Rifat Ismaili - Ese

Rifat Ismaili - Ese
NJERIU DHE TURMAT
 
Kjo që po nis të shkruaj , mund të jetë edhe si ideja e një romani. Sepse kam dashur të përziej realitetin me fantazinë, kohët dhe moshat e njeriut, mbase edhe të ardhmen. 
  Nëpër atmosferat, ku erërat lëvizin me shpejtësi, pyjet janë ende të paprekur, nëpër kodra ngrihen atje- këtu shtëpitë e para njerëzore , dhe kur qytetet akoma nuk ekzistonin , në një botë të moçme dhe prej ëndrre , një fëmijë, në kopshtin e tij përndjek një flutur, duke qeshur i lumtur e duke përshkuar fushat me barin e gjelbër, kaq plot e përplot me gëzimin e tij fëmijnor , në atë kërkimin e kënaqësisë së pafajshme. 
Kjo ndoshta është nga marrëdhëniet e tij të para me botën përtej atij rrethi të ngushtë familjar, ku pat jetuar vitet e tij të parë. 
  Ka qenë përherë një pikë referimi për të gjithë filozofët fati i individit, i dominuar prej kolektivitetit në një mënyrë pothuajse fatale. Nuk ka gjetur ende zgjidhje, ose e thënë më shkoqur, nuk është përmirësuar fare, bile gjithnjë e më tepër, marrëdhënia shoqëri- individ, është duke u përkeqësuar. 
  Për të përshkruar më mirë këtë ide, kam imagjinuar një njeri që jeton mes realitetit dhe ëndrrës, që ndërsa është duke banuar në një kënd të qetë bashkë me të dashurën e tij, sheh ëndrra, të cilat e zhysin nëpër delire e kllapi dhe befasohet duke e gjetur veten e tij prapë fëmijë, në një dimension kohe të largët, në atë para erës sonë, moshës pagane, pastaj e sheh veten burrë mes ushtrive fetare, nëpër ato kryqëzatat e famshme të krishtera , që dogjën e shkatërruan pa mëshirë njerëz, vende dhe kombe, dhe më së fundi, pothuajse i plakur, e gjen veten pjesëmarrës në Luftën e dytë Botërore , përkrah stalinistëve , dhe në përmbyllje, aq i vjetër sa duke vdekur, ndodhej në një kuartier ( lagje) të mbipopulluar të Meksikos, ku prej dritares së tij hyjnë zhurmat e kalimtarëve të panumërt , të makinave e të kaosit. 
   Nëse dikush ka për qëllim një vepër të vërtetë artistike, mund të gjejë gjithnjë mënyra të ndryshme për të shkruar një roman. Për të reflektuar me idetë e tij sa më mirë të mundet. Duke kërkuar rrugë të reja eksperimentale, por mbi të gjitha, për të rënë plotësisht në ujdi me shpirtin. Ndoshta këtë ide s'ka për ta shkruar kurrë në formën e një romani. Nuk ka asgjë të keqe. E rëndësishme është që e ka menduar , do ti mbetet për vete gjithnjë ideja. Sepse të shkruash një libër apo diçka që i'a vlen me të vërtetë, ashtu sikurse një minierë që fsheh në thellësi thesaret e saj, është një vuajtje e tillë, njëlloj si për atë gruan që është duke lindur një fëmijë mespermes dhimbjesh të forta e turbullirës së frikës. 
   Megjithatë, ka shumë kuriozitet dhe një përzierje të vrullshme frike dhe entuziazmi në të gjithë këtë. 
