Poeti amerikan Stanley H. Barkan (shqipëroi Irma Kurti)
Stanley H. Barkan, ka lindur më 1936 në Brooklyn, Nju Jork. Ai është poet, përkthyes, redaktor dhe botues. U rrit në Nju Jorkun Lindor midis shumë njerëzve që ikën nga Evropa e pushtuar nga nazistët. Barkan mbeti i mahnitur nga gjuhët që flisnin dhe historitë që tregonin sesi dhe pse u larguan nga Evropa. Ky interes për të njohur gjuhë të tjera formoi bazën e jetës dhe të punës së tij si koordinator midis kulturave, duke u përpjekur me zell të mësonte gjuhë të tjera. Gjatë 27 viteve si mësues në sistemin e shkollave të mesme të Nju Jorkut, ai u njoh me poezinë e poetëve të gjuhëve të tjera si dhe me veprat e përkthyesve të mëdhenj, si Gregory Rabassa, me të cilin krijoi një miqësi të ngushtë. Si botues, ai ka botuar një numër të konsiderueshën poetësh të gjuhëve të tjera - vepra në 59 gjuhë të ndryshme. Poezia e Stanley H. Barkan është botuar në 23 edicione, në 28 gjuhë të ndryshme, duke përfshirë edhe botime dygjuhëshe (bullgarisht, kinezisht, italisht, polonisht, rumanisht, rusisht dhe spanjisht).
JANAR
Ngrica
mbulon degët e zhveshura,
të zeza kundrejt qiellit gri.
Ashtu si syri i një uragani,
era vëzhgon rrjedhën e saj tani.
Akulli thyhet si copëz xhami
poshtë strehëve të çatisë,
duke u shpërndarë ndër shkallë.
Dera heziton të hapet
ndaj tërheqjes së duarve.
Hunda cingëron nga kontakti
i parë me ajrin jashtë,
njeriu me mundim ecën në rrugë.
I mbuluar më gëzof,
shallin e hedhur në qafë,
veshët e skuqur,
ai e shtyn veten
në Janar,
të gjitha halat e pishës
të mprehta janë si mendimi
i daljes së parë.
Përktheu nga anglishtja: IRMA KURTI