Enver Cakaj - DONI TE JETONI, RRESHTOHUNI PAS MEJE! (pjesa -II-)

Enver Cakaj - DONI TE JETONI, RRESHTOHUNI PAS MEJE! (pjesa -II-)
Vazhdimi - Pjesa e dytë
DONI TE JETONI, RRESHTOHUNI PAS MEJE!
 
Një ditë pas shumë vitesh, u bëra pikë referimi për të gjithë të sëmurët kancerozë. Nuk e kurseva shtëpinë dhe zyrën ku punoja për ta, po nuk e di sa përfituan nga këshillat e dhëna. Në të vërtetë, kam marrë disa letra falënderim, po s’kam patur kontakte me ta. Ime shoqe ka marrë letra ngushëllimi kur unë nuk u paraqita më në spital. Të mos e teproj, fillimisht edhe unë qava e u mbylla brenda dhomës së spitalit të vdekjes që emërtohej ’’Onkollogji”. Isha vetëm. Pyeta infermieren për emrin e ilaçeve. Ajo më drejtoi për tek mjeku, i cili më tha: ’’Ç’të duhet ty, piji dhe rri rehat!’’. Atëherë qava një ditë të tërë. Pas kësaj u mendova thellë në vetvete. U ngrita dhe ika pa e ditur se ku vija. Kur kisha arritur tek spitali pediatrik, atje kishim kufirin e fundit, më ndaloi roja i portës. U detyrova të kthehesha, por nuk shkova në dhomë. Në spital më kishin kërkuar për terapi, po mua nuk më duhej kjo terapi që më mbërthente për shtrati. Atë ditë u konfliktova me mjekun. Ju nuk e dini se ç’është cikli dhe mos e provofshi kurrë. Që atë ditë nuk dëgjova njeri veç vetes. Zot i vetes nuk është mjeku, por i sëmuri. Mjeku qenka bujtës në jetën e të sëmurit.
Mbajeni fort këtë ide. Mos pranoni t’u përvetësojnë auteritetin e vetes, mos përmendni kurë vdekjen, dhe ruhuni nga ata që ju vdesin! Mos rrini kurrë pa ngrënë. Hani edhe kur ua kanë mbyllur oreksin me ilaçe e gjithfarë përrallash! Ushqimi nuk është vetëm buka. Konsumoni një kokërr mollë, një kumbull, një portokall, një arrë, një vadhzë, një dardhë, një misër të pjekur, një kivi, më shumë lulështrydhe dhe lëngje. Njeriu rron me të ngrënë. Mjekun mos e dëgjoni për çdo gjë, ai le t’u dëgjojë juve. A e kini vënë re, që mjeku u këshillon me një lum këshillash! Mua më janë dukur bajate disa prej tyre. Si: ’’Mos hani të kripura, të tharta, të ëmbla, mos rrini në diell, mos u ftoh, mos u lodh....! Mirëpo, njeriut i duhen të gjitha, edhe tymi i zjarrit, edhe dielli, edhe hija, edhe shiu, edhe lodhja, edhe lulet, por edhe gjembat, më shumë i duhet ushqimi. Të gjitha këto janë pjesë e jetës sonë. Na duhet jeta e plotë, ritmike e jo zvarranike duke e pare atë nga frëngjitë e dhomës. I nderuari dhe i ndjeri Petro Marko, një ditë më erdhi në spital dhe përshtati bisedën rreth sëmundjes. Unë kisha edhe tre shokë në dhomë të cilët po dëgjonin këshillat e tij.
Ai na tha: -‘’Vdekja dhe jeta ecin paralel, kush e kush të mundi njëra-tjetrën, mundeni ju!’’
Shokët e dhomës sikur u zgjuan nga ajo apati, ku i kishin futur ajo sëmundje e tmerrshme dhe m’u lutën ti thosha Petros të vinte përsëri.
Pasi isha shëruar, një ditë u ndodha në klinikën hematalogjike, sepse unë i kam provuar të gjitha spitalet. Dera e dhomës ku isha shtruar ishte hapur. Në shtrat qëndronte një burrë i shtruar që i lutej e shoqja të hante ndonjë gjë, por ai nuk pranoi. Pashë lotët e gruas që u derdhën nëpër faqet e mavijosura e m’u dhimb. Unë isha ngopur me lotë e me rënkime, prandaj dhe hyra Brenda. As më njihnin, as i njihja. I thashë që ushqimet të mos i fuste në komedinë, por në stomak, se mulliri nuk bluan pa drith e ujë! Të dy po më shikonin me habi. E mora ushqimin nga komedina, ja dhashë në dorë duke i thënë: ’’Në do të kesh shëndet, ai është tek ushqimi, aty janë dhe ilaçet, haji shpejt, jo me naze, por me babëzi. Edhe fytyra e gruas u çel si rrezet e diellit kur bien mbi vesën e luleve. Në fund u tregova se edhe unë mezi haja kur isha shtruar në këtë shtrat. gruaja u ngrit e më përqafoi.
