Intervistë me Jyotirmaya Thakur (Intervistoi Irma Kurti)

Intervistë me Jyotirmaya Thakur (Intervistoi Irma Kurti)
JYOTIRMAYA THAKUR
 
Jyotirmaya Thakur ka lindur në Indi. Ajo është drejtoreshë në pension e një shkolle së lidhur me Kembrixhin, autore dygjuhëshe e pesëdhjetë librave në zhanre të ndryshme me shumë vepra të tjera në pritje për t'u botuar. Poezitë e saj janë përkthyer në mbi 44 gjuhë. Ajo është bashkëautore e shumë Antologjive Ndërkombëtare. Poezitë, tregimet, artikujt dhe punimet e saj kërkimore janë botuar gjerësisht dhe përkthyer në shumë gjuhë në revista të njohura dhe me reputacion. Jyotirmaya Thakur është autore dhe poete e njohur, ambasadore e paqes dhe akademike veterane. Një zë që duhet dëgjuar në kohë të trazuara. Intelekti dhe përvoja e saj akademike kombinohen për t'i bërë librat e saj një shoqërues të dobishëm për këdo që kërkon një rrugë daljeje në një labirint kaosi.
 
Cila ishte qasja juaj ndaj botës së letërsisë?
Qasja ime ndaj letërsisë botërore ishte përpjekja për të lexuar shumicën e shkrimtarëve të famshëm të vendeve që njihja. Gjyshi im ishte themeluesi i një shkolle të mesme në fshatin e lindjes dhe pasi prindërit e mi e trashëguan atë shkollë, ata krijuan një bibliotekë të pasur, së cilës mund t’i referoheshin fëmijët. Librat u blenë nga drejtori i atëhershëm i shkollës në Kalkuta, i cili ishte një njeri i lidhur me letërsinë dhe bibliograf. Kam patur privilegjin të lexoj libra të zgjedhur dhe në këtë mënyrë jam njohur me letërsinë botërore nga vende të ndryshme, si Anglia, Evropa, Amerika, Kina dhe Rusia. Gjithashtu, duke qenë se isha studente e letërsisë angleze, më duhej të lexoja klasikë grekë dhe romakë. Më tërhiqnin shumë vepra të rëndësishme dhe kështu etja ime për letërsinë botërore nuk shteroi kurrë.
A ju kujtohet se cila ishte poezia apo tregimi juaj i parë? 
Nuk e mbaj mend saktësisht poezinë e parë, por mendoj se mund të ketë qenë: ”Xhek dhe Xhill u ngjitën në kodër/Për të marrë një kovë me ujë, /Jack u rrëzua dhe Jill u rrëzua gjithashtu.”
Ndërsa u shkollova në një shkollë të mesme angleze, e cila drejtohej nga misionarë, ne mësuam dhe recituam vjersha ashtu si fëmijët e tjerë britanikë. Më vonë në shkollën e mesme u njoha me krijimtarinë e William Wordsworth, i cili mbetet një nga poetët e mi të preferuar. Më tërhiqte vepra e tij për shkak të thjeshtësisë së gjuhës dhe të të shprehurit si dhe optimizmit të tij. Dua të përmend prej tij: "Megjithëse asgjë nuk mund ta kthejë orën pas, as shkëlqimin në bar dhe lavdinë në lule, unë s’do të pikëllohem, por do të gjej forcë në atë që mbetet pas" - William Wordsworth. 
A ndikon të jetuarit në një mjedis të caktuar fizik në krijimtarinë e një autori? 
Unë mendoj se shpesh ndikon tek autori, por tani që globi është tkurrur për shkak të internetit dhe librat janë lehtësisht të disponueshëm online si dhe Amazon i ka bërë librat e kontinenteve të ndryshme lehtësisht të disponueshme, autorët janë të ekspozuar ndaj botës së jashtme. Sidoqoftë, rrënjosja në një mjedis të caktuar u jep atyre një mundësi krahasimi dhe krijimtaria e tyre pasurohet nga kjo lidhje tokësore. 
Cilat janë disa sfida me të cilat jeni përballur në rrugën tuaj letrare? 
Sfidat kanë qenë të mëdha pasi unë u martova në moshën 18-vjeçare dhe në rolin tim si amvisë vazhdova studimet si studente e letërsisë për studimet pasuniversitare në Londër, një qytet shumë kozmopolit krahasuar me fshatin e vogël Bihar në Indi prej nga vija. Ishte e pamundur edhe ta mendoja se do të bëhesha shkrimtare pasi anglishtja ishte një gjuhë e huaj për mua dhe fillimisht më duhej të lexoja sa më shumë libra në anglisht për të njohur së pari letërsinë dhe kulturën. Vetëm kur fillova të jepja mësim dhe m'u dha mundësia nga shkolla të bëhesha redaktore e revistës së shkollës, shkrimet e fëmijëve më frymëzuan të shkruaj tregimet dhe poezitë e mia të para, ndonëse kur isha e vogël shkarravitja vjersha dhe i recitoja vetëm, pasi kisha ndrojtje t'ia tregoja dikujt. Kjo platformë më bëri të kuptoj që vjershat e mia nuk ishin aspak të këqija, ndaj ua tregova ato kolegëve dhe nisa t’i botoj nëpër revista lokale. 
