Fatlume Limani - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Fatlume Limani - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
BLLACA 1999 - HISTORI E PATHËNË
 
Fatlume Limani
 
… Dhe, për të mos e zgjatur më shumë do të filloj ta shkruaj një rrëfim timin që nuk kisha pasur rastin më herët për ta shpalosur ankthin dhe trishtimin me emrin Bllacë. Prandaj, dua ta falënderoj profesorin Abdullah Troshupa, i cili më njoftoi për këtë nismë që kanë marrë iniciatorët: Jahja Lluka dhe Dibran Fylli, e që përzemërsisht i përgëzoj për këtë iniciativë që të jem pjesëmarrëse e këtij libri me vlera historike që edhe unë t’i rrëfej përjetimet e mia dhe të familjes sime e të bashkëqytetarëve të mi.
29 mars 1999 ishte dita kur ne me dhunë na u desh ta braktisim shtëpinë tonë, lagjen tonë dhe qytetin më të bukur, Prishtinën. Më kujtohen ditët kur babai im për sigurinë tonë na sugjeroi të
shpërndahemi nëpër lagjet e ndryshme të qytetit dhe të strehoheshim nëpër shtëpi të vjetra me arsye se në këto shtëpi të vjetra xhandarmëria serbe nuk do të na gjente, mirëpo ajo kishte qenë vetëm strategjia e babait tim, me qëllim që të na mbronte disi, mirëpo realiteti ndodhi ndryshe. Ne bëmë ashtu siç na sugjeroi babai, por sërish u kthyem në shtëpinë tonë se edhe në ato shtëpi ku u strehuam ishte shumë me rrezik. Posa erdhëm nga lagjja ku ishim strehuar u takuam me një fqinj i cili quhej Mishko e që ishim rritur bashkë, ai më tha: “Sot duhet ta lëshoni shtëpinë sepse kanë ardhur xhandarmëria nga Serbia, prandaj merreni të gjitha gjësendet, por edhe nëse keni raki e duhan sepse ata kanë nevojë për raki dhe duhan”.
Kështu edhe bëmë, morëm me veti çka patëm. Vëllain e maskuam disi në mesin tonë, hipëm në një kamion dhe shkuan më stacionin e trenit. Aty më kujtohet fytyra e nënës sime, tani të ndjerë, kur e shikonte shtëpinë me shumë mall dhe me lot qante duke u përshëndet me shtëpinë që po e linim të zbrazët. Thashë me vete: Vallë pse nëna po qante, pse po ia lyp hallallin shtëpisë, mirëpo tani që jam 42 vjeçare them se nëna e kishte me të drejtë se shtëpia është vendi më i ngrohtë për familjen e bashkuar.
Mbërrimë në stacion, u bë terr, shumë njerëz, shumë fëmijë, ku nuk dinim se ku do të përplasemi, po fatmirësisht thosha me vete, “jam me prindër, me familje të ngushtë, ku të jenë ata, do të jem edhe unë”, pa e ditur se çfarë fati na priste, se do të na vrisnin të gjithëve apo do të përfundonim në Bllacë.
Pasi erdhëm në stacion, paramilitaret serbë na thoshin: “uluni të gjithë dhe ai i cili do të ngritet në këmbë do ta vrasim”.
Gjatë qëndrimit, aty ku ndriçim të vetëm kishim dritën e hënës dhe yjeve. Pas pak dëgjuam një zhurmë të njerëzve. Në atë çasti lindi një fëmijë, ku u dëgjua zë i foshnjës së porsalindur...