Edhe pse vdekja më ka ndjekur këmba-këmbës, gjithmonë e kam lënë pas dere. Unë nuk kam qarë ,por më kanë qarë tër jetën, sepse nuk bëhej fjalë për t’u shëruar. Në bisedat e fisit tim dhe shoqërisë, kishte zënë vend pyetja: ’’Kur do të vdesë?’’ Ata kishin të drejtë, se disa herë vajta në buzën e varrit, por ajo u tregua e mëshirshëm e nuk më pranoi. Nuk më pranoi apo nuk e pranova, gjykojeni vetë. Unë kam të drejtë t’u them: Doni të jetoni? Rreshtohuni pas meje!...Jeta nuk drejtohet me komandë. Kurseni, por mos shpërdoroni, të paktën jetën! Mos harroni që jemi në rrugë e sipër. Ecni edhe kur u vënë pritë, edhe pse ngadalë. Çdo gjë e kemi në dorë ne. Nuk më kujtohet ku e kam lexuar, po mençuria e tij më ka udhëhequr: ’’Bota është një errësirë ku çdo njeri i bën dritë vetes së tij’’.
Mos lini kurrë kohën bosh, edhe kur u ka mbërthyer shtrati. Nëse s’je i zoti të marrësh kazmën, rrëmbe librat. Shkruaj edhe vetë. Nise me zhgarravina e përralla, dhe ec sa të mundësh. Nëse shkruan kot ditën e pare, korrigjoje ditën e dytë, në ditët që vijnë pas, mjafton të jesh në aktivitet. Të paktën mos krijoni
boshllëqe, se është krimbi që bren jetën. Për jetën tënde vepro me kokën tënde, nëse je i bindur. Një nga mjekët që më mjekoi me hamendje fillimisht të cilin e kundërshtova, më tha kur mori vesh kundërshtitë e mija: ’’Akoma me kokën tënde ti? ’’Por unë me kokën time munda të jetoja, dhe jetoj e sot! Mos kujtoni se kam kundërshtuar mjekët, s’kam qënë dakort me eksperimentet e tyre. Më vjen keq për të tre mjekët që bënin eksperimente mbi mua. Ata sot nuk jetojnë.
Jeta nuk është as e vështirë, as e lehtë për ta jetuar. Në doni të mos dale në skenë vdekja, hidh themele të forta e bëj mure të gurta, por më shumë lufto ndaj kujdesit tënd. Vdekja nuk është ashtu si thonë rëndomë, ’’kapak floriri!’’. Për të vdekur nuk është e vështirë, të jetosh jetën lipset luftë pa reshtur që të përballosh sëmundjet, sepse ajo kërkon çdo ditë mure të çara që të depërtojë në trupin tonë. Të mos harrojmë, se trupi është si vija kufitare, po s’vigjëloi ushtari, hyn i zi e i bardhë brenda. Na kanë caktuar ne roje të trupit tonë, prandaj mos e kërkojmë këtë nga të tjerët. Kur isha shtruar në Sanatarium, në dhomën time erdhi një i sëmurë tiranas. Më erdhi mire që nuk pranoi të shkruaj në shtrat, por nuk isha në një mendje me të, kur iku e s’u kthye më në kohën që e kërkoi mjeku për të bërë terapinë. I shte teraqi alkooli dhe duhani. të cilat I pinte ndyrazi. Një ditë i sugjerova t’i shtrohej mjekimit se nuk ishte mire, por ai nuk e prishte dot atë rregull për të vdekur çdo ditë nga pak. Temperatura i shënonte shifra të larta. Po kështu e sentimenti. Mjekët diktuan se një pjesë e mushkërive nuk i fuksiononte dhe duhesh ta hiqte, të cilën ia kishte prishur duhani dhe rakia. Atëherë ai mori paketën nga xhepi dhe e flaku nga dritarja. Mua m’u u duk e nevojshme dhe ndërhyra: ’’-Tani mbaje paketën se flake mushkërinë!’’. Askush nuk është i pa prekshëm nga sëmundjet, por jo t’i shkaktojë vetë. Edhe një orë, apo një ditë më shumë, qelepir e kemi, se jemi jabanxhi në këtë botë! I ndjeri baba e ndjeu thellë humbjen e bashkëshortes, dhe çdo ditë i thërriste vdekjes, por kur e cenonte ndonjë epidemi, më telefononte të merrja mjekun e të vija atje.
Jeta nuk jepet kollaj. Babai arriti shekullin, pavarsisht se ai i thërriste vdekjes, e donte jetën. Me një vigjilencë të rreptë, të gjithë mund ta kalojmë shekullin. Në këtë pike, unë u ftoj të vini pas meje. Por, jeni të lumtur të mos kujtoheni që keni zemër vetëm atëherë kur u dhemb!