Ju jeni gjithashtu përkthyese. Si ka ndikuar apo pasuruar kjo përvojë shkrimet tuaja? 
Si përkthyese e projektit Itaca kam patur privilegjin të lexoja disa nga poetët më të mirë nga vende të ndryshme të botës, të cilët nuk do t'i kisha njohur kurrë. Duke i lexuar dhe duke u përpjekur të jap maksimumin në përkthimin e poezive të tyre, më duhet të hyj në shpirtin e poezisë. Kjo është një përvojë e pasur dhe shpërblyese. 
Poezitë tuaja janë botuar në 44 gjuhë. E konsideroni veten të suksesshme? 
Jo, nuk e konsideroj veten të suksesshme pasi ishte një gjest dashamirës nga ana e Fondacionit Itaca përkthimi i poezisë sime në kaq shumë gjuhë. Duke qenë se jam përkthyese, arrita të krijoj lidhje edhe me përkthyes të tjerë. Mendoj se ishte vetëm hiri dhe fati i Zotit. Unë thjesht vazhdoj t'i shërbej njerëzimit dhe letërsisë pa menduar për suksesin. 
Ju jeni Ambasadore e paqes. Çfarë është paqja për ju? 
Paqja duhet të jetë si e brendshme ashtu edhe e jashtme tek një individ dhe, ashtu si bamirësia, ajo "fillon brenda një shtëpie me mësime tolerance" dhe vazhdon si "një mënyrë jetese" në botën në përgjithësi. Në udhëtimin e ëndrrave të mia, në "vallen e përjetshme të një fluture” unë shikoj plot manifestime të "paqes" dhe parashikoj një të ardhme të lavdishme, një përpjekje për të arritur idenë e lashtë të Indisë, "vasudhaiva kutumbakam" dhe uroj, "sarve bhavantu sukhinah". Konceptimi i një bote në harmoni dhe paqe është nevojë e domosdoshme e ditës, sepse “Kjo botë nuk u ndërtua me tulla të rastësishme aspak/ka një kuptim në çdo kthesë dhe vijë të saj/Një fuqi e ndërgjegjshme ka hartuar planin e jetës. (Epika Savitri e Sri Aurobindo)
Është trishtuese sepse bota kërkon shërim në kohët katastrofike që po jetojmë, një botë e zhytur në luftëra, gjenocid dhe fatkeqësi natyrore, si dhe ato të shkaktuara nga njeriu. Sipas meje, paqja është nevojë urgjente për njerëzimin dhe këtë e kam shprehur në poezinë me titull: “Kërkimi i paqes”.
“Paqja është një mënyrë jetese,
Fillon në shtëpi me mësimet e tolerancës,
Pas debatesh të zemëruara apo përballjesh,
Asnjë mëri apo faj s’duhet të vazhdojë gjatë,
Bashkoni duart dhe lidhuni fort me faljen.”
A mendoni se poezia është një mjet i fuqishëm për të promovuar dashurinë dhe paqen? 
Po, besoj se Poezia është një mjet i fuqishëm për të promovuar dashurinë dhe paqen. Jam dakord se nëse poetët do të sundonin botën, do të ekzistonte një botë paqësore dhe plot harmoni. Poezia i kapërcen kufijtë dhe si çdo art që është universal, poetët janë si pëllumbat që fluturojnë me fjalët e tyre të lirisë, barazisë dhe unitetit në mes të diversitetit, përballë mungesës së reflektimit dhe të kotë që na ofron selfie, për të ndalur dhe reflektuar nëse nuk duam t'i nënshtrohemi presionit të imediates dhe imponimit të mosmendimit. Një qëndrim reaktiv i përulësisë kozmike është i nevojshëm për ta çliruar njeriun nga gjithë kjo kotësi, duke e edukuar atë ndaj respektit dhe bujarisë, aq karakteristike për natyrën dhe kaq të rrallë midis nesh. Megjithëse jemi të zhytur në një botë ku mbretëron zhurma shurdhuese, është e nevojshme të gjejmë atë "heshtje shëruese", më zbuluese sesa fjala vetë. Sepse nëse ka një gjë që nuk duhet ta humbasim, ajo është shpresa: “Nuk ka natë/ që nuk njeh agimin”.
Filozofi me origjinë nga Koreja e Jugut Byung-Chul Han e mbyll librin e tij “Jeta Soditëse” (2023) me këto fjalë inkurajuese: "Në mbretërinë e paqes që do të vijë, do të pajtohen qeniet njerëzore dhe natyra. Qenia njerëzore nuk do të jetë më shumë se një bashkëqytetar i republikës së qenieve të gjalla, së cilës do t'i përkasin edhe bimët, kafshët, gurët, retë dhe yjet”.
 
Intervistoi: Irma Kurti