  Një tjetër variant i kësaj ideje të jetës së njeriut nuk është e vështirë për tu gjetur. Mjafton të imagjinojmë një njeri që në ëndrrën e tij përshkon të gjitha kohërat dhe epokat historike, që prej fëmije të pafajshëm që ndodhet për herë të parë në një ceremoni pagane orgjish ku dallon vetveten në një tjetër fëmijë që po e sheh dhe e thërret me një buzëqeshje dinake për të përkëdhelur sëbashku ata trupa të lakuriqtë vajzash. Ai ia mbath i terrorizuar dhe binjaku tjetër e ndjek për ta kapur. Pastaj, në një tjetër skenar të ëndrrës gjendet rastësisht në një qytet të Francës , ku njerëzit janë mbledhur në shesh për të djegur në turrën e druve të gjallë një grua të cilën klani fetar e konsideronte të përdalë dhe shtrigë; mbetet i shtangur e i trembur, kur poshtë mantelit të zi të xhelatit rinjeh po veten e tij, pra, atë binjakun famëkeq. Xhelati kthehet drejt tij dhe e fton tamam si atëherë me një buzëqeshje dhe shikim prej demoni. Edhe kësaj rradhe ai i'a mbath. Zgjohet. Nëpër nja dy sekuenca , gjendet ne fshatin e tij duke peshkuar, bën dashuri me gruan, lexon dhe shkruan dhe mbjell e kujdeset për kopshtin e tij. Por edhe kësaj here ia ndërpresin punën turmat që zvarriten gjithandej si gjarpërinjtë në kërkim të viktimave të tyre. Të gjitha epokat janë rrëzuar dhe ndërruar , shumë mbretëri janë kthyer në pluhur, ka lindur revolucioni, dhe pas Luftës së Dytë Botërore, të gjatë e të përgjakshme, komunistët kthehen fitues. Në krye të turmave, nën kapelen me yll të kuq mbi ballë , ai njeh rishtaz vetveten. Edhe kësaj here ndërmjet tij dhe binjakut nuk do të ketë një takim të vërtetë, sepse e humbasin njëri- tjetrin mes mijëra njerëzve që enden e lëvizin të eksituar, gjaksorë e të lavdishëm. Më së fundi, njeriu ynë i paemër, gjendet në një apartament në katin e pesëmbëdhjetë të një grataçieli amerikan, ku shtrihet një qytet i pafund gjersa syri mund të shohë e ku ecin miliona banorë në këmbë ose me makinat e tyre. Është tashmë i vjetër, pasi ka jetuar nëpër mijëvjeçarë të gjitha ndodhitë njerëzore, i lodhur, duke rrëshqitur gjithnjë në errësirë, nga një sistem në tjetrin, nga mbretëritë tek republikat, nga republikat te diktaturat, nga gabimet te gabime të tjera më të mëdha.
 Tani gjendet i ulur në kolltukun e tij pranë dritares, nuk ka më mendime, as imagjinacion, si një kukull prej dylli. Pothuajse nuk e ndjen hijen e një tjetër burri që po i afrohet, është i përhumbur në mbretërinë e asgjësë. Por e gjen forcën të kthehet e të shohë më së fundmi një hap larg vetes atë binjakun që e kishte persekutuar për shumë e shumë kohë , nga epoka primitive në atë moderne, atë binjakun të dashuruar pas turmave, që kishte fituar e akumuluar, i cili e kishte ftuar atë të merrte pjesë në të gjitha orgjitë e mendjes njerëzore e nëpër katastrofa, atë që kishte urryer e dashur njëkohësisht në subkonshin e tij. Tani, i plakur dhe i lodhur dhe ai, u gjendën përballë për ti thënë njëri- tjetrit " lamtumirë". U kapën përdore dhe së bashku, pa thënë asnjë fjalë, u hodhën nga dritarja e ku një çast më pas një turmë kurioze njerëzish i shihte të shtrirë në tokë të përgjakur e të përngjashëm me njëri- tjetrin si dy pika uji, që tani në vdekje u njësuan dhe mbetën të kapur përdore e të përqafuar. 
   Në idenë e kêsaj historie mund të ketë edhe një variant tjetër, pothuajse i ngjashëm , vetëm me pak ndryshime. E njëjta histori, është vetëm një gjë që ndryshon. Në vend të atij binjakut, ( dualizmi) në të gjitha ngjarjet i shfaqet në ëndërr një njeri mjekërrbardhë e trupmadh. Do të ishte ngjashmëria e Zotit. Marrëdhënia ndërmjet individit , turmave dhe zotit. Bashkimi i tyre fatal. Pamundësia për të drejtuar i vetëm fatin e tij individual. Kërkimi i një identiteti, i cili i humbet gjithnjë. Deluzioni i gjithçkaje. Asgjëja e jetës. 
Kjo do të ishte një panoramë e pjesshme e botës. Akullnajat e Everestit po tërhiqen dhe lulet çelin përpara kohe. Stinët humbin gjithnjë e më shumë diçka nga origjinaliteti i tyre. Mund të ndodhë që pranvera të arrijë para kohe dhe dimri të vonohet. Dhe efekti i ngrohjes së klimës tani ndjehet në të gjithë planetin. Bashkë me të gjitha këto, ndryshon edhe njeriu, dhe jeta e tij. Uria vret në çdo çast njerëzit nëpër botë, trafiku njerëzor, sidomos i grave dhe fëmijëve rritet, shtohet ndohtja e qyteteve dhe pasiguria , ziejnë konfliktet dhe luftërat në emër të besimeve fetare dhe histerizmi kolektiv fryhet në përmasa gjithnjë e më çnjerëzore. 
   Kjo është ideja ime e jetës që mund të vihet brenda një romani. Një pëshkuarje e mendjes nëpër labirinthet e ndodhive njerëzore, të atyre ngjarjeve që njohim dhe të atyre që janë të varrosura në rrugët e fshehta të kujtesës, të pluhurosura dhe asgjësuara nëpër kalimin e kohës. 
  Idetë janë të bukura, sepse ringjallin apo krijojnë imazhe të vërteta. Përshkojnë, edhe pse jo në harmoni të plotë, atë çfarë ka ndodhur, një pasqyrë që reflekton , së paku, një pjesë të së vërtetës.