ARBËRESHES
Në ëndërr në baladë
prapa këlkasteve të mia
nga bebëzat filloi rrugë e gjatë Moreje
që kur s'të pashë, që kur je nisur
me vete more dashurinë për dheun
me këngën arbërisht në varg-vargisur
me të tana plagët një mbi një qëndisur
Vargu mbi varg dënes
me ritëm të shprishur në krah kënge
fjala e mbësueme e rritur
shenjë kur u bë ajo fjalë matrënge
me shikim kah dheu, kah e bukura More
me tingëllimë në udhën e moçme
Motit shprushi mallin për atdhe
Rinës, me drithërimë nën hije te kroi,
kristal iu bë një gllënjkë uji burimi
kur malli për djalin s'e ndau nga shikimi
dhe kur tërmeti zemrën ia trandi
as era e stinëve mot me mot s'pushoi
dashuri peshqesh motesh i solli te ftoi
Arbëreshes mes ngjyrash ylberi
në mes detnash e dallgësh në shtrëngatë
mes resh të zeza shpërthyer me rreze dielli
kënga iu bë tërmet dashurie për atdhe
kur mori udhën nën hije te ftoi
dashuria për mëmëdhe përherë e përvëloi
Kënga ka ngjyrën e syve të saj
mallin hedhur supeve, veshur - trimërinë
është kënga e sprasme e Balës
kënduar te një qiparis
heroizmit për atdhe, për Arbëri
kurorë mbi kokë trimi, flamur dashurie i rri