Fatmir Gjata (Përgatiti Angela Kosta)

Fatmir Gjata (Përgatiti Angela Kosta)
NJË ËNDËRR
 
Nuk di në ëndërr të kam parë, 
a zgjuar isha, s'di
Di vetëm malli më ka marrë, 
e digjem si qiri.
 
Po ç'është ky zjarr i mrekulluar, 
që flakën s'ia sheh kush
Pa le të thonë: qenke gjymtuar, 
kur zbres atje në fushë.
 
Ku dinë njërëzit shpirti çfarë heq,
janë punë perëndie
Dhe bota qënka bërë për dreq, 
me brenga dashurie.
 
Nga gjithë brengat më e mirë, 
paçka se mall të bluan
Gjithçka do jepja plot dëshirë, 
po zjarrin dot se shuan.
 
Atë të kisha pranë tani, 
tani ta kisha pranë
Ta puthja pak në sytë e zi, 
t'ia pija me filxhan.
 
Ndaj shpesh mesnatës zë këndoj, 
dhe këmbët më merren pak
"O dashuri je mjaltë ndër hojë", dëgjohet në sokak.
 
Ca qeshin dhe thonë: është i pirë, 
gjynah nuk di çfarë flet
Është bërë ta lidhësh me zinxhirë, 
paçka se është poet.
 
O njerëz ç'dini nga kjo botë, 
veç luftë e jetë të shtirë
Ndoshta kuptova vetëm sot,
një ëndërr është më mirë.
 
TË MBËSHTJELL...
 
Të mbështjell me një zjarr të mbuluar, 
ende ndezur mbuluar me hi
Jeta kurrë asnjëherë s'ka mbaruar, 
sa të ketë në këtë botë dashuri.
 
Të mbështjell me ca re në mesditë, 
le të kthehen papritur në shi
Do të ketë përreth nesh vetëm dritë, 
do të ketë më në fund dashuri.
 
Të mbështjell me ylbere plot ngjyra, 
në një hark ku veç paq triumfon
Ndaj të puth buzë të ngrënë e fytyrë, 
pa një cak, pa kohë e zakon.
 
Të mbështjell me ca krahë pupëluar, 
le të shkojmë me zogjtë në agim
E të të them pëshpëritshëm fluturuar, 
të kam zemër e xhan, shpirti im.