Emi Krosi - Poemë (Pjesa e dytë)

Emi Krosi - Poemë (Pjesa e dytë)
Emi Krosi - Poemë
 
TANI ËSHTË KURRKUNDI, PËR TY SOLOMON!
 
 Kontradikta midis pamundësisë së qenësishme
dhe absolutitetit të saj
J.W.VON GOETHE
 
Poemë
 
në nokturnin e tetë
(motivi i (mos)parasë)
 
do të shkoj në plazh; - bërtita si triumf i çastit
me të lehtat
shapka llastiku,  
që hiç nuk lënë gjurmë,
por sakaq, më lajmon Instagrami
bobo, se s'kam para
dhe po rrëmoj nëpër xhepa
për hekurishtet e mbetura si kusur,
se më trishton më shumë
drita kur shteret shpirti…
jo, pse s'kam para.
Aleluja,
mallkuar paraja
dhe qershitë mes gishtave
si hyjni i mëkova,
kur incognito,
lulon poshtë neonit,
nën hungërinat e qenve leshmajozë,
se e para është mbamendësia,
e dyta njëjtësia,
e treta trajtësia,
e katërta padepërtueshmëria,
e pesta kthjelltësia,
e gjashta llahtaria,
e shtata papërputhshmëria,
e teta përshtatshmëria,
e nënta drejtësia,
e dhjeta flijimëdorësia.
 
në nokturnin e nëntë
 
e shoh, portokallen e dielltë
atje në breg
si një pemëtharë maji,
vetë njeriuhije buzëqesh me vetven
në këto visore, përplot bujtina folisesh!
 
në nokturnin e dhjetë
(mësime për jetën)
 
kurrë, mos u nënshtro bija ime,
as për arin e gjithë botës,
bëhu i drejtë,
dhe ti biri im
lexo mendimet e jetës:
- mos shko kurrë në majë
dhe kurrë mos shtyp të tjerët,
se me një lugë iu kam gatuar
dhe mëkuar me gji dëshirash
dhe mëshirash njerëzore,
fundja, bëhuni ç'të doni,
por të paktën të jeni njerëz,
njerëz…
e nëse do shkosh bijë në ato udhë,
kur të rritesh;
 - duaje veten,
se ti nuk do djersish më
mbi govatë,
me të vetmin fustan basme
të tharë anës sobës,
(mrrylet tërësisht e marrë tradhëtia,
në skutat e moteleve të zhulta me pështyma pasioni)
se barku me strija varet
nga shenjat e barrëlindjeve,
kur burri lëmon gjinjtë e një tjetër femre
me tanga të kuqe,
qullur në djersë dhe jargavitur nga pija,
i dehur endet si rrënojë nën çatitë e harruar,
teksa gruaja numëron monedhat për fëmijët
në mes të dhomës ku pikon çatia,
nga suvaja e rënë si mijëra gjethe
mbi oborrin e baltosur të dimrit,
dhe përballë…vila luksoze shëndërrin,
me Canin dhe Gjergjin që kacafyten të dehur,
si lakuriqësi dylberësh të marrosur nga liria,  
ej, kjo dreq lirie…
…po vjell nga nomeja e nemur,
kur një lypsar var torbën e zbrazur
në degë kartonash boshe të plehrave,
dhe lesbiket Maria e Helena kërkeshur në lëngun
e (nën)vetvetes,
orgazmohen të lyrosura skaj më skaj,
se periodat kanë derdhur si psalme erërash
lirikat e Safos së Lesbos-it,
se përbesë,
morali puritan metropolitan brekë ka hedhur në tokë, 
moral bur(r)ash të çburrëruar,
nga neveria,
marrëzia,
çmerima,
depresioni,
tradhëtia,
pabesia,
tani, tani, po rigon pak shi
mbi kafazin bosh të vendit të pëllumbave,
vetëm pak shi,
rigon në mbrëmje vonë
me pelerina erërash të mykura në rrugën tonë!
 
në nokturnin e njëmbëdhjetë
   (tik-tok)
 
një - dy, një-dy-tre,
tik- tok,
se frymëthith/ frymënxjerr
në karmën tënde me joga,
me emra fallso bonsai 
dhe petale ekzotike krizantemash…!  
 
në nokturnin e dymbëdhjetë
            (uni im)
 
dikush më tha: -të puthsha mendjen,
dhe ditë të tëra zhbirova
errsinat e mendjes time
në të gjitha kthinat e Unit tim,
në të gjitha skutat ku ishte fshehur
mandili i kujtimeve,
ujitur përherë të fundit
degët e librave të harruara
nën nënkresat e trotuareve,
atëhere kur fillova të lexoja,
qyshkur, librat ishin të ndaluara
dhe zgafellat e gurit
lulëkuqe bulëronin,
se qymyri gurëzi
thellësive jetonte fshehur si një peshtaf,
kur fillova të shkruaja
heroglifet e para ishin aq të marrishme,
saqë u mbytën në pellgaçen e parë
me lëtyrë dimërore
një përzierje përsheshi me shi dhe borë,
kurse librat ishin diçka tjetër,
një dimension,
përmasë,
përmbytje,
shqisë e gjashtë,
ku bota zhytej e zhytej kaq thellë
nën sqetullat e muzgjeve shekullore,
saqë unë vetëm pak ndryshk
tek mollëzat kam formuar,
autografin e fundit të librit të pashkruar,
me emrin tim: emy krosi!
 
në nokturnin e trembëdhjetë
  (toka)
 
pash më pash i rashë tokës,
që nga gardhishtet me thupra
dhe me trina hithrash
deri tek shkëmbi i Poseidonit,
se sprovat e moshës rrudhosur janë,
(dhe kur më thonë se je e bukur)
tokë e djegur,
tokë e shkretë,
tokë e krisur,
kur përsëri behari shuhet në zbratësi
me mijëra hapa miliardëshe,
me numra të ndyshëm këpucësh,
kur "pushtojnë" Times Square,
se atje...atje lart, në Akropol,
dhéu i Perëndive,
kurse këtu poshtë në Kolose
pluhur gladiatorësh veshin retë,
por vetëm kohën, kurrë nuk e mora vesh:
pse na përndjek kaq keq,
sinor më sinor,
(se ç’shekull ishte vallë?,
Marduku apo Jezui, p.r.e apo e.r,
apo epoka e Montezumës12,
me sekretet e bythëve të Kim Kardashian13,
me forma katrore apo kubike,
apo koha e akullnajave me tmerrin e Orwellit 14,
për Oqeaninë e humbur),
se toka ime plojë, me britma në kërkim të parajsës,
se format e trupit tënd nginë askundin,
me pandehmat e shkundullinave si dyndje krijesash
që populluan mijëra vite qytetërime
nga mutacionet vraparake të insekteve dhe viruseve,
o tokë zemërake,
me teshtima muzgjesh,
me zhguna dimrash,
me stinë të zverdhura,
me idile verore,
me zulma urrejtjesh,
zhurmën mban në ëndërra
tëholl dhe gdhend
dhe bymos mbi çdo eshtër,
ashtnor....eshtnor,
toka është shpirti i bukur
që e hanë krimbat,
kurse kafshët kanë hisen e vdekjes,
si fëmijët hisen e rritjes…!
 
në nokturnin e katrëmbëdhjetë
 
…dhe fryma jote si hije e pabindur,
në zonat erogjene seksuale,
u përflak tejendanë perëndishëm,
me një rrëfenjë përmallimi,
qenie, a ka cak përshpirtshmëria jonë??!