TASHMË JAM SI ENGJËJT E HUMBUR…
Ai tha: Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: “Rrafshoni udhën e Zotit”
(Gjoni 1, 23)
Unë qeshë krijuar i bukur, magjepsja të gjithë, gëzoja zemrat në takimin me mua dhe vërtetë isha i dobishëm. Isha si një kuti e vogël, por shumë e lezetshme, transmetoja zërin e nënës tek i biri dhe zërin e të birit tek nëna larg.
Fillova si Engjëll drite, shkëlqeja shumë, gjithkush më donte, sepse nuk e dinin fundin tim, qeshë krijuar si Luçiferri: shumë i bukur e me vlera.
Atëherë, në fillim mbaja vendin tim, më përdornin thjesht për të komunikuar, për të dhënë një lajm apo një ftesë, për të bërë një urim apo bekim: isha realisht i dobishëm.
E pastaj më linin aty njerëzit, vazhdonin jetën e vet, jetonin. Unë nuk isha i kënaqur me aq, doja më shumë nga njerëzit. Fillova me lojëra për fëmijët e të rinjtë, gjithnjë pa ndryshuar shumë. Mbeta një kuti e vogël, si gjithmonë tërheqës, por doja më shumë.
Befas më erdhën ide të forta që t’iu vidhja kohën njerëzve, t’iu vidhja marrëdhëniet e t’i bëja sa më të vetmuar.
Asnjë nuk shihte se si hidhja rrënjë, si pushtoja jetën e tyre pak nga pak. Në pamje të jashtme po ndryshoja pak përmasën, ngjyrën, por strategjitë e mia ishin të fshehura: askush nuk mund t’i shihte.
Pas lojërave shpika infrarossi dhe Bluetooth, kaq u desh që të mbaja afër djem e vajza, për të kaluar orë të tëra duke kaluar këngë e mesazhe nga një kuti në tjetrën.
Doja që t’i bindja në masë njerëzit se unë mund të mbush boshllëqet e tyre, se unë do i bëja të lumtur, dhe kaq u desh: ia dola me ta.
Futa brenda kësaj kutie edhe fb, mesengjer e instagram, dhe bashkë me ta futa mendjet e zemrat e mbarë njerëzimit brenda meje, por unë jam thjesht një kuti e vogël. Brenda meje çdo njeri humbet kuptimin e orareve, humbet kuptimin e përgjegjësive, humbet miqësitë, dashuritë më të bukura, humbet vlerat. E gjithë kjo për faktin se jam një kuti e mbyllur, dhe si në çdo kuti, këtu brenda është errësirë e plotë dhe me këtë errësirë nuk lejoj që njerëzit të shohin gjërat e bukura të jetës. Iu kam bërë të besojnë disave se varen prej meje, por jam akoma më shumë: janë skllevërit dhe të burgosurit e mi! Mua kështu më interesojnë njerëzit, megjithëse Zoti i do të lirë. Varësia mund të shërohet më lehtësisht, ja pse doja pikërisht t’i mbaja të burgosur, të lidhur në pranga prej meje. Dukem si një kuti, por jam shumë më shumë. Kam përdorur të gjitha taktikat që askush të mos e kuptojë se është i lidhur dhe i burgosur brenda meje.
Të gjithëve po ju merret fryma, por i kam bindur se është gjë e bukur. E që t’i mashtroj më ëmbëlsisht kam bindur edhe të mirët që të më përdorin me të gjitha programet e mia.
Më përdorin politikanët, meshtarët e murgeshat, më përdorin ata që kanë famë për shenjtëri dhe burrëri, më përdorin të varfëritë… Më përdorin… Hahahahah, çfarë them unë?
Ata dikur më përdornin vetëm në fillim, kur isha si dritë, por tash i përdor unë ata.
Kam mbarë njerëzimin në dorën time: Duke rënë në duart e prindërve, iu hoqa atyre gëzimin e pastër për të shikuar në fytyrë fëmijët e tyre, duke rënë në duart e fëmijëve, iu hoqa atyre kënaqësinë për t’u gëzuar pak minuta me prindërit e tyre.
Unë jam një kuti e vogël, por nuk ngopem kurrë: kam nisur një rrugë pa kthim, është rruga e rënies. Iu mora të rinjve kohën e studimit, kohën e pushimit, kohën e punës, kohën e lutjes.
Tashmë kjo është rruga ime, sajoj çdo ditë gjëra të reja që pas meje të humbasin shpirtrat.
Ndonjë që ka si shpirt profetik ka filluar të kuptojë sadopak, por është si një zë që bërtet në shkretëtirë, askush pothuajse nuk dëgjon më. Është vonë.
Tashmë kam arritur kulmin! Kam forcë të divorcoj çiftet për një like të bërë në instagram. Më duhet shumë pak tashmë. Po bëj kërdinë, por sekreti im është se nuk e dinë. Njerëzit e çdo moshe shohin vetëm kutinë time diku më e vogël, diku më e madhe, por po bëj shumë.
Me arritjet e mia jam i kënaqur. Dikur njerëzit pinin ilaçe, kërkonin shërim që të bënin pak gjumë të qetë; tashmë është e kundërta: unë, kjo kuti kaq e vogël, zakonisht e zezë, por edhe me ngjyra nganjëherë, po bëj rrënimin. Iu kam hequr gjumin pothuajse të gjithëve, por e kam bërë shumë hollë këtë gjë, sepse kam hequr shijen për të bërë gjërat.
Kam hequr shijen për të bërë një gjumë të kthjellët, kam hequr shijen për të bërë një shëtitje të lirë në një lëndinë apo në breg të detit… Kam hequr shijen për të lexuar një libër me përralla, një roman, Biblën apo një libër çfarëdo. Kam hequr shijen për të pirë një kafe me kënaqësi apo për të ngrënë një picë në shoqëri të të afërmve dhe të miqve. Nuk e dija që kam kaq forcë as vetë.
