Fitorja e pabujshme e poezisë së Mujë Buçpapës
Poezia e Buçpapës është një poezi revolucionarizuese; një poezi e ushqyer nga inteligjenca, konciziteti dhe abstraksioni.
Nga Sulejman Mato
Ka poet që hyjnë me bujë në poezi dhe e kërkojnë bujën dhe median me çdo kusht, ndërkohë që ka poetë të tjerë që bëjnë një karrierë letrare të pabujshme e nuk i përfillin mediat të cilat rendin pas reklamimit të rastit. Mujë Buçpapaj bën pjesë në llojin e poetëve që qëndrojnë qëllimisht larg bujës dhe mediave, vetë titulli i librit të tij më të fundit "Fitorja e padukshme" të duket se jep mesazhin e poezisë së tij dhe prek thelbin e qënësisë së kësaj poezie e cila pret ditën kur ajo të kuptohet dhe të shpaloset si një vlerë e panjohur, e pabujshme dhe si një kundërvënie të antivlerave bashkëkohore.
Poezia e Mujos nuk kërcet, ajo të emocionon me thjeshtësinë e metaforës të saj rrezëllitëse.
Ata që e kanë ndjekur poezinë e Mujo Buçpapajt në vite do të vërejnë se si brenda natyrës së vet, ai ka ndërtuar një spirale në rritje, në formë dhe në përmbatje. Motivet që trajton poeti në këtë libër rrokin një një gamë të gjerë, në kohë dhe në hapësirë.
Nisin me mikrokozmosin e tij, fëmininë dhe vendlindjen, e më pas rezonojnë me makrokozmosin, me temat e mëdha bashkëkohore, rezultat i jetës intensive dhe lëvizjeve të autorit këto dhjetë vjetët e fundit.
Nëse në poezitë e para te libri "Fytyrën në shkëmbinj e kam", ndjehej natyra e virgjër e e epikës veriore e përzier kjo me një shpirt të ndjeshëm, të posadalë në jetë, karakteristikë e këtij libri më të ri është intensiteti emocional dhe uniteti i stilit modern bashkëkohor. Kjo poezi afirmohet si pjesë e poezisë më të mirë botërore, e sidomos asaj amerikane.
Duhet thënë se poezia e Buçpapës tashmë nuk është më një poezi që kuptohet lehtë, nëse nuk ke njohjen dhe përgatitjen e nevojshme, pasi ajo është një poezi elitare, jashtë kornizave dhe shablloneve të njohura letrare. Kjo gjë sigurisht nuk ka ardhur vetvetiu, ajo ka kërkuar kohë, dije, eksperimente, kulturë dhe njohje… kërkesa këto që synojnë të prekin zonat e virgjëra dhe universale të poezisë.
Një libër me mbi 120 poezi, të gjitha të lidhura në një unitet të dukshëm me njëra-tjetrën, në të cilat metaforat e befasishme shkëndijojnë dritë dhe emocion.
Ish e vogël bota
Me dy këmbë të blerta
Dritares
së ujit
dhe drurit të lagësht të planetit.
Vitet e demokracisë, jo vetëm do ta pjekim dhe burrërojnë autorin, por edhe do ta vënë para provave të vështira të jetës… Në një rast edhe para plumbave të botës së errët.
E dashur nënë ! (shkruan autori nga sallat e bardha të spitalit):
Tani u bë vonë
Dhe plagët më rëndojnë.
Në këtë pavijon tmerri
shpresat s'më kanë lënë.
Po ti ndize një zjarr të drunjtë
Përmbi këtë botë të shkretë;
Lutju për mua shqip
Sepse jam gjallë
Dhe s'dua të humbas
Poezitë e M. Buçpapajt ndonëse janë të lidhura me fije ndjesie me fshatin e lindjes, me njerëzit e vendlindjes, me peizazhet epike të veriut, me gjelbërimin, shirat, detin… shënojnë poshtë tyre vendin ku janë shkruar, jo vetëm Tropojë, Lukovë e Tiranë, por edhe Nju Jork, Uashington, Paris e gjetkë.
Kjo përzierje vendesh dhe datash reflektohet më së miri në poezinë e tij. Pikërisht kjo lëvizje në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme ka krijuar materien poetike të këtij libri.
Ndër poezitë më të bukura do të përmendja disa prej tyre, si: "Portreti i erës","Prekaz 1999", "Letër nënës","Analogji pa skaj","Pas kësaj lufte të gjatë"
Në se s'do të kthehemi
Sërish në Tpla
Më ndizni një zjarr për të vdekurit e mi.
