çështja Ballkanike u trajtua në formë të njëanshme në Kongresin e Berlinit, duke favorizuar Greqinë, Bullgarinë, Malin e Zi, Serbinë etj. Lidhja Shqiptare e Prizrenit kundërshtoi kategorikisht vendimet e Kongresit, si me anë të diplomacisë, ashtu edhe me anë të forcës. Megjithëse spastrimet etnike në trojet shqiptare kishin filluar herët, ishte periudha e Lidhjes së Prizrenit, gjatë së cilës filluan shpërnguljet masive me dhunë të shqiptarëve. Vetëm nga Sanxhaku i Nishit, për një periudhë jo shumë të gjatë, u shpërngulën mbi 200 mijë shqiptarë. Programet antishqiptare, si ”Naçertanje” e deri te ”Memorandumi” i Akademisë së Shkencave të Serbisë, për realizimin e projektit për një Kosovë pa shqiptarë, janë dëshmi e tentativave serbe për pastrim etnik. Me përpjekjen për shfarosje dhe me gjenocidin të përgatitur para 24 viteve, plani famëkeq “Patkoi”, u promovua në Manastirin e Graçanicës, më 20 maj të vitit 1995, në deklaratën e aprovuar nga tubimi i Lëvizjes së Rezistencës Serbe, me në krye krininelin Vojisllav Sheshel, për dëbimin e 400 mijë shqiptarëve. Me fillimin e luftës, Milosheviqi mendoi se përfundimisht ia arriti qëllimit për të realizuar planet shekullore për një Kosovë pa shqiptarë. Fshatrat e djegura, dëbimet, asgjësimi i dokumenteve të identifikimit dhe udhëtimit të shqiptarëve të dëbuar, dëshmojnë se një pjesë e madhe e shqiptarëve është llogaritur që të mos kthehej kurrë. Me luftën e UÇK-së dhe me ndihmën NATO-s, shqiptarët përjetuan kthimin biblik në tokën e tyre të djegur. Dashuria për vendin, gjuhën dhe zakonet ishte aq e madhe, sa që Perëndimi u habit nga fluksi i njerëzve që prisnin të ktheheshin në Kosovë. Fatkeqësisht, kur e gjithë bota ishte dëshmitare e debimit shqiptar dhe i kishte sytë tek kampet e refugjatëve, sot, agjencia jonë e statistikave del me shifra qesharake në raportin e saj ”Migrimi Kosovar”. Për t’u shqetësuar është përpilimi diletantesk (shifrat e pasakta dhe gabimet logjike kontekstuale) i këtij raporti. Është e turpshme të thuhet se periudha 1999-2000 shënon numrin më të madh të imigracionit, kur botërisht njihet eksodi i vitit 1999 dhe kthimi biblik i shqiptarëve. Në këtë rast, raporti injoron gjenocidin serb dhe përpjekjen për një Kosovë pa shqiptarë, andaj këtu qëndron njëra nga këto dy arsye: mund të jetë paaftësia profesionale ose kompromisi i qëllimshëm politik. Sipas të dhënave që lidhën me procesin e akomodimit të të ardhurve nga Kosova në Shqipëri, rezulton se numri më i madh i të akomoduarve ishte në Bashkinë e Tiranës, në të cilën u vendosën mbi 125 mijë vetë. Kryesisht, të gjithë u sistemuan nëpër familjet të cilat ndoshta nuk kishin as mundësi për të mbajtur vetveten, por bujaria dhe mikpritja e vëllezërve tanë ishte në nivelin më të lartë të mundshëm. Me këtë rast, duhet të themi se barrën më të madhe e mbajti Bashkia e Kukësit, e cila ishte pika e parë e vendqëndrimit për të ardhurit nga Kosova. Bashkia e Kukësit akomodoi mbi 710 mijë individë. Duhet të cekim Bashkinë e Shkodrës, me 95 mijë persona; Bashkinë e Lezhës me 32 mijë; Bashkinë e Elbasanit me 30 mijë; Bashkinë e Fierit me 25 mijë etj. Për të mos harruar edhe mikpritësit tjerë, duhet të përmendim bashkitë e Jugut të Shqipërisë, Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër. Në bazë të grumbullimit të të dhënave, ne po përmendim vetëm disa familje të vendosura në këto bashki: familja Demaku nga Peja, familja Kryeziu nga Rahoveci, familja Berisha nga Peja, familja Myrtë Arifi nga Gjakova. Në bashkinë e Gjirokastrës: Idriz Sadiku – Gjakovë, Zenel Beqir Ceka – Deçan. Në Bashkinë e Tiranës: Enver Shehu, Halil Ismet Mulaj. Në Bashkinë e Lezhës: Shemsi Aliu. Kemi obligim moral në këtë shkrim t’i përmendim edhe vuajtjet e të ikurve në Bllacë dhe Stankovc, si dhe gatishmërinë e shqiptarëve të Maqedonisë për të strehuar vëllezërit e vet. Për asnjë moment nuk do t’i harrojmë ish-presidentin Klinton dhe bashkëshorten e tij, që vizituan kampet e refugjatëve shqiptarë, kryeministrin Tony Blair apo Gjeneralin e NATO-’s, Wesley Clark. Me këtë rast duhet t’i falënderojmë gjithë miqtë tanë, anekënd botës, që ndihmuan shumë refugjatë shqiptarë, për t’u strehuar, e disa prej tyre sot janë edhe fytyra të rëndësishme botërore. Nuk mund të besoj se të gjitha këto janë të panjohura për përpiluesit e këtij raporti. Shpërnguljet e shqiptarëve i njeh historia që nga koha e Skënderbeut dhe nuk e besoj që ka njeri që nuk është i njoftuar me pastrimet etnike të trojeve shqiptare dhe tkurrjen e trojeve ndër shekuj. Pas disa ditëve, -do te shënojmë 24 vjetorin e dëbimit Bllaca 99,nga ku kamp përqendrimi kanë kaluar mbi 440 000 shqiptarë te cilët janë vendos kryesisht te vëllezërit tonë ne shumë qytete te Maqedonisë. Nuk është e drejtë e askujt që të ndryshojë lëvizjet historike. Agjencia e Statistikave të Kosovës, nëse nuk ka mundur ta paraqesë përpjekjen për gjenocid të pushtetit serb, eksodin i cili në shumë raste ka rezultuar me masakra makabre, është dashur që, për shkak të specifikave të jashtëzakonshme, eksodi dhe kthimi biblik të jenë pjesë e veçantë e këtij raporti. Sot, detyrë patriotike e qytetarëve të Kosovës është që të ngritën padi penale në gjykatat vendore dhe ndërkombëtare për përpjekjet serbe për gjenocid në Kosovë, ku përfshihen dëbimi i shqiptarëve nga Kosova, djegia e shtëpive dhe pronave, çështja e të zhdukurve, dhunimet dhe të gjitha krimet dhe tentimet për pastrim etnik. Mërgimtarëve tanë duhet t’ua kthejmë besimin në institucionet e Kosovës, ata duhet të jenë qytetarë të barabartë në të gjitha sferat e jetës e, sidomos, në të drejtën e tyre kushtetuese – të votojnë dhe të jenë të zgjedhur. Të mos plaçkiten në pikat kufitare sa herë që vijnë në vendlindje dhe të jenë të barabartë në investime për hapjen e perspektivës për rininë e mrekullueshme të Kosovës, e të mos jetë ëndërr e çdo të riu vetëm ikja nga Kosova.