Eduart Veli
NËSE NJË DITË...
Nëse një ditë, pranë teje e dashur
më s'do të frymoj,
ti mos u mërzit, sepse prapë unë tek ty,
do të jetoj!
Jam tek buzët e tua që i putha aqë shumë ndër vite nxehtësisht...
Jam tek sytë e tu, që oh...
sa shumë i desha marrëzisht!
Jam tek floket e tu,
që butësisht i përkedhela lehtë e lehtë...
Jam përherë tek balli yt i menduar,
tek loti yt i nxehtë.
Jam tek zëri yt, se në vite
zërat tanë i bashkuam në një,
te fryma jote do jetoj
në mushkrinë tënde përgjithnjë!
Nëse ndonjë ditë
ti nuk do ta dëgjosh më zërin tim
jam tek era e mëngjesit
që në ballkone lehtë,
fare lehtë fëshfërin.
Nëse një ditë hapat e mi,
në oborr, nëpër shkallë s'do t'i dëgjosh...
jam në çdo hap tëndin, siç kemi qenë
kudo që të shkosh.
Nëse ndonjë ditë,
malli për duart e mia do të të marrë
jam në çdo gur, në çdo tullë e pllakë
që me djersë e pika gjaku i kam larë.
Nëse një ditë s'do jem
e aroma e trupit tim të mungon
dil në bahçe, tek pemët, tek lulet,
se aty me djersë është dhe e imja aromë.
Nëse ndonjë ditë
e mira zemër s'më bindet
e s'mundet më të punojë
në zemrën tënde jam unë,
aty përjetësisht do të rrojë!
Nëse një ditë
larg, shumë larg do jem në të pafundmin qiell
mos qaj e dashur,
pranë do më kesh
në sy, në buzë, në çdo rrudhë,
në zemrën tënde, diell...
TË TË PUTH LOTIN E SYRIT!
Loti sumbull, si lulja e Blirit...
u bë kohë që rjedh prej syrit.
Ah... këta lotë lumë dhe burim
u bënë dete në shpirtin tim!
Loti i ngrohtë pikon ngadalë
Oh... s'e zgjon dot të mirin djalë!
Lotë prej gjyshes, lotë nëne
Lotë rubini dhe dritëz hëne.
Lot dhe dhimbje si ujë deti
në qerpikun e syrit të mbeti.
U mbushën dete dhe oqeane
lotë të gjyshes e lotë nane...
Oh... lotë nga e lënduara zemër
buza dridhet, pëshpërit një emër...
Është bërë Engjëll lart tek Zoti
s'e zgjon dot fjala, s'e zgjon loti!
Ohmoj gjyshe... oh moj grua...
Oh... ç'më trishtojnë lotët e tua!
Lotë dhe mall dhe këtë verë
lotët e tu u bëfshin Ylberë!
Vera e dytë, një Engjëll mungon
Vera e dytë, syri lotë na pikon...
Lotë gjysheje, nëneje, si lotët e Blirit
dua të të puth unë, lotin e syrit!
BIR I TOKËS DHE I QIELLIT JAM!
Zgjohem në kreshta malesh që më flasin,
mbuluar me çarçafë gjethesh kulumbrie.
Këndojnë serenata pëllumbat që gugasin
flladi i ngrohtë më sjell pak aromë Çamërie!
Lahem në burime që burojnë në gjethe bliri
me shtëllunga resh të bardha fshij fytyrën.
Çdo çast jete nuk shuhet, rilind prapë nga hiri
oazet qiellore përcjellin shekujve lamtumirën!
Në brezare mimozash një vashë ndjek me vrap
me fustan të bardhë si Borbardha e përrallave
vrapon si shigjetë mes reve,
"hajde" - thotë më kap!
Mbrapa më lë mall dhe aromën e portokalleve.
S'ngopem me gurët si portrete pleqsh të vjetër,
këto rrugë, këta gurë më flasin e lotë iu pikojnë,
nëpër gryka malesh ndiqja babanë tim si ketër,
gurët vërtet s'kanë zemër por kurrë s'të harrojnë!
Dikur...
më shkau këmba e në greminë desh rashë,
dekada të shkuara, sot do isha thjesht një histori.
Ca drurë Prralli më mbajtën në krah mua njerinë
për male e për drurë
do mbjell vargje plot dashuri!
Yjet, m'i puthin ëndrrat në gjumë,
oh... sa ëndrra kam!
Në qiell kam engjët e mi
shpirtrat dritë iu burojnë...
Jam biri i thjeshtë i Tokës,
por dhe biri i Qiellit jam..
Brenda zemrës, në çdo trokitje me mua jetojnë!
ÇFARË DONI NGA UNË ?
Çfarë doni nga unë?
Doni të zvarritem si kërmilli, duke u lëpirë?
Jo!
E di që rruga e jetës është shumë e vështirë!
Çfarë doni nga unë?
Doni të ndryshoj ngjyrë, siç bën kameleoni?
Jo or Tungjatjeta,
jo, jo, jo... këtë mos e mendoni!
Çfarë doni nga unë, çfarë?
Doni të harroj vendlindjen, nënën dhe babanë?!
Jo! Këtë s'e bëj kurrë
sikur të më jepni gjithë dynjanë!
Po nga unë çfarë doni o të mjerë?
Të harroj unë rrënjët e mia, djepin ku kam lerë?
Çfarë doni nga unë, çfarë?
Të harroj mëhallën e gurtë,
ku kam qeshur dhe qarë?
Çfarë doni nga unë,
ju që gjoja hallin ma qanit?!
Doni që të mos u them poezive
që jam biri i çobanit?!
Çfarë doni nga unë?
Ju që thurni vetëm intriga?
Ju notoni në llumin e kënetave,
tkurrur zemrave të liga!
Çfarë kërkoni nga unë,
ju që përbetoheni për njerinë?
Të shkruaj për ju, ta njollos, ta bëj pis poezinë?!
Jo... jo... or Tungjatjeta,
kjo s'ka për të ndodhur kurrë!
Sikur ta di që i gjallë le të digjem në furrë!
Çfarë doni, çfarë kërkoni nga unë?
Ju, që nga mëngjesi në darkë
përmendni emrin njeri?
Ju që nuk e dini akoma çdo të thotë dashuri!
Ju të marrosur
pas parasë e femrave robina vullgare,
që shiten e blihen pa dashuruar kurrë
vetëm për pare?
Çfarë doni? Çfarë kërkoni nga unë?
Ju kërkoni që unë të jem si ju, mos të dashuroj?
Jo... jo.. or të mjerë,
edhe sikur përjetësisht të jetoj!
Çfarë kërkoni, çfarë doni ju
që notoni në liqenet e lotit?
Në këtë botë e kam ndarë mendjen,
i falem vetëm Zotit.
Çfarë doni ju, atavizmat e murosura
me myk mbuluar?
Ju...
që asnjë rresht për dashurinë njerëzore
s'keni lexuar?
Të kollarisur, kostume moderne
ju duket vetja mbretër...
Ju vdisni dhe ngjalleni çdo natë,
si mostra... lugetër!
Redaktoi Angela Kosta