Në u kthefsha vërtet
Mbi plagët e hapura të verës
Odrat e shiut bien
Në katund
Buçpapaj ia beson sekretin e poezisë së vet metaforës, kësaj mbretëreshe të pafund vizionesh.
Poeti dhe eseisti i njohur amerikan Dana Gioja shkruan: "Poetët janë shpesh qenie dijetare dhe çdo poezi e vërtetë futet me shumë inteligjencë e dituri. Por inteligjenca nuk mund ta pajisë poezinë me jetë, kur mungon emocioni apo imagjinata." Poezitë e Buçpapajt përgjithësisht i mbahen këtij parimi, ato janë një përzierje e harmonishme materialit jetësor dhe inteligjencës me emocionin dhe imagjinatën. Ndonëse në pamje të parë poezitë e këtij autori duken hermetike dhe të vështira në të kuptuar, përmbajtja e tyre intelekuale nuk ka prekur thelbin dhe thjeshtësinë e shprehur përmes emocionit dhe imagjinatës, parime këto që mund t'i harmonizojë vetëm një krijues me talent të veçantë.
Një vend më vete në poezinë e tij zë lirika e detit. Jetesa e një veriori pranë dallgëve të Jonit, sigurisht ka lënë gjurmë të thella në kujtesë dhe në vargje.
"Fëmijët dalin nga deti", poezi e shkruar kohët e fundit, është një ndër krijimet më të bukura të këtij libri. Poezi të tilla mbartin në thelbin e vet gjithçka do të quhet "kozmosi modern i një poeti":
Fëmijtë dalin nga deti me krye uji
………………………
Fëmijtë dalin nga deti
Si gushti nga vera
Me diellin e fundosur të mbrëmjes.
Pas u vijnë krahët e kripur të shiut.
……………………….
Poezi e ushqyer nga inteligjenca konciziteti dhe abstraksioni, janë tiparet e një poezie moderne. Shpeshherë, duke dashur t'u largohet stampave të vjetra letrare, për të përtërirë të poezisë narrative, një poezi e tillë ka një rrezik eminent, të bëhet skllave " e artit të përdorimit të inteligjencies në shkallën e vetë më të lartë".
Por poezia e Mujë Buçpapajt nuk vuan nga kjo. Ajo mund të jetë një shembull reference për kritikën bashkëkohore, pasi te ne ndodh ajo që ka ndodhur 50 vjet më parë në poezinë amerikane. Disa nga poetët tanë si Moikom Zeqo, Petraq Risto, Agron Tufa, etj. përfshi këtu dhe Mujë Buçpapajn, synojnë ta universalizojnë poezinë me abstraksione inteligjente.
Unë i kam provuar të dyja llojet e poezisë; dhe poezinë e mbyllur dhe atë të hapurën. Të dyja format nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Nisur nga dëshira për një poezi bashkëkohore universialiteti i ka intelektualizuar artet, duke i shkëputur nga tradita popullore destriptive. Sot poezia gjendet para dilemave të ndryshimeve të imponuara.
Në këtë drejtim kritika letrare vetëm ndriçon ose sensibilizon. Ajo është e paaftë të udhëheqë proçeset. Vetë poetët si Mujo Buçpapaj me shokë, me talentin edhe përvojën e tyre letrare do ta revolucionarizojnë poezinë bashkëkohore, duke e afruar atë pranë lexuesit të ri. Në këtë drejtim, poezia e Buçpapajt është një poezi revolucionarizuese dhe si e tillë ajo tërheq vëmendjen, jo vetëm të lexuesit, por edhe të kritikës sonë letrare, e cila sot për sot gjendet në prapavijë.
Çdo kohë sjell novitetin e saj. Vitet '60 -të e çliruan poezinë nga rimimet dhe kantilena duke i dhënë hov vargjeve të lira, vitet '80-të e pasuruan dhe më tepër këtë prirje, ndërsa poetët e viteve 2000, në qoftë se do të bëjmë një klasifikim të tillë, kanë prirje për një poezi postmoderniste. Forma me ndikim më të madh në poezinë amerikane të këtij dhjetëvjeçarit të fundit është ajo thyerjes së kufijve poezi-prozë. Poezia në prozë është poezia më e larmishme e vargut të lirë, pasi ka mundësi të mbartë ngarkesa të mëdha emocionale. Poetët sot po ballafaqohen me një problem serioz; të krijojnë lidhje të reja me lexuesin e humbur. Një shqetësim i tillë ndihet dhe në poezinë e Mujë Buçpapës.
Kam mendimin se poetë të tillë si Buçpapaj e ndjejnë këtë përgjegjësi dhe e kanë gjetur dhe çelësin e këtij suksesi ne nivel europian dhe botëror.
Përgatiti për Orfeun Angela Kosta