Sekreti më i madh është se njerëzit nuk e dinë atë që po bëj… ka ndodhur me mua pikërisht si me Engjëllin e Dritës. Nuk ngopem a kuptoni? Qëndroj në duart e babait, që është i dërrmuar nga puna, nga lodhjet e jetës dhe e mbaj peng aty pikërisht kur ka nevojë të flejë. Nuk dua që ndokush të jetë i qetë. I kam menduar gjërat mirë kur qeshë krijuar si kuti e vogël: kështu mund të më mbajnë edhe në tavolinë kur hanë bukë, kur dalin për kafe për t’u çlodhur, kur shkojnë në lutje. Sa herë unë i bëj të sëmuren, të kenë dhimbje koke, temperaturë, marrje mendësh e probleme të tjera si këto: por nuk e dinë se ua shkaktoj unë.
Madje që të mos më vënë re, që të dukem krejt i mirë, iu dhashë mundësinë njerëzve të vendosin brenda meje programe lutjeje. Po dua t’i fus brenda kësaj kutie edhe meshtarët, edhe murgeshat edhe njerëzit më vullnetmirë. Por kështu është stili im: hy si i mirë që askush të mos e kuptojë. Kam strategji të pafund. Kanë mbetur pak ata që janë të lirë por edhe ata janë pothuajse në duart e mia, mungon pak që t’ua marr frymën edhe atyre.
Nuk është se më intereson që t’i fus këtu në këtë kuti, as t’ju marr frymën e t’i lodh në çdo drejtim, por në fund është shpirti i tyre që më intereson.
Jam krejt si Engjëlli i Dritës, si Luçiferri. Në fillim sillja dritë, gëzim, krijoja bashkim dhe dashuri mes njerëzve, por shumë shpejt kuptova se mund të bëj kërdinë. Sekreti kryesor që më bën të kem gjithë këtë sukses është se askush nuk e din mirë sa kërdinë po e bëj.
Kam edhe një sekret tjetër: nuk i lë të shofin sa i keq jam bërë. I kam mashtruar me dritën fillestare. Oh sikur të shihnin sa i shëmtuar jam bërë! Në fakt isha shumë i bukur, qeshë krijuar i mirë, por nuk jam më ai që isha, jam krejt një tjetër. Por, askush nuk e di këtë gjë: i mashtroj edhe duke shtuar gjëra të reja. Jam bërë mjeshtri më i madh i mashtrimit i të gjitha kohëve: duhet shumë bekim që njerëzit ta kuptojnë. I kam mashtruar që në fillim.
Besoj se Shpirti Shenjt e parashikoi mirë kur bëri të shkruhej kjo fjalë në Bibël: “Plaga jote është e pashërueshme, varra jote është shumë e rëndë. Për plagë tënde barna s’ka, varra jote s’do të bëjë vërragë” (Jeremia 30, 12˗13).
Kam prapë shpikje të reja, sepse nuk dua të lë askënd të marrë frymë. Dua lirinë, zemrat, gëzimin, paqen, të mirat e të gjithëve pa përjashtim. Prandaj do të kem gjithmonë oferta të reja: për çdo festë fetare apo civile.
Arritjet e mia deri tani janë të jashtëzakonshme, por s’jam i kënaqur. Deri tani kam shkatërruar familje, kam krijuar përçarje, konflikte, kërcënime, frika të pafund, kam qenë përdorur që të nxis humbjen e thirrjes së një meshtari apo të një Ipeshkvi, kam shkatërruar biznese të bukura. Imagjinoni suksesin tim: Kanë hyrë brenda meje edhe Seminaret dhe Institutet e Jetës së Kushtuar, të cilët nuk kanë realisht nevojë për mua. Megjithatë, i kam bindur ata të besojnë se jam i domosdoshëm, me justifikimin e parezistueshëm të “Ungjillëzimit”. Kështu i kam prangosur tek vetja ime, duke i bërë të besojnë se është bukur të duan të largëtit, ndërsa i bëj të harrojnë urdhrin e Jezusit: “Duaje të afërmin tënd…!”. Kur ndonjë fillon të kuptojë pak, unë jam krejt i përgatitur që t’ia shtrembëroj shikimin: kam menjëherë një ofertë të re, me të cilën e nxis të mendojë se po bëj mirë. Ofertat e mia nuk mbarojnë kurrë… Njerëzit nuk e dinë, por po u ndalën sadopak do ta kuptonin sa kërdinë po e bëj në ta. Unë nuk ndalem kurrë, dhe prej meje nuk do të shpëtojnë kurrë, por ka një rrugë të vetme: që ata vetë të ndalen. E kanë të vështirë ta bëjnë se janë brenda meje, brenda asaj kutisë që shihet me sy. Të gjithë janë brenda, por nuk e dinë: ky është sekreti im. Edhe nëse ndalen, unë do të bëj të pamundurën që të paktën t’i mbaj të burgosur aty brenda meje. Njerëzve ju kam fshehur edhe diçka: janë këtu brenda meje, por nuk i bëj të shohin sa i keq jam. Po të shihnin sa i shëmtuar jam bërë, do të vdisnin nga frika! Ata vetëm dinë se jam një kuti, herë më e vogël, herë më e madhe, herë me një program, herë me një tjetër: më njohin me emrin celular, por nuk e dinë se unë tashmë jam një engjëll i humbur, një engjëll i rënë dhe i çoj njerëzit në humbje!
Nikolin Shtjefën Lëmezhi
Shkodër, më 22. 